Gjuetia në Rumani: Një ari i vrarë dhe një vend i përçarë | Evropa | DW | 08.08.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Gjuetia në Rumani: Një ari i vrarë dhe një vend i përçarë

Në Rumani arinjtë po sulmojnë gjithnjë e më shpesh njerëzit në zonat e banuara në Karpatet lindore. Shkak është ngushtimi i hapësirës së tyre jetësore. Tani vendi debaton ashpër si të veprohet me arinjtë e murrmë.

Rumänien | Braunbären

Ariu i murrmë rumun

Kur bie mbrëmja në Ojdulan rumune, për banorët fillon gjendja e jashtëzakonshme. Shumë vetë nuk i lenë më fëmijët të luajnë jashtë, stallat mbyllen me kyç e kush del jashtë e bën këtë me shumë kujdes. Në Karpatet lindore ka dalë ariu.

Gati çdo natë arinjtë e murrmë vijnë nga pyjet përreth dhe „shëtisin" deri në orët e mëngjesit nëpër fshat. Shpesh ata shkatërrojnë gardhe apo ara, hyjnë në stalla, hanë kafshët shtëpiake, nganjëherë sulmojnë edhe delet. Në zyrën e kryetarit të bashkisë së Ojdulas zhvillimet protokollohen me kujdes. Në muajt  e kaluar arinjtë kanë dale gati çdo të tretën natë nëpër prona dhe kanë bërë dëme.

Arpad Kerekes hedh një vështrim në fermën e tij, apo atë që ai quan masakër. Fermeri mban pula; 120 pula race, rosa, pëllumba, që ai i ka rritur me dashuri dhe para. Tani më shumë se gjysma kanë marrë fund. Kudo sheh kadavrat e mbeturinat. Nga gjurmët mund të kuptosh, se ka qenë një ari i murrmë femër me një ose dy arinj të vegjël.

Rumänien | Arpad Kerekes - geschädigter Bauer in Ojdula

Apad Kerekes

Fshati që zuri titujt e mediave

59 vjeçari Kerekes ka ardhur nga një qytet i vogël, ku edhe ka kaluar natën. Tani ai dridhet nga zemërimi e dëshpërimi. „Nesër pastaj arinjtë na vrasin ne dhe fëmijët tanë", thërret ai me zermërim. „Askush nuk bën gjë."

Ojdula, një qytezë me 3.000 banorë ndodhet në Transilvaninë lindore, aty jeton edhe pakica hungareze. Ky fshat në Karpatet rumune në pranverë zuri vend në mediat e botës, sepse princi Emanuel von und zu Liechtenstein vrau një ari, megjithëse këto kafshë në Rumani janë shpallur kafshë të mbrojtura dhe gjuetia me arinjtë ndalohet rreptësisht. Për këtë duhen leje të posaçme, e vetëm nëse bëhet fjalë për kafshë agresive, që sulmojnë njerëzit apo pronën private.

Vrasje ilegalisht e ariut?

Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit e bënë publike vrasjen e ariut në Ojdula dhe ngritën akuza të rënda: Në vend të një ariu femër që shkakton probleme tek banorët, princi vrau një ari mashkull, larg fshatit, thjesht për ta pasur si trofe. Funksionarë të korruptuar të gjuetisë e mundësuan këtë gjueti ndaj ariut më të madh në Europë, me emrin Artur.

Ky rast ndezi një debat të madh në Rumani që vazhdon ende sot. Nga njëra anë bëhet fjalë për problemin akut të shkaktuar nga arinjtë, të cilët në rajonet e Karpateve po hyjnë gjithnjë e më shpesh në zonat e banuara. Jo rrallë arinjtë sulmojnë edhe njerëzit duke i lënduar rëndë. Edhe tre raste vdekjeje janë shënuar këtë vit në Rumani.

Rumänien | Bärenplage in Ojdula - Bürgermeister Agoston Penzes

Problemi me arinjtë preokupon edhe kryetarin e bashkisë së Ojdulas, Agotons Penzes

Vendi i përçarë

Por në këtë debat përzihen edhe probleme të tjera. Krahas mbrojtjes së mjedisit dhe korrupsionit shtetëror, bëhet fjalë për burimet natyrore si pyjet, zgjerimin e pamasë të mbajtjes së deleve, turizimin e parregulluar në rajonet e Karpateve apo për marrëdhëniet e rajonit me shtetin qendror. Po ashtu flitet edhe për shitjen me gjasë të vendit tek të huaj të pasur, për marrëdhënien me BE, dinjitetin kombëtar dhe identitetin. Shkurt, ariu i vrarë me emrin Artur ka lënë pas një vend të përçarë thellë.

