Izraeli ka armë bërthamore | Bota | DW | 13.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Izraeli ka armë bërthamore

Tërthorazi Olmert pranoi për herë të parë se Izraeli zotëron armë bërthamore duke vërtetuar edhe hamendjet që ekzistojnë me kohë

Stacioni bërthamor i Izraelit në Dimona

Stacioni bërthamor i Izraelit në Dimona

Vizita shtetërore e Ehud Olmert-it në Gjermani nuk kishte nisur ende zyrtarisht dhe në Izrael u shkaktua një skandal. Në një intervistë me stacionin privat N24 Olmert tha se Irani synon zotërimin e armëve bërtahmore, siç i kanë SHBA, Franca dhe Izraeli.

Turistët që në vitet gjashtëdhjetë donin të shihnin Detin e Vdekur duhet të udhëtonin përmes shkretëtirës Negev duke kaluar qytezën në zhvillim Dimona ku ishin të vendosur kryesisht imigrantë afrikanoveriorë. Jo larg Dimonës në jug të rrugës kryesore fillonte një sipërfaqe e rrethuar me gardh dhe shoqëruesit e turistëve e drejtonin vëmendjen rregullisht nga gjoja bukuritë e natyrës në anën tjetër të rrugës. Ata që megjithatë pyesnin se ç'kishte pas gardhit merrnin shpjegimin e thatë, se ishte një "fabrikë tekstilesh".

Në të vërtetë në këtë territor nuk prodhoheshin tekstile, por bomba bërthamore. Vetëm pak vjet pas themelimit të Izraelit kryeministri i atëhershëm David Ben Gurion i ngarkoi fituesit të mëvonshëm të çmimit Nobel Shimon Peres detyrën për ngritjen e një komisioni për energjinë bërthamore. Me ndihmën e Francës Izraeli nisi më pas ndërtimin në Dimona të gjoja "fabrikës së tekstileve" dhe të shumë objekteve të tjera kërkimore në pjesë të tjera të vendit. Dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e zëvendësuan hap pas hapi Francën në mbështetjen ushtarake të Izraelit, i vunë në dispozicion Izraelit një reaktor bërthamor për kërkime.

Të gjitha këto ngjanë përpara themelimit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, IAEA më 1957 dhe mbi të gjitha përpara miratimit të marrëveshjes për mospërhapjen e armëve bërthamore NPT në vitin 1968.

Izraeli u bë në fakt palë në IAEA, por jo edhe në NPT. Mbi të gjitha qendra atomike në Dimona doli kështu jashtë rrezes së kontrollit efikas, megjithëse në vitin 1968 Ben Gurion pranoi se këtu ishte fjala për një reaktor bërthamor, i cili pretendohej të shërbente për qëllime paqësore. Kur një grup ekspertësh amerikanë udhëtoi në Dimona për të parë gjendjen atje Izraeli pa pyetur i bllokoi hyrjet që çonin në objektet nëntokësore disakatëshe. Mbetën vetëm disa laboratorë të parrezikshëm dhe zyra në katin mbi tokë.

Se ç'ndodhte nën sipërfaqen e tokës, këtë e bëri publike në vitin 1986 një burrë, i cili kishte punuar nëntë vjet me radhë në Dimona: Mordechai Vanunu me prejardhje nga Maroku punonte në objektet nëntokësore dhe ia doli të nxirrte feshurazi fotografi dhe plane nga objektet duke e përshkruar hollësisht kompleksin në një intervistë për gazetën britanike "Sunday Times".

Ai duhet ta dinte se nxjerrja e një sekreti të tillë përbënte tradhëti ndaj vendit dhe nuk mund të mbetej pa pasoja. Por Vanunu u soll në mënyrë tepër naive dhe e pandehu veten të sigurt prej shërbimit të fshehtë izraelit në Londër. Ky i fundit ngarkoi një agjente bionde, e cila e tërhoqi Vanunun në Romë. Atje ai u kap nga agjentët e shërbimit të fshehtë izraelit dhe u transportua në një valixhe në Izrael. Një gjykatë e dënoi Vanunun në vitin 1986 me 18 vjet burg. Dënimin u desh ta kryente gjer në ditën e fundit, në pjesën më të madhe të kohës në izolim. Edhe pas lirimit në vitin 2004 Vanunut ndërkohë të konvertuar në të krishterë i ndaloheshin largimi prej vendit dhe kontaktet me shtypin. Në mënyrë cinike Vanunu thotë tani se kryeministri Ehud Olmert duhet ndëshkuar në formë të ngjashme pasi ka pranuar që Izraeli zotëron armë bërtahmore.

  • Data 13.12.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJu
  • Data 13.12.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJu
Reklamë