Irritime prej shpalljes së ″Rusisë së vogël″ në Ukrainë | Evropa | DW | 19.07.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Irritime prej shpalljes së "Rusisë së vogël" në Ukrainë

Separatistët prorusë në Donjeck kanë pretendime për të gjithë Ukrainën, së cilës duan t'ia ndërrojnë emrin në "Rusi të vogël". A ndodhet para shkatërrimit procesi i paqes i Minskut?

Aleksander Zaharçenko

Aleksander Zaharçenko

Shqetësim në Kiev, kritika në Berlin dhe në Paris, habi në qarqe ekspertësh. Propozimi i papritur i Alexander Saharçenkos ra si bombë. Udhëheqësi i separatistëve në Ukrainën Lindore i së vetëshpallurës "Republikë Popullore e Donjeckut", propozoi të martën që në vend të Ukrainës, të themelohet një "shtet" i ri dhe ai të quhet "Malorossija" ("Rusia e vogël"). Qeverinë e Kievit ai e quajti jolegjitime dhe u bëri thirrje rajoneve të tjera, me përjashtim të Krimesë së aneksuar nga Rusia, që të bashkohen me "shtetin" e ri me Donjeckun si kryeqytet.

Edhe në Rusi u dukën të habitur. Një shtet i ri në Ukrainë? Kjo ishte e re edhe për administratën ruse. Duhet të bëhet fjalë për një inisiativë personale të udhëheqjes së Donjeckut, u kumtua ftohtë. I ngarkuari me fuqi të plota të Rusisë në Grupin e Kontaktit të Minskut, Boris Gryslow tha më tej: ky propozim ka të bëjë më tepër me luftën informative që po vazhdon, se sa me realitetin, tha ai. Kjo iniciativë nuk është në përputhje me procesin e Minskut dhe nuk ka kurrfarë pasojash juridike.

Akt themelues?

Por në lajmet zyrtare të së vetëshpallurës Republikë Popullore e Donjeckut paradite kjo tingëlloi krejt ndryshe. Fjala ishte për një akt konstitucional. Për themelimin e shtetit Malorossija, Rusi e vogël. Sipas udhëheqësit të kryengritësve, Ukraina nuk mund të rikrijohet si shtet. "Ne, përfaqësuesit e rajoneve të ish-Ukrainës, propozojmë që shteti të shpërbëhet dhe që të themelohet në vend të tij Rusia e vogël." Sipas tij, ndryshimi i emrit është shumë i rëndësishëm, sepse "Ukraina si shtet mban faj për krime lufte, terror masiv dhe masakra ndaj popullit të saj."

Por edhe vetë udhëheqja e separatistëve aleatë të së vetëshpallurës Republikë Popullore e Luhanskut u distancua shprehimisht nga projekti. Përfaqësues të saj thanë se atë e patën mësuar nga mediet.

Qeveria gjermane e quajti propozimin nga Donjecku "krejt të papranueshëm". "Zoti Saharçenko nuk ka asnjë lloj legjitimimi që të flasë për këtë pjesë të Ukrainës", i tha një zëdhënëse qeveritare në Berlin Deutsche Welle-s. "Ne presim që Rusia ta dënojë gjithashtu menjëherë këtë hap dhe as mos ta respektojë, as ta pranojë." Ngjashëm u shpreh edhe ministria e Jashtme në Francë.

Në fund, shumëçka flet për një veprim me kokë të tij të Saharçenkos. Por me këtë ai arriti një gjë me sukses: në takimin e grupit tripalësh (Ukrainë, Rusi dhe OSBE) nesër, që në krye do të diskutohet pikërisht kjo deklaratë.