"Problemi më i madh i Rumanisë duket një gjitar katërkëmbësh me gëzof”, shkruan publicisti, Arpad Kulcsar në portalin Transindex, "një problem që ky vend me sa duket nuk paska asnjë mënyrë për ta zgjidhur.” Kurse gazetarja Magda Gradinaru shkruan në portalin Spotmedia, se "gjysma e vendit është në anën e ariut, pjesa tjetër në anën e nejrëzve. Mirëkuptim mes dy fronteve nuk ka.”

Rumänien | Bärenplage in Ojdula

Arinjtë hanë kafshët, dëmtojnë pronat e sulmojnë edhe njerëzit

Ndalimi i gjuetisë së arinjve

Rumania ka numrin më të madh të arinjve të murrmë në Europë, përveç Rusisë. Ministria e Mjedisit bën fjalë për 6000 deri në 7000 arinj, shumica në qarqet e Transilvanisë, Mures, Hargita dhe Covasnas. Nuk dihet nëse shifrat janë të sakta, sepse nuk ka një numërim të bazuar shkencërisht.

Gjuetia e ariut ka qenë që në kohën e diktatorit Çaushesku një privilegj i elitës sunduese. Pas anëtarësimit të Rumanisë në BE ajo u kufizua së tepërmi për shkak të rregullave që duhet të respektoheshin para anëtarësimit në BE dhe në fund të vitit 2016 u ndalua plotësisht. Arsyeja: Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit kishin akuzuar shoqatat e gjuetisë, se japin sistematikisht shifra të larta të popullatës së arinjve, që të arrijnë kuotat e tyre të gjuetisë. Ministria e Mjedisit reagoi me ndalimin e gjuetisë. Që atëherë shoqatat e gjuetisë, por edhe mjaft politikanë nga zonat, ku ka shumë arinj bëjnë përgjegjës rritjen e numrit të arinjve për sulmet ndaj zonave të banuara.

"Të mbrohen të prekurit"

Ndërkohë situata është në disa qarqe kaq serioze, saqë qeveria në korrik lëshoi një urdhëresë emergjence, që të mundësojë evakuimin e shpejtë të arinjve në afërsi të zonave të banuara apo edhe vrasjen e tyre. Në rastet problematike vendimet i merr në komision lokal në komunat e prekura dhe jo më Ministria e Mjedisit. Ndërkohë ekziston ende rregullorja që arinjtë mund të qëllohen vetëm nga personel i specializuar. 

Ministri i Mjedisit, Barna Tanczos thotë se „problemi me arinjtë në Rumani është pasojë e një papërgjegjshmërie disa vjeçare. ”Sulmet me arinjtë janë kthyer në problem që nga tërheqja e Ministrisë së Mjedisit nga rregullimi i popullimit të arinjve”, thotë ministri dhe hedh poshtë akuzat e aktivistëve të mjedisit, se është lobiist i shoqatave të gjuetisë. "Shumica e njerëzve nuk e njohin vërtet problemin me arinjtë në zonat e Karpateve, ata janë për arsye emocionale në anën e arinjve dhe mbrojtësve të mjedisit. "Por njerëzit e prekur dhe këto zona duhen mbrojtur.”

Csaba Borboly, kryetari Këshillit të Qarkut Harghita është i mendimit që fermerët, gjuetarët, mbrojtësit e mjedisit të zhvillojnë një koncept të përbashkët, që pikërëndesë ka parandalimin dhe vrasjen e ariut si mjet të fundit. "Ne duhet të arrijmë që të mos vijnë më arinj nëpër stalla apo madje të hapin edhe frigoriferin." Borboly thotë se duhet të vendoser rregulli, se tek ne në pyll, gjithsekush bën atë që do, pasi mungon një rregullim i përgjithshëm."

Por në Ojdula nuk është Borboly, por ministri i Mjedisit që gëzon simpatinë e njerëzve. Gati çdo banor aty mund të të rrëfejë për pikëpjekje të rrezikshme me ariun. Kryetari i bashkisë, Agoston Penzes pyet me shqetësim, se pse vetëm Rumania duhet të ketë një popullim kaq të madh arinjsh. „Me dëshirë ne do u dhuronim vendeve të tjera arinj nga Rumani, po askush nuk i do", buzëqesh ai me ironi.

Kurse Arpad Kerekes është gjithë ditën i zënë me mbledhjen e kadavrave të shpendëve të vrarë. Pyetjes, nëse do të japë dëmshpërbim ndonjë insitucion ai i përgjigjet me sarkazëm. "Një shuplakë fytyrës mund të marrësh, më shumë jo, kështu është këtu në Rumani.”