Heiko Maas në Prishtinë: Ndryshimi i kufijve joreal dhe i rrezikshëm | Ballkani | DW | 23.04.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Heiko Maas në Prishtinë: Ndryshimi i kufijve joreal dhe i rrezikshëm

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas, qëndroi për vizitë në Prishtinë për të vazhduar më pas vizitën në Beograd. Ai tha, se tha se idetë për ndryshim kufijsh duhet t'i takojnë së kaluarës.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha, se idetë që kanë qarkulluar kohët e fundit rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, përveç që janë joreale, ato janë edhe të rrezikshme. Sipas tij, i rrezikshëm  është edhe vetë fakti që është diskutuar për këtë çështje. Këtë deklaratë shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas e  bëri në një konferencë shtypi gjatë vizitës që realizoi në Kosovë (22.04), para se të niset për në Beograd.

Kohët e fundit, mediet raportuan se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një "non-paper”, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar. Por shefi i diplomacisë gjermane nuk e di nëse ekzistojnë projekte të tilla.

"Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu non-paper. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato, sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve, por i thellon ato”, tha Heiko Maas gjatë një konference të përbashkët për medie me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Edhe kjo e fundit tha se pas qarkullimit të këtyre raportimeve, ajo menjëherë ka kontaktuar autoritetet sllovene dhe ato i kanë konfirmuar se një dokumnt i tillë nuk ekziston.

Dialog bazuar në parime të qarta

Shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas foli në Prishtinë edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që në fakt ishte edhe qëllimi i vizitës së tij në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Sipas tij dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa në procesin e dialogut, tha ai, natyrisht që duhet të ketë kompromise deri në zgjidhjen përfundimtare. Sipas tij Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

"Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe s'do të realizohet. Është normale që nëdialogun për normalizim, duhet të ketë dhe ka kompromise. Nuk dua të vendos linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s'dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, tha Heiko Maas.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga ana e saj tha, se Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë të bazuar në parime të qarta, ndërkaq, sipas saj  "ndryshimi i kufijve është një logjikë që i takon shekullit të kaluar”.

Kosovo | PK Bundesaußenminister Heiko Maas und Präsidentin Vjosa Osmani

Heiko Maas dhe Vjosa Osmani

"Dialogu me Serbinë është proces në të cilin Kosova ka qenë e përfshirë që nga fillimi. Republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit me Serbinë, edhe pse Serbia akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe akoma nuk ka drejtësi për mijëra e mijëra viktima. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta, në të cilin Republika e Kosovës nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme qoftë me ndryshim kufijsh, logjikë kjo që i takon shekullit të kaluar, qoftë me ndryshimin e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës, i cili do ta rrezikonte funksionalitetin tonë të brendshëm dhe një Kosovë jofunksionale nuk i duhet as Kosovës dhe as partnerëve tanë”, tha Presidentja Vjosa Osmani. E shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas, tha se ai "i ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t'ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajcak”.

Liberalizimi i vizave

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas, foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, kritere këto që Kosova tash e disa vite i ka përmbushur por, që akoma mbetet nën regjimin e vizave.

"E di se për qytetarët e Kosovës është më rëndësi liberalizimi i vizave. I shpreha presidentes Osmani edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet. Nuk është çështje vetëm e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që Bashkimi Evropian t'i përmbahet premtimit të dhënë. Ne gjatë presidencës gjermane e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës, ndrërsa do të vazhdojmë të angazhohemi që  liberalizimi i vizave të ndodhë”, tha Heiko Maas.

Kosovo | Besuch Bundesaußenminister Heiko Maas

Heiko Maas (majtas) dhe Albin Kurti (djathtas)

Shefi i diplomacisë gjermane gjatë qëndrimit në Prishtinë takoi edhe kryeminstrin e Kosovës Albin Kurti, para se të niset për në Beograd, ku do të takojë edhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq. Kurti dhe Vuciq, javën e ardhshme do të qëndrojnë për vizitë në Bruksel, ku në takime të ndara do të bisedojnë me strukturat e  larta të BE-së. 

Ditë më parë Presidenti i SHBA-së Joe Bidden në një letër që i dërgoi Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, shkroi se SHBA-së mbështetë vazhdimin e dialogut  Kosovë-Serbi, që do të përqendrohej në njohje reciproke.  Sipas Presidentit amerikan, rruga për arritjen e këtij qëllimi ëshhtë e vështirë, por "kërkohet flekisbilitet dhe kompromise të vështira”, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë përkrah Kosovës në çdo hap”, tha Joe Biden.