Italia rimbyllet për shkak të pandemisë | Evropa | DW | 15.03.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Italia rimbyllet për shkak të pandemisë

Për miliona qytetarë të Italisë nis nga e hëna përsëri një bllokim i rreptë. Qeveria e Romës pritet të nisë një plan ambicioz vaksinimi. Kurse nga Majorka vijnë lajme të mira.

Për shkak të numrit në rritje të infeksioneve një pjesë e madhe e rajoneve në Itali do të rimbyllen duke filluar nga sot (15.03). Në zonat në fjalë bëjnë pjesë edhe Lazio dhe kryeqyteti Romë, Lombardia me Milanon, Piemonti, Veneto dhe Emilia-Romagna. Aty mbyllen të gjitha shkollat ​​dhe qendrat ditore si dhe dyqanet. Restorantet lejohen të ofrojnë vetëm ushqime me porosi. Liria e lëvizjes brenda rajonit kufizohet rreptësisht. Njerëzit lejohet të dalin nga shtëpia vetëm për nevoja të domosdoshme, me përjashtim të atyre që u duhet të shkojnë punë ose kanë raste urgjente.

Roma shpall planin ambicioz të vaksinimit

Roma do ta fitojë luftën kundër pandemisë jo vetëm me kufizime por edhe me një fushatë të përmirësuar vaksinimi. Planifikohet që deri në shtator të imunizohen kundër virusit korona të paktën 80 përqind e popullsisë. Ky është qëllimi i planit kombëtar të vaksinimit të shpallur nga qeveria. Për realizuar atë duhet që të vaksinohen të paktën 500,000 vetë në ditë, pra rreth tri herë më shumë sesa ishin vaksinuar në ditë deri tani (170,000).

Numri i infeksioneve me korona në Itali është rritur javët e fundit në mënyrë të vazhdueshme. Të shtunën autoritetet njoftuan për rreth 26,000 infeksione të reja me korona dhe për 317 vdekje të lidhura me virusin brenda një dite. Italia ka 60 milion banorë dhe deri tani kanë vdekur më shumë se 100,000 vetë të infektuar me virusin korona.

Majorka mirëpret përsëri pushues

Në ndryshim nga Italia lajme të mira vijnë nga ishulli i Majorkës. Për pushuesit aty nuk kërkohet më test me detyrim ose karantinë për dy javë.

Për shkak të rënies së numrit të infeksioneve qeveria gjermane vendosi po ashtu t'i heqë të gjithë Ishujt Baleare, disa rajone të Spanjës, pjesë të Portugalisë dhe të Danimarkës si dhe ishullin Bahamas në Karaibe nga lista e rrezikut e Institutit Robert Koch (RKI). Megjithatë Ministria e Jashtme gjermane vazhdon t'u rekomandojë qytetarëve të mos ndërmarrin "udhëtime të panevojshme turistike".