1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanishtja me detyrim

Aksel Barckhausen26 Qershor 2006

Që prej gati një viti e gjysmë në shkollën Herber-Hoover në Berlin flitet vetëm gjermanisht nëpër klasa, në pushime, në oborr dhe në ekskursione. Presidenti i Bundestagut i jep shkollës çmimin kombëtar.

https://p.dw.com/p/Ar0G
Ora e gjermanishtes
Ora e gjermanishtesFotografi: dpa

Gjermanishte me detyrim! Ideja që qëndron mbas këtij rregulli është nxitja e integrimit përmes gjuhës. Kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër është se përmes këtij rregulli diskriminohen ata nxënës që duan të këmbejnë disa fjalë në gjuhën e nënës, si për shembull turqisht. Jo të gjithë nxënësit e përshëndesin këtë rregullore, ndërsa presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert, dëshiron t’i nderojë ata të martën me Çmimin Kombëtar.

370 nxënës, dhjetë gjuhë, korridori i shkollës 120-vjeçare gumëzhin. Vetëm dhjetë përqind, pra më pak se 40 nxënës, e kanë gjermanishten gjuhë amtare, të tjerët e mësojnë ose përmirësojnë në gjashtë orë mësim në javë. Një rregullore e vendosur nga trupi mësimdhënës, prindërit dhe përfaqësuesit e nxënësve, parasheh që edhe në pushim të flitet gjermanisht.

"Qëllimi ynë është në radhë të parë që nxënësit, 90 përqind e të cilëve rrjedhin nga familje migrantësh të mësojnë më mirë gjermanisht. Kjo është e rëndësishme, sepse në përfundim të shkollës ata duan të fillojnë punë dhe për këtë u nevojiten njohuri të mira të gjuhës. Së dyti, ne kemi këtu të paktën dhjetë gjuhë të ndryshme dhe asnjëri nga nxënësit nuk ka pse të ndjehet i përjashtuar kur të tjerët flasin në gjuhën e tyre," – sqaron drejtoresha Jutta Shtajnkamp.

Nxënësit vetë janë të dyzuar: "S'më pëlqen fare që duhet të flasim gjermanisht edhe në oborr," – ankohet një nxënës me prejardhje turke.

"Që të flasim gjermanisht në shkollë, kjo është normale, sepse shkollën e bëjmë në gjermanisht, por në pushim, nuk më duket në rregull që duhet të flasim gjermanisht," – shton shoku i vet.

Ndoshta mësuesit do të preferonin të kuptonin se ç’thuhet për ta dhe sigurisht që askush nuk mund ta kontrollojë, se a flitet vërtet vetëm gjermanisht në oborr. Kush nuk bindet, duhet të kopjojë paragrafin.

Përfaqësuei i nxënësve, Assad, është dakord me rregulloren dhe e zbaton atë. "Kjo është mirë sepse kështu përmirësojmë gjermanishten. Asnjë nga ne nuk di mirë gjermanisht. Edhe prindërit e mi dhe të nxënësve të tjerë janë dakord me këtë. Ata janë të mendimit se kjo është shumë më mirë për fëmijët."

Politikanët e gjelbër nuk pajtohen me këtë rregull. Senatori i arsimit dhe grupi parlamentar i socialdemokratëve të Berlinit, në të kundërt janë të kënaqur, po ashtu edhe drejtoresha Juta Shtajnkamp. "Shkolla jonë ka më shumë regjistrime që kur ka ndryshuar rregullorja," - konstaton ajo.

Nami i shkollës ka arritur deri në Bundestag, ku vetë presidenti Norbert Lammert do të dorëzojë dekoratën e çmimit kombëtar, duke i dhënë kështu më shumë kurajo shkollës të vazhdojë në rrugën që ka nisur.