Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh
26 Qershor 2025
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që deputetët e Kuvendit janë të detyruar që të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit jo më vonë se 30 ditë nisur nga sot, 26.06, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Me këtë vendim pritet që së shpejti t'i vijë fundi stërzgjatjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ku partitë politike prej më shumë se katër muajsh pas zgjedhjeve nuk kanë gjentur konsensusin e nevojshëm për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës. Megjithatë Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, procedurë kjo që vazhdimisht kundërshtohej nga partitë e deritashme opozitare.
Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese thotë se "seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët” dhe si e tillë, "realizohet vetëm pas përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”.
Nevojiten konsensus ose kompromise
"Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejt të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës", thuhet në vendim. Më tej qartësohet se partia fituese (në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje) ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por Kushtetuesja rikujton se "kjo e drejtë njëkohësisht është detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm".
"Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit", sikundër që thuhet në aktgjykim, "ky detyrim vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit".
Reagime të partive politike
Zyrtarë të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, në reagimet e para thanë se votimi i fshehtë i cili vazhdimisht është kërkuar nga ta, "nuk e shkel Kushtetutën”.
"Të gjithë deputetët e kanë detyrim të marrin pjesë në votim. S'ka nevojë as të pritet 30 ditë. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë dhe kjo punë kryhet”, shkroi Hekuran Murati nga Vetëvendosja.
Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e cila renditet si partia e dytë në zgjedhje, shkroi se "i vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”, shkroi Krasniqi.
Lënda në Gjykatën Kushtetuese për të gjetur zgjidhje nga ngërçi disa mujor i moskonstituimit të Kuvendit, ishte dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj, kryetar i kësaj partie, tha se ai ndjehet i lehtësuar që kërkesa për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese dha zgjidhje.
"Shfrytëzoj rastin që t'u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t'i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, shkroi Haradinaj në Facebook. Me datën 27 qershor pritet të vazhdojë seanca për Konstituimin e Kuvendit, ku deputetët mblidhen për të 38-tën herë me radhë në përpjekje për Konstituim të Kuvendit që do t'i hapte rrugë edhe krijimit të qeverisë së re të Kosovës.