1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrimi i romëve përmes shkollimit

Blagorodna Grigorova/Bahri Cani19 Mars 2013

Mbi 10 milionë romë në Evropë diskriminohen në shumë raste edhe në sistemin shkollor. Pa shkollim nuk mund të eliminohen as varfëria dhe diskriminimi.

https://p.dw.com/p/17zia
Romët në Sllovaki.
Romët në Sllovaki.Fotografi: picture-alliance/Christian Für

Që në kohën e studimeve në Shkup, Negjo Osman ishte i vetëdijshëm se ishte ndryshe nga nxënësit e tjerë: "Në mëngjes fëmijët më pritën me përqeshje dhe më thanë se jam i papastër dhe plot me morra. Atëherë e kuptova se jam ndryshe dhe jam një 'magjup'". Edhe më vonë në akademinë e filmit dhe artit në Novi Sad më është dashur të luftojë me paragjykimet ndaj romëve. Por ai ia doli: ishte një ndër dhjetë romët që ka përfunduar shkollën fillore dhe i vetmi rom që ka mbaruar akademinë e teatrit.

Paragjykimet dhe politika e gabuar

E gjitha kjo ka ndodhur në kohën e Jugosllavisë socialiste, në vitet 1960, por kjo mund të ndodhë edhe sot në ndonjë vend evropian, sepse paragjykimet ndaj romëve ende ekzistojnë. "Romët shikohen si një grup i klasit të dytë dhe në përgjithësi mendohet se ata nuk mund të integrohen", pohon Rumyan Russinov, aktivist për të drejtat e romëve dhe drejtues i programit për romët në Institutin e Budapestës 'Open Society', të miliarderit amerikan George Soros.

Negjo Osman
Negjo OsmanFotografi: DW

Pikëpamjet negative shpesh kanë të bëjnë edhe me politikën e vendeve të caktuara, në veçanti në arsim, thekson Russinov. Klishetë sjellin edhe deri tek diskriminimi dhe segregacioni. Shumica prej romëve kanë jetuar në lagje të ndara dhe në geto edhe në kohën e diktaturave në Evropën Lindore dhe Juglindore. Segragacione të tilla ka ende edhe në vendet si në Kroaci, Hungari apo Rumani, kritikon Russinov.

Popullata shumicë në këto shtete nuk do që fëmijët e tyre të përzihen me romët në shkolla. Në kohën e diktaturës romët kanë qenë të ndarë në klasë të posaçme. Kualiteti i mësimit ka qenë shumë më i dobët. Shpesh ka pasur edhe shkolla të posaçme për romë. Prej ndryshimeve demokratike, situata madje është përkeqësuar. "Në Bullgarinë socialiste rreth 50 % e fëmijëve romë nuk kanë mundur të shkojnë në shkolla të përbashkëta me fëmijët e shumicës bullgare. Ndërsa sot përqindja është rritur në 75 %", thotë Russinov.

Në Republikën Çeke edhe më tej me mijëra fëmijë romë dërgohen në të ashtuquajturat "shkolla të orientimit praktik", të cilat janë konceptuar për fëmijë me të meta të lehta mendore. Kjo praktikë nuk është ndërprerë as sot, gjashtë vjet pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njriut kundër shtetit çek dhe kërkesës që të ndërprejë këtë praktikë, konstaton Amnesty International në raportin për vitin 2012.

Varfëria dhe përkufizimet

Për përkeqësimin e dukshëm të gjendjes së romëve në vendet e ish-bllokut lindor edhe pas ndryshimeve demokratike flet edhe Ilona Tomova nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Bullgarisë, në një studim sociologjik.

Ajo shpjegon se në sektorin e arsimit ishin ndërmarrë masa të caktuara për përmirësimin e gjendjes së romëve në kohën e diktaturave komuniste. Por pas ndryshimeve demokratike erdhi një periudhë e varfërimit edhe më të madh, sepse sipas statistikave të Bankës Botërore, në vitin 1997 rreth një e treta e bullgarëve kanë qenë të varfër. Ndëkohë që kjo përqindje e varfërisë ka qenë shumë më e madhe tek romët - mbi katër të pestat. Tendenca ka vazhduar edhe më vonë.

Romët në Shkup.
Romët në Shkup.Fotografi: picture-alliance/dpa

Tomova thotë se një problem tjetër shumë i madh, përveç varfërisë, është gjuha. Shumica e romëve takohen me gjuhën zyrtare për herë të parë në shkolla. Pas shkollës kthehen në familjet e tyre ku sërish flasin vetëm gjuhën e vet dhe kanë një shkallë të lartë prapambeturie në gjuhë. Ndaj edhe nuk mund të plotësojnë kërkesat shkollore, pohon Tomova.

Politika ndaj romëve

Pa shkollim nuk mund të zgjidhen as problemet e vërfërisë dhe përkufizimeve. Vitin e fundit është bërë publik një raport i Komisionit Evropian të BE-së për integrimin e romëve, ku thuhet se përmirësimi i kushteve për arsim është një nga pikërëndesat më të rëndësishme. Pa shkollim, romët nuk mund të konkurrojnë në tregun e punës. Por këto angazhime janë të vonuara mendon Rumyan Russinov. "Në kohën e negociatave për anëtarësim në BE, shumë vende kanë qenë të gatshme të zbatojnë plane për integrimin e romëve. Ndërsa tani më shumë i kushtojnë vëmendje sovranitetit të tyre."

Rumyan Russinov
Rumyan RussinovFotografi: Privat

Prej fillimit të krizës ekonomike ka ndryshuar edhe qëndrimi i shoqërisë ndaj ingegrimit të romëve. Populistët e djathtë i paraqesin romët si fajtor për gjendjen, nënvizon Russinov.

Rumyan Russinov mendon se një nga zgjidhjet do të ishte integrimin ndaj po ndërmirren projekte të shumta përmes fondacionit Soros në Hungari dhe Bullgari. Për herë të parë në këto projekte janë përfshirë me qindra fëmijë romë, të cilët tani shkojnë në shkolla normale.

Romët mësojnë kompjuter.
Romët mësojnë kompjuter.Fotografi: Daniel Mihailescu/AFP/Getty Images

Edhe Negjo Osman angazhohet për përfshirjen e fëmijëve romë në shkollat normale në Gjermani. Ai jeton këtu prej fillimit të viteve 1990. Këtu ka ardhur në kohën e konflikteve të ish Jugosllavisë ku përveç profesionit të gazetarisë dhe aktrimit ai punon edhe si mediator në projektet për shkollimin e romëve. "Vetëm kështu mund të bëhemi pjesë e shoqërisë", pohon ai.