1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përballë terrorit

Pandeli Pani16 Mars 2006

Sipas organeve të sigurisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane në Gjermani është rritur rreziku abstrakt i goditjeve terroriste prej radhëve të ekstremistëve islamikë.

https://p.dw.com/p/Arqt
Monumenti për viktimat e terrorit në stacionin e trenit në Atocha, Madrid
Monumenti për viktimat e terrorit në stacionin e trenit në Atocha, MadridFotografi: picture-alliance/dpa

Pak kohë pasi Bundestagu gjerman vendosi dërgimin e avionëve zbulues tornado në Afganistan, ekstremistët islamikë kërcënuan përmes një videoje me goditje terroriste në Gjermani dhe në Austri në rast se këto vende nuk do të tërhiqnin së shpejti trupat nga Afganistani. Frika se në Gjermani mund të ndodhin ngjarje të krahasueshme me ato të Londrës apo të Madridit është në qendër të shtypit të sotëm gjerman. Gjithësesi tenori i përbashkët i gazetave gjermane është që duhet shtuar vigjilenca, por nuk duhet rënë në panik:

"Ostsee-Zeitung" (Rostok) shkruan:

"Paralajmërimet për shtimin e rrezikut prej akteve terroriste në Gjermani duhen marrë seriozisht. Videoja kërcënuese me kafkat e ushtarëve gjermanë në Hindukush që kanë hedhur së fundi në internet Al Kaida dhe miqtë e saj, i përforcojnë këto vlerësime të organeve të sigurisë në vend. Muajt e fundit ka pasur dëshmi të ndryshme për rreziqet në rritje. Edhe pse skena islamike e kërcënimeve përmes internetit është virtuale, ajo përmban rreziqe reale. Ka kohë që ekspertët e terrorizimit tërheqin vëmendjen për të ashtuquajturin "dark net" - rrjetin e errët në të cilin veprojë, komunikojnë dhe rekrutojnë terroristë të rinj, grupet dhe celulat e shpërndara të internacionales terroriste. Lufta e shenjtë, xhihadi, që zhvillohet përmes internetit po merr tani pas deklaratave të Sheikut Muhamed, një prej kokave të Al Kaidës, edhe pamje reale. Lista horror e atentateve dhe veprave teroriste të planifikuara dhe të ndërmarra që nga 9 shtatori deri tek ato ndaj Papës apo Kanalit të Panamasë, flasin për një strategji të qëllimshme dhe të frikshme. Për këtë për një periudhë kohe nuk do të ketë sinjal për ndërprerjen e alarmit, por edhe nuk duhet të biem në panik."

"Frankfurter Rundschau" thekson se edhe pse tani Gjermania është më tepër në qendër të vëmendjes së grupeve terroriste, ajo nuk duhet të tërhiqet një herë e përgjithmonë prej krizave të kësaj bote.

"RFGJ nuk është më e mbrojtur dhe e imunizuar prej sulmeve të mundshme terrorite. Asnjë vend i zhvilluar