Gjukanoviqi largohet nga të gjitha postet
26 Tetor 2016Këshilli i Përgjithshëm i DPS ka kumtuar pas një takimi të zhvilluar të martën në mbrëmje (25.10), se mandatari i ri për kryeministwr nuk do të jetë Milo Gjukanoviq, por Dushko Markoviq. Seancën e Këshillit e ka kryesuar vet Gjukanoviqi, i cili ka qenë kryeministër në dy mandatet e fundit në Mal të Zi. Ai ka udhëhequr edhe fushatën elektorale, për zgjedhjet e 16 tetorit, ku partia e tij DPS sërish fitoi më së shumti vota. Më 16 tetor DPS ka fituar 35 nga gjithsej 81 mandate në Parlament, por me partitë e pakicave ai do të arrijë deri në 42 mandatet e nevojshme për krijimin e koalicionit qeveritar.
Gjkukanoviqi edhe më parë, dy herë, është larguar nga posti i kryeministrit por është kthyer sërish, me shpjegimin e vendi ka nevojë për përvojën e tij në postet e shtetit. Gjukanoviqi ka ardhur për herë të parë në krye të qeverisë malazeze para plot 25 vitesh. Opozita e quan edhe si kapon e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Mal të Zi.
Kësaj radhe duket se Gjukanoviqi do të largohet nga të gjitha funksionet e shtetit, ndonëse ende ka mendime se Gjukanoviqi mund të kandidojë sërish për postin e presidentit të Malit të Zi, në zgjedhjet e vitit 2018.
Kandidati i ri për kryeministër në Mal të Zi, Markoviq ka lindur me 6 korrik 1958 në Mojkovc. Ka të përfunduar fakultetin juridik dhe ka qenë kryetar i komunës në Mojkovc Më pas ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, ndërsa pesë vite edhe drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare. Prej vitit 2010, Dushko Markoviq është në postin e zëvendëskryeministrit për çështje politike dhe ministër i Drejtësisë.