Iran: Marrëveshja atomike nuk është e rinegociueshme | Bota | DW | 01.05.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Iran: Marrëveshja atomike nuk është e rinegociueshme

Presidenti i Iranit Rohani i kundërshton prerë ndryshimet në marrëveshjen ndërkombëtare, por tregohet i gatshëm për bisedime. Po a bëhet fjalë për të njëjtat fusha tematike, të përmendura nga Presidenti francez, Macron?

Më shumë së një orë zgjati biseda telefonike midis Presidentëve të Iranit dhe të Francës, Hassan Rohani dhe Emmanuel Macron. Pas saj, nga Pallati Elizee në Paris u bë e ditur se të dy burrat e shtetit patën rënë dakord që të punojnë së bashku javët e ardhshme që të mos prishet marrëveshja atomike.

"Tri tema shtesë, të domosdoshme"

Macroni pati propozuar veç kësaj që bisedat të zgjerohen edhe në tri "tema të tjera, të domosdoshme": në programin raketor të Iranit, në aktivitetet atomike të vendit pas 2025-ës dhe në krizat më të rëndësishme rajonale në Lindjen e Afërt. Presidenti francez pati paraqitur pak kohë më parë në vizitën e tij në Uashington një koncept të përgjithshëm për trajtimin e Iranit dhe pati deklaruar se marrëveshja ekzistuese atomike mund të jetë vetëm shtylla e parë nga katër shtyllat e një marrëveshjeje të ardhshme.

Në Teheran pas telefonatës së të dy presidentëve, u tha se Rohani pati bërë të qartë se marrëveshja atomike është e parinegociueshme dhe se "detyrimet iraniane nuk do të shkojnë më tej se ato që janë përcaktuar në marrëveshje".

Iran - Hassan Rohani (IRNA)

Hasan Rohani

Në bazë të kësaj, Rohani e vlerësoi këtë marrëveshje jo vetëm si konstruktive për paqen në rajon, por edhe si bazë besimi midis Perëndimit dhe Iranit. Më tej u bë e ditur se Presidenti iranian është i gatshëm për bisedime të veçuara për gjendjen në Lindjen e Afërt, veçanërisht për "stabilitetin dhe sigurinë në rajon, para së gjithash për luftën kundër terrorizmit".

Edhe Merkeli zhvillon telefonata

Në përpjekjet për t'i nxitur SHBA që ta shpëtojnë marrëveshjen për të cilën u ra dakord nën paraardhësin e Donald Trumpit, Presidentin e SHBA Barack Obama, i rakorduan pozicionet me njëra-tjetrën edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse evropiane. Kancelarja Angela Merkel, e cila pati telefonuar të shtunën me Macronin, foli të dielën me kryeministren britanike, Theresa May. Të tre u shprehën edhe njëherë që SHBA t'i përmbahen marrëveshjes bërthamore, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert. Njëkohësisht ata përforcuan gatishmërinë që të përpunojnë me të gjithë pjesëmarrësit marrëveshje shtesë, veçanërisht për programin balistik raketor të Iranit si dhe për rolin e tij rajonal.

Saudi-Arabien PK Außenminister Adel al-Jubeir und US-Außenminister Mike Pompeo (Reuters/F. Al Nasser)

Mike Pompeo diskutoi gjatë vizitës në Arabinë Saudite edhe për marrëveshjen me Teheranin

Për shkak të kërkesave ligjore, Trumpi duhet të vendosë deri në 12 maj nëse do t'i fuqizojë sërish sanksionet kundër Iranit, të cilat janë suspenduar mbi bazën e marrëveshjes atomike. Ministri i ri i Jashtëm i SHBA, Mike Pompeo theksoi në vizitat e tij në Arabinë Saudite dhe në Izrael se Uashingtoni do të largohet nga marrëveshja, po të mos arrihen me partnerët evropianë përmirësime në marrëveshjen me Teheranin. Në bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu në Tel Aviv, Pompeo e akuzoi Iranin për "aktivitete destabilizuese dhe keqdashëse".

Irani e lidhi marrëveshjen atomike në korrik 2015 me pesë fuqitë me të drejtë vetoje në OKB: SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani e Madhe si dhe me Gjermaninë. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në janar 2016.