Itali: Një manastir si kamp trajnimi për populistët | Evropa | DW | 10.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Itali: Një manastir si kamp trajnimi për populistët

Një manastir që ndodhet në Apenine do të kthehet në shkollë për përgatitjen e kuadrove katolikë shumë konservatorë. Iniciatorët e quajnë veten "Dignitatis Humanae" dhe mbështeten nga populisti i djathtë Steve Banon.

Në malet e Italisë qendrore një burrë ka marrë përsipër një mision. Në një manastir, pa asnjë murg, në ndërtesën e vjetër në Trisulti do të ngrihet një vend shkollimi për njerëzit shumë konservatorë.

Me të ashtuquajturën "Institut për dinjitetin njerëzor”, Bejamin Harnwell, që e quan veten shpëtimtar të Oksidentit, kërkon të mobilizojë të krishterët dhe hebrejtë për të luftuar së bashku myslimanizmin. Ai u referohet modeleve fetare si p.sh. martirizimit të shenjtorit Bartolomeo. "Për shkak të fesë, atij iu rop lëkura i gjallë. Ne duhet të dimë se sot kristianizmi është feja që përndiqet më shumë. Ne në Perëndim shpesh e harrojmë këtë", thotë ai.

Akademia e Tristultit kërkon tani ta ndryshojë këtë gjë. Politikanë të rinj duhet të edukohen këtu në katolikë të vërtetë dhe populistë të djathtë. „Trisulti do kthehet për brezat e ardhshme në selinë kryesore të luftës dhe mbrojtjes së rrënjëve kristiano- hebreje të civilizimit perëndimor, jo vetëm në Europë por në të gjithë botën!", thotë ai.

Dhe Steve Bannon i duket katolikut partneri ideal për këtë. Ish-këshilltari i presidentit të SHBA-së Donald Trump takohet rregullisht në Romë me Benjamin Harnwell. Të dy ata njihen që nga koha kur Banon drejtonte një portal populist të djathtë lajmesh. Ai është shumë i entuziazmuar me projektin Tristulti të Harnwellit. "Ai më pyeti nëse mund ta ndihmoja për organizimin dhe financimin dhe me akademikë nga e gjithë bota që të vijnë të marrin mësin në Trisulti", thotë Steve Bannon.

Bannon kërkon të bashkojë forcat populiste dhe identitare të Italisë dhe të vendeve të tjera europiane, që të bëjnë një kthesë në gjithë kontinentin. Për të është shumë mirë që mburoja të jetë në duart e katolikëve konservatorë: "Kjo i ka futur shumë vetëve frikën: Parti nacionalisto-populiste me politikanë të shquar dhe me mesazhet e tyre! Por kjo do t'i ndihmojë ata që të fitojnë në zgjedhjet europiane që pritet të mbahen, jo vetëm në Itali, edhe në Spanjë dhe vende të tjera.”

Italien PK Steve Bannon und Benjamin Harnwell in Rom (picture-alliance/abaca/E. Vandeville)

Steve Bannon dhe Benjamin Harnwell

Bannon kujdeset për të tërhequr vëmendjen, për të mbledhur paratë dhe për të vendosur kontaktet.

Akademia e Tristultit është për Bannonin një tokë pjellore ideale, sepse pas saj ndodhen rrethet shumë konservatore të Vatikanit, ata që kritikojnë çdo lloj ideje liberale si solidaritet në politikën ndaj migracionit, si ajo që kërkon Papa Franҁesku.

Një nga ata që duhet përmendur është kardinali amerikan Raymond Leo Burke. Ai nuk e ka fshehur kurrë simpatinë që ka për kthesën konservative të djathtë në SHBA prej Donald Trumpit. Kleriku amerikan është anëtar i Këshillit mbikqyrës të Akademisë së Tristultit.
Shumë vëzhgues e shohin krijimin e kësaj aleance të katolikëve shumë konservatorë si gjë të keqe, që do të përçajë shoqërinë me ndihmën edhe të agjitatorit politik Steve Bannon.

Marco Politi, autor libri dhe ekspert i Vatikanit thotë, se "Pika që ata janë duke arritur ka të bëjë me kultin e identitetit. Ne ndodhemi në oksidentin kristian, Europa i ka rrënjët në vlerat kristiano-hebreje, është duke u përgatitur një invazion, pra ne duhet të mbrohemi."
Zëra kritikë

Për shumë italianë ky është skandal. Në Tristolti është duke u formuar edhe protesta. Dhe në fshatin e qetë Collepardo kanë filluar demostratat. Shumë banorë nuk duan të kenë këtu Steve Bannon dhe populistët e djathtë. Sepse manastiri është pikë fetare referimi, vend pelegrinazhi, por edhe vend turistik. Kundërshtarët kërkojnë që qeveria italiane t'ia heqë Akademisë të drejtat e përdorimit të manastirit. Në të kaluarën manastiri ka tërhequr valët e turistëve. Kjo ka marrë fund. Në fshat njerëzit shqetësohen për humbje ekonomike dhe prishjen e imazhit për rajonin.

Daniela Bianchi, nga Nisma qytetare në Trisulti pyet: "Pse kthehet një manastir që ndodhet pranë nesh në projekt ideologjik? Trisulti do kthehet në qendrën e një lëvizjeje: me paratë e kujt, me idetë e kujt dhe me çfarë objektivi?!"

Zgjedhjet në BE si test

Por Benjamin Harnwell mendon se gati ia ka arritur synimit me Akademinë. Pakti për të marrë në përdorim Trisulti ka hyrë në fuqi. Kush do të dojë të ndalojë tani atë dhe Bannonin? "Kultura përcakton politikën, ne jemi duke punuar për këtë gjë. Ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim politikanët italianë si Matteo Salvini dhe lëvizje të tjera nacional- populiste në Europë dhe në botë", thotë Harnwell.
Planet e tij janë shumë të qarta. Qendra e shkollimit në Trisulti duhet të kthehet në mjet, me të cilin populistët e djathtë të marrin Europën, me bekimin e klerikëve shumë konservatorë edhe të Vatikanit.

Në malet e Italisë qendrore do të fillojnë në verë kurset e para. Para fillimit të tyre ide do të bëhet testi në zgjedhje, votat që do të marrin populistët në zgjedhjet për Parlamentin Europian në fund të majit.