Hamasi, Kongoja, Bjellorusia dhe çështjet ekonomike | Evropa | DW | 20.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hamasi, Kongoja, Bjellorusia dhe çështjet ekonomike

Nga takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së në Bruksel

Ursula Plassnik, ministrja e jashtme austriake

Ursula Plassnik, ministrja e jashtme austriake

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme Javier Solana, ka pasur një fundjavë të nxituar. Natën e së dielës ai fluturoi drejt kryeqytetit të Kongos Kinshasa për të ndrequr atje gjendjen politike. Shprehur butë dëmi ishte shkaktuar nga një sjellje jodiplomatike e një pjese të qeverisë gjermane.

Ndryshimet për javë me radhë të qëndrimeve mbi misionin në Kongo, pjesëmarrjen gjermane dhe rolin e saj drejtues, patën shkaktuar mosmarrëveshje në Bruksel. Pastaj ministri gjerman i mbrojtjes Jung, i vuri edhe një lloj afati të ngarkuarit të BE-së për politikën e jashtme, për përgatitjen e misionit. Solana e kapërdiu zemërimin për të mos dëmtuar politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes dhe udhëtoi drejt Kongos, për t'i paraqitur qeverisë në Kinshasa planet e Bashkimit Evropian dhe për tu informuar mbi zgjedhjet në vend.

Ai informon sot në Bruksel ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së mbi vizitën e tij të shkurtër në Kongo. Të premten ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, pati pranuar sërish domosdoshmërinë e këtij misioni. BE-ja është një partner i rëndësishëm në stabilizimin e rajonit rreth Liqenëve të Mëdhenj, këtu bën pjesë Kongoja, tha ministri:

"Për mendimin tim në rast se parakushtet përmbushen ne nuk mund ta refuzojmë një përpjekje të tillë evropiane me ndarje të detyrave."

Po aq e vështirë mendohet të jetë sot tema e procesit të paqes në Lindjen e Afërme. Pasi Hamasi paraqiti në fundjavë qeverinë palestineze, e cila pas dështimit të integrimit të forcave të tjera politike përbëhet vetëm nga anëtarët e vet, është vetëm çështje kohe se kur dhe në ç'formë do të duhet t'i ndërpresin marrëdhëniet e tyre me Ramallahun evropianët. Sërish Steinmeier:

"Ne do të na duhet të rivlerësojmë marrëdhëniet tona të ardhshme me qeverinë palestineze. Nuk dua të fsheh, se nuk mund të heqim dorë nga kushtet e vendosura nga ne vetë. Këtu kusht kryesor është heqja dorë nga dhuna."

Dhe duke qenë se disa përfaqësues të vijë së ashpër do të marrin vende qendrore në Hamasin radikal, islamik nuk mund të pritet mrekullia politike, që do të përmbante heqjen dorë nga terrori, njohjen e Izraelit dhe respektimin e marrëveshjeve të deritanishme.

Me interes priten edhe reagimet ndaj zgjedhjeve të djeshme në Bjellorusi dhe rrjedhën e tyre jodemokratike. Që javën e kaluar zëdhënës të BE-së kishin paralajmëruar, se veç dënimit të zgjedhjeve mendohet edhe për sanksione të mëtejshme.

Dhe së fundi ministrat e jashtëm do të përgatisin samitin e krerëve të qeverive në fund të javës në Bruksel. Tradicionalisht, ky samit i pranverës trajton politikën ekonomike. Këtë herë tema do të jenë shpenzimet për fushën kërkimore dhe shkollimin si dhe politika ende mjaft e diskutueshme energjetike.

  • Data 20.03.2006
  • Autor Barbara Wesel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBh
  • Data 20.03.2006
  • Autor Barbara Wesel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBh