1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania po ndjen pasojat ekonomike nga lufta e Iranit

7 Prill 2026

Lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar tronditjen deri tani më të madhe të furnizimit me naftë në mbarë botën. Dhe 90% e prodhuesve në Gjermani po e ndiejnë që tani këtë ndikim.

https://p.dw.com/p/5BkWg
Fotografi ilustruese, kurset e aksioneve
Nëse lufta në Iran përshkallëzohet ose zgjatet, çmimet më të larta të energjisë do ta pengonin më tej rimëkëmbjen ekonomike në GjermaniFotografi: Jochen Tack/IMAGO

Lufta e SHBA-së dhe e Izraelit kundërIranit po e tkurr ekonominë botërore. Kostot e energjisë po rriten ndjeshëm. Zinxhirët e furnizimit po copëzohen. Dhe nga faturat e energjisë tek ushqimet, konsumatorët po përballen me rritje çmimesh brenda vetëm një muaji.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se konflikti ka shkaktuar "ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut botëror të naftës", që është regjistruar ndonjëherë deri tani. Po ashtu bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po ndërpret furnizimin me plehra kimike, duke rritur çmimet me 30-40% që nga janari.

Shenjat e ngadalësimit të rritjes ekonomike kanë filluar të shfaqen në mbarë botën. Ndërprerjet e mëdha në furnizimet globale me naftë dhe gazin e lëngshëm natyror kanë rritur kostot, veçanërisht për vendet importuese të energjisë.

Gjermani, çmimet e karburantit po rriten
78% e bizneseve në Gjermani po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë. Fotografi: Christian Ohde/picture alliance

Gjermani: Alarm nga prodhuesit

Dhe në ekonomitë me prodhim madhor, si Gjermania, prodhuesit kanë vënë alarmin. Timo Wollmershäuser, ekonomist pranë Institutit IFO, thotë se "Pasiguritë më të mëdha lidhen me rrjedhën e ardhshme të konfliktit me Iranin. Nëse lufta përshkallëzohet ose zgjatet, çmimet më të larta të energjisë do ta pengonin më tej rimëkëmbjen në Gjermani, zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten dhe tregjet financiare mund të përballen me turbulenca edhe më të mëdha.

Timo Wollmershäuser, ekonomist pranë Institutit IFO, duke folur
Timo Wollmershäuser, ekonomist pranë Institutit IFO: "Pasiguritë më të mëdha lidhen me rrjedhën e ardhshme të konfliktit me Iranin."Fotografi: Hannes P Albert/dpa/picture-alliance

Një anketë e kohëve të fundit nga Instituti për Kërkime Ekonomike i Mynihut u drejtoi prodhuesve gjermanë pyetjen: A jeni të shqetësuar për luftën e Iranit? Përgjigja ishte pothuajse unanime: 90% të prodhuesve po përgatiten për ndikimin e kësaj lufte. Sepse ata po e ndiejnë që tani këtë ndikim.

78% e bizneseve të pyetura thanë se po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë. 36% po përballen me rrugë transporti të bllokuara dhe mungesa të lëndëve të para. Dhe 24% presin rënie të kërkesës për eksport.

Jo vetëm zinxhirët e furnizimit

Nën presion nuk janë vetëm zinxhirët e furnizimit, por i gjithë sistemi financiar që lidhet me prodhimin. Institutet kryesore ekonomike të Gjermanisë i ulën pritjet e tyre për parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2026në 0.6%, më pak se gjysma e parashikimit të vitit të kaluar.

Inflacioni arriti në 2.7% në mars, niveli më i lartë në dy vjet. Dhe Banka Qendrore e Gjermanisë paralajmëron se përqindja mund të rritet edhe më tej.

Pamje nga indeksi DAX
Në vitin 2026 inflacioni në vendet e G20-ës mund të arrijë në 4%.Fotografi: Boris Roessler/dpa/picture alliance

Inflacioni dhe rreziqet financiare

Kompanitë janë gjithashtu të shqetësuara për rreziqet financiare, primet më të larta për sigurimet dhe kostot e paqëndrueshme të transportit të mallrave. Ekspertët e ekonomisë ende presin një rritje prej afër 3% këtë vit në shkallë botërore, por inflacioni në vendet e G20-ës mund të arrijë në 4%. Pra edhe pse konflikti është i kufizuar gjeografikisht, pasojat ekonomike ndihen në mbarë botën.

 

DW