1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Hiqe yllin": këngëtarit hebre iu refuzua shërbimi në hotel

6 Tetor 2021

Kur muzikanti gjerman, Gil Ofarim mbërriti në një hotel në Lajpcig, i thanë të hiqte varësen me Yllin e Davidit ose nuk do të regjistrohej.

https://p.dw.com/p/41LOs
Deutschland Demonstration gegen Antisemitismus vor dem Hotel Westin Leipzig
Protestë kundër antisemitizmit në LajpcigFotografi: Dirk Knofe/dpa/picture alliance

Çfarë ndodhi?

Në një video të postuar në mediat sociale, muzikanti gjerman Gil Ofarim tha se donte të regjistrohej në Hotel Westin në Lajpcig të hënën në mbrëmje. Ofarim, i cili është hebre, mbante në qafë një varëse me Yllin e Davidit.

Për shkak të problemeve teknike me kompjuterët e hotelit, në pritje ishte krijuar një radhë e gjatë. Ofarim vuri re se të tjerët në rresht ishin thirrur të dilnin përpara, por ai jo.

"Çfarë po ndodh? Pse të gjithë të tjerët thirren para meje?" Ofarimi tregon se e pyeti punonjësin pas tavolinës.

Punonjësi i hotelit i tha atëherë se po përpiqeshin të pakësonin radhën, por nuk e pranoi që edhe Ofarimi po qëndronte në radhë.

"Pastaj dikush thirri që nga një qoshe:"Hiqe atë yllin që mban "," thotë këngëtari.

Ofarimi tregon se punonjësi i hotelit e përsëriti thirrjen që ai ose të hiqte ose të fshihte Yllin e tij të Davidit, duke thënë se "sapo ta hiqni atë, atëherë mund të regjistroheni". Ofarimi i mërzitur dukshëm e përfundon videon me fjalët: "Gjermani, 2021."

Policia është "informuar" për ngjarjen

Policia e Lajpcigut i tha DW se ishte alarmuar për videon e Ofarimit dhe aktualisht po e analizonte atë.

"Ne u informuam nga ekipi ynë i mediave sociale për rastin," tha zëdhënësja e policisë, Theresa Leverenz për DW.

"Ne e kemi siguruar videon dhe po përgatitemi t'ua dërgojmë prokurorëve për shqyrtim," shtoi ajo.

Autoritetet nuk komentuan nëse është ngritur ndonjë akuzë penale, duke thënë se rasti ishte në fazat e hershme.

Gil Ofarim
Gil OfarimFotografi: dpa/picture alliance

Si reagoi hoteli?

Një zëdhënës i Westin Leipzig i tha agjencisë së lajmeve dpa se hoteli ishte thellësisht i shqetësuar dhe po e merrte rastin "jashtëzakonisht seriozisht".

Kompania mëmë e hotelit është përpjekur t'i drejtohet këngëtarit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Zëdhënësi theksoi gjithashtu se qëllimi i hotelit ishte të trajtonte mysafirët dhe punonjësit me respekt, pavarësisht nga feja e tyre. Ofarimi e mban rregullisht në qaftë një varëse me Yllin e Davidit, përfshirë edhe kohën si konkurrues në sezonin e vitit 2017 të "Let's Dance" të Gjermanisë.

Në Lajpcig mblidhen protestues

Incidenti i përshkruar në videon e Ofarimit shkaktoi një valë reagimesh të tronditura në mediat sociale. Qindra njerëz dolën për të protestuar në solidaritet. Të martën në mbrëmje, në Lajpcig u mblodhën para hotelit qindra protestues për të demonstruar kundër antisemitizmit.

Sipas gazetës lokale Leipziger Zeitung, të pranishëm ishin të paktën 600 persona. Pranë hyrjes qëndronin edhe punonjësit e hotelit, duke mbajtur një pankartë, që dukej se ishte një shfaqje solidariteti.

Incidenti u dënua gjithashtu me shpejtësi nga komunitetet hebraike të Gjermanisë.Videoja ngjalli kritika të ashpra nga komunitetet hebraike të Gjermanisë dhe tërhoqi vëmendjen e policisë.

Deutschland Demonstration gegen Antisemitismus vor dem Hotel Westin Leipzig
Fotografi: Dirk Knofe/dpa/picture alliance

"Armiqësia antisemitike kundër Gil Ofarimit është e tmerrshme," tha Josef Schuster, presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve të Gjermanisë, në një deklaratë të postuar në Twitter.

Ai tha se shpresonte që Westin do të merrte masa kundër personave të përfshirë dhe shprehu shpresën që hebrenjtë në Gjermani "të përjetojnë solidaritet në të ardhmen sa herë që sulmohemi".

Kush është Gil Ofarim?

39-vjeçari është djali i muzikantit izraelit Abi Ofarim.

Vetë këngëtar dhe kompozitor, Ofarimi ka luajtur në dy grupe të muzikës rok dhe ka regjistruar muzikë në gjermanisht dhe anglisht.

Në vitin 2017, ai fitoi "Let's Dance", versionin gjerman të shfaqjes së vallëzimit "Dancing with the Stars" or "Strictly Come Dancing". Ai gjithashtu ka luajtur në disa spektakle televizive dhe ka dubluar filma.