Hamasi vazhdon të hedhë raketa - Izraeli kundërpërgjigjet | Bota | DW | 15.05.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Hamasi vazhdon të hedhë raketa - Izraeli kundërpërgjigjet

Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit palestinez që prej disa ditësh është shkallëzuar, tanimë është zgjeruar edhe në Jordanin Perëndimor. "Nuk ka marrë ende fund", u shpreh kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

Ushtria izraelite përforcoi kundërsulmet e saj ndaj Hamasit radikal-islamik pas raketave të hedhura nga Rripi i Gazës. Natën e së shtunës nga bombardimet e ushtrisë izraelite u shkatërruan në Rripin e Gazës disa ndërtesa. "Nuk ka marrë ende fund", u shpreh kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu pas një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes duke iu referuar Hamasit. Ai sinjalizoi njëpërforcim të sulmeve shpaguese izraelite si kundërpërgjigje ndaj goditjes së vazhdueshme me raketa të Hamasit radikal-islamik." "E kam thënë, ne do të godasim fort Hamasin dhe organizata të tjera terroriste. Dhe këtë po bëjmë", thuhet në një njoftim për shtyp të zyrës së Netanjahut.

Palästina Israelischer Luftangriff auf Gaza

Goditje ajrore të aviacionit izraelit në Rripin e Gazës

Asnjë shenjë për ndalimin e dhunës

Sipas të dhënave të mjekëve në zonat palestineze të shtunën (15.05)  në orët e mëngjesit nga një sulm izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 10 anëtarë të një familjeje, mes viktimave edhe tetë fëmijë dhe dy gra. Sulmi ajror, sipas të dhënave, u drejtua në perëndim të Rripit të Gazës, ku u rrëzua një ndërtesë trekatëshe në kampin e refugjatëve, al-Shati.

Edhe militantë palestinezë vazhduan sulmet e tyre me raketa ndaj qyteteve izraelite. Në qytetin Bersheva në jug të Izraelit si edhe në zonat kufitare me Rripin e Gazës u dëgjuan të shtunën sirenat e alarmit, bëri të ditur ushtria izraelite. Sipas saj nga Libani u drejtuan tre raketa në drejtim të Izraelit, por ato ranë në Detin Mesdhe. Për herë të parë që nga shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit radikal-islamik janë hedhur dy raketa nga Siria në  Izraelin verior. Një raketa e tretë nga Siria nuk arriti në Izrael. Nuk është e qartë, nëse ka një lidhje me shkallëzimin e situatës në konfliktin izraelito-palestinez. Krahas Rripit të Gazës dhe Izraelit konflikti po zgjerohet edhe në Jordanin Perëndimor. Në këtë zonë të pushtuar nga Izraeli, të premten u zhvilluan përleshjet më të ashpra, që prej 20 vjetësh.

Westjordanland West Bank | Nahostkonflikt | Demonstranten

Frika e një luftë të re në rajon - Në Jordanin Perëndimo u zhvilluan përleshjet më të ashpra që prej 20 vjetësh

Shkallëzimi i situatës në Lindjen e Afërt ka rritur frikën e një lufte të re në rajon. Në këtë konflikt kanë humbur jetën nga e hëna(10.05) në Rripin e Gazës, Jordanin Perëndimor dhe Izraelin të paktën 135 vetë, më shumë se 1000 vetë janë plagosur. Viktimat më të mëdha ndodhen mes palestinezëve.

Qeveria amerikane ka nisur ndërkohë një të dërguar të posaçëm në rajon. Hady Amr ka mbërritur në Izrael, bëri të ditur ambasada amerikane. Të dielën Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të konsultohet sërish për situatën në Lindjen e Afërt.

 

la/qu/gri/as (afp, rtr, ap)