1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Isa Mustafa kryeministër i ri i Kosovës

Bahri Cani9 Dhjetor 2014

Gjashtë muaj pas zgjedhjeve, parlamenti i Kosovës votoi kabinetin e ri qeveritar. Për kryeministrin e ri Mustafa nuk votuan disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kabineti i ri ka disa befasi të mëdha.

https://p.dw.com/p/1E1Rg
Isa Mustafa
Fotografi: AFP/Getty Images/A. Nimani

Parlamenti i Kosovës vendosi me 73 vota pro dhe 38 kundër kabinetin e ri qeverisës në Kosovë, në krye me kryeministrin e ri, Isa Mustafa. Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës u propozua për këtë post nga Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën do të jetë në koalicion në katër vitet e ardhshme. Kryeministri Isa Mustafa falënderoi deputetët për mbështetjen që i dhanë kabitetit të tij dhe u zotua se do të realizojë të gjitha pikat nga marrëveshja e koalicionit PDK-LDK. Të pranishëm në sallë ishin 115 deputetë, por simptomatike ishte që kundër kabinetit qeveritar të Mustafës kanë votuar edhe disa deputetë të partisë së tij, LDK, të cilët ishin kundër koalicionit me PDK-në e drejtuar nga Hashim Thaçi. Ndër deputetët e LDK që kundërshtuan këtë koalicion ishte edhe Vjosa Osmani, deputetja më e votuar e kësaj partie.

Përbërja e kabinetit qeveritar

Kryeministri i ri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij i parë në kabinetin e ardhshëm, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi më parë kanë harmonizuar së bashku listën e minsitrave të rinj. Thaçi do të drjetojë edhe ministrinë e Jashtme, të paktën në 14 muajt e ardhshëm, pasi parashikohet që ai të marrë postin e presidentit, pas skadimit të mandatit të presidentes aktuale, Atifete Jahjaga në vitin 2016. Kabineti Mustafa do të ketë edhe dy zv./kryeministra të tjerë: Kujtim Shala (LDK) dhe Branimir Stojanaviq.

Nga PDK në kabinetin qeveritar do të jenë edhe Arsim Bajrami (Ministria e Arsimit), Memli Krasniqi (Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural), Valon Murati (Ministria e Diasporës), Hajredin Kuçi (Ministria e Drejtësisë), Bekim Qollaku (Ministria e Integrimit Evropian), Blerand Stavilevci (Ministria e Zhvillimit Ekonomik), Ferid Agani (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) dhe Edita Tahiri (ministre e Shtetit - udhëheqëse e dialogut teknik Kosovë-Serbi). Ndërkohë që LDK do të drejtojë 8 ministri. Ministrat e LDK janë: Skënder Hyseni (Ministria e Punëve të Brendshme), Imet Rrahmani (Ministria e Shëndetësisë), Lutfi Zharku (Ministria e Infrastrukturës), Hikmete Bajrami (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë), Haki Demolli (Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës), Kujtim Shala (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), Arban Abrashi (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale) dhe Avdulla Hoti (Ministria e Financave).

Në kabinetin qeveritar do të përfaqësohen edhe minoritetet. Lubomir Mariq do të drejtojë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Aleksander Jabllanoviq (Ministria për Komunitete dhe Kthim), Mahir Yagcilar (Ministria e Administratës Publike) dhe Rasim Demiri (Ministër pa portofol).

Deputetët serbë e bojkotuan të hënën (08.12) zgjedhjen e qeverisë së re, pasi nuk ishin të kënaqur me ofertat. Mësohet se ata janë kthyer në parlament (09.12) dhe kanë votuar, pas marrëveshjeve me kryeministrin e ri Mustafa.

Kosovo Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images

Befasitë e PDK

Ndër emrat më të lakuar gjatë negociatave për koalicionin qeverisës PDK - LDK për vazhdimin e qëndrimit në ndonjë post ministror ka qenë edhe Enver Hoxhaj, ministri i deritanishëm i Jashëm i Kosovës. Por Hoxhaj, Besim Beqaj, Agim Çeku, Ramë Buja, Fehmi Mujota dhe Bajram Rexhepi nuk do të jenë më pjesë e kabinetit qeveritar. Zhgënjime të mëdha ka pasur edhe në LDK, pasi disa prej krerëve të saj "e kanë parë" veten në postet ministrore. Mediat në Kosovë njoftojnë se ndër më të dëshpëruarit me zhvilimet e fundit dhe me negociatat mes partive tanimë në pushtet janë Teuta Sahatçiu, Ismet Beqiri, Vjosa Osmani, Armen Zemaj, Adem Salihaj... Disa prej tyre kanë votuar edhe kundër kabinetit të ri qeveritar dhe liderit të tyre Mustafa. Ndërsa vet kryeministri i sapozgjedhur Mustafa edhe publikisht u shpreh i "zhgënjyer me njerëzit e partisë së tij", të cilët nuk ia dhanë votën.

Reagimet e diplomatëve

Diplomatët e Bashkimit Evropian në Kosovë e kanë përshëndetur konstituimin e kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re. Zyra e BE-së dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë e kanë uruar Isa Mustafën për zgjedhjen në krye të qeverisë së re. Zyra e BE-së dhe diplomatët perëndimorë kumtuan se Kosovën "e presin shumë sfida, nga bërja e reformave politike dhe ekonomike, deri tek zhvillimi social-ekonomik, punësimi, dialogu me Beogradin dhe sundimi i ligjit e ndërtimi i shtetit juridik si dhe bashkëpunimi i plotë me EULEX-in dhe krijimi i gjykatës speciale. “Qytetarët e Kosovës, si dhe komuniteti ndërkombëtar, presin që institucionet e sapo formuara t'i përkushtohen këtyre sfidave me energji, devotshmëri dhe vendosmëri", kumtuan ata. Autoritetet ndërkombëtare pohojnë se qeveria e re do të ketë mbështetjen e tyre në tejkalimin e këtyre sfidave.