Ish-presidenti Valesa bashkëpunëtor i shërbimit sekret?
18 Shkurt 2016Leh Valesa - nuk është hera e parë që nobelistit të paqes i duhet të mbrohet prej akuzave, se ka qenë informator i shërbimit sekret.
Ish-presidenti polak Leh Valesa ka punuar për shërbimin sekret - kështu pretendon të paktën Instituti për Kujtesën Kombëtare(IPN), homolog në Varshavë i Autoritetit gjerman për Dosjet e Sigurimit të Shtetit Stasi. Drejtori i IPN Lukasz Kaminski në argumentimin e tij u referohet dokumentave të reja përkatëse, që disponon instituti i tij. Bëhet fjalë për një dosje personale të Valesës dhe një deklaratë të detyrimit të marrë përsipër prej tij për bashkëpunim me shërbimin sekret, "nënshkruar me Leh Valesa dhe me pseudonimin Bolek". Nënshkrimi i Valesës është autentik, mendon Kaminski. Gjithashtu ekzistojnë edhe fatura për pagesën e honorareve.
Valesa kërcënon me veprime juridike
Valesa, i cili ndërkohë qendron jashtë vendit, i hodhi poshtë menjëherë këto akuza. "Asnjë nga dokumentat e disponueshme nuk burojnë prej meje", theksoi ai. Ai deklaroi, se do të mbrohet me hapa juridik kundër akuzave të ngritura.
Edhe më parë nobelisti i paqes është akuzuar në dy libra të IPN, se në vitet 1970-të nën pseudonimin Bolek ka spiunuar kolegë të kantjerit detar për policinë sekrete komuniste SB. Një gjyq special e liroi në vitin 2000 Valesën prej akuzave. Valesa ish-udhëheqësi i sindikatës Solidarnost ishte në vitet 1990 - 1995 presidenti i parë demokrat i Polonisë.
Shokët e atëhershëm e mbrojnë Valesën prej spekulimeve të reja. "Unë nuk besoj në një bashkëpunim apo spiunime të Valesës. Jam i bindur, se ka pasur kontakte me shërbimin e sigurimit, por kështu Valesa ka mbrojtur shëndetin e tij, jetën e tij dhe familjen e tij", thotë ish-sindikalisti i Solidarnostit Vladyslav Frasyniuk.
E veja ish-ministrit i ofroi dokumentat për shitje
Dokumentat e publikuara tani, sipas IPN-së, posedoheshin prej ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-Gjeneralit Çezlav Jan Kiszhçak, që ndërroi jetë nëntorin e kaluar. E veja e tij, sipas IPN-së i ka ofruar për t'ia shitur dokumentat institutit. Politikanët e udhëheqjes nacional-konservatore shpresojnë tani për zbulimin e spiunit dhe agjentit të dikurshëm.
Valesa konsiderohet si kritik i fortë i qeverisë së partisë nacional-konservatore PiS të Jaroslav Kazhinski, që është qysh nga tetori në pushtet. Në dhjetor ai në sfondin e tensioneve sociale tërhoqi vëmendjen për një "luftë civile" në Poloni. Edhe lidhur me reformat e diskutueshme në drejtësi dhe media në atdheun e tij 72 vjeçari ka shprehur mendimin hapur, se "e gjithë bota e di, që këto shkelin kushtetutën, dhe ata na thonë, me paturpësi në fytyrë, që kjo s'është e vërtetë", deklaroi në janar ish-presidenti.