1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hahn në Kosovë: Do të punojmë ngushtë për çështjet e hapura

Bekim Shehu
17 Janar 2019

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Johanes Hahn, qendroi në Kosovë, ku takoi kryeministrin Ramush Haradinaj.

https://p.dw.com/p/3BkIc
Kosovo Besuch des EU-Kommissars Johannes Hahn
Fotografi: Kosovo Prime Minister

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Johanes Hahn, qëndroi në Kosovë të enjten në mbrëmje (17.01), ku takoi kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërsa pas takimit nuk u prononcua për mediat. Johanes Hahn, pas largimit nga Prishtina në Twitter shkroi shkurt: "vizita e parë e vitit 2019 në rajon: Prishtina e bardhë. Pata një diskutim të mirë dhe të hapur me kryeministrin Haradinaj dhe ministrat. Po shikojmë mundësitë të punojmë ngushtë sivjet për të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që Kosova të mund të përparojë në rrugën e saj evropiane”, shkroi në Twitter Johanes Hahn, i cili nga Prishtina udhëtoi për në Tiranë për të takuar kryeministrin e qeverisë së Shqipërisë Edi Rama.

As kryeministri Ramush Haradinaj nga ana e tij nuk foli për mediat, ndërsa, në një postim të shkurtër në profilin e tij në facebook, ai shkroi se: "Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim, presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri kosovar gjatë ditës tha, se ai mirëpret çdo këshillë nga Bashkimi Evropian, por sipas tij "qeveria e Kosovës nuk do ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, përderisa kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”.

Vizita në Kosovë ishte paralajmëruar nga vet Johanes Hahn, që ishte në Prishtinë në fund të vitit të kaluar (03.12) menjëherë pasi qeveria e Kosovës vendosi tarifën për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që hyjnë në Kosovë. Johanes Hahn e kundërshtoi këtë taksë, ndërsa i kërkoi qeverisë së Kosovës që ajo të hiqet menjëherë.

"Në të gjithë kemi qenë të zhgënjyer në BE kur Kosova vuri taksa për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kjo është diçka (vendim) që nuk duhet të jetë në fuqi. Ne në BE po ashtu jemi në dijeni për vështirësitë aktuale që i ka Kosova për tregti të lirë në rajon. Ne duhet të përpiqemi së bashku që t'i zgjidhim këto probleme dhe këtë mund ta bëjmë në një forum të përbashkët. Këtë ide e dhashë në Prishtinë dhe Beograd dhe shpresoj që kjo të organizohet shpejt”, tha Johanes Hahn.

Qeveria e Kosovës me datën 21 nëntor, vendosi taksën doganore për 100% për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që importohen në Kosovë. Të dyja këto vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Vendosja e tarifës doganore po vazhdon të përcjellët me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-së, të cilat karkuan nga qeveria e Kosovës që të heqë taksën ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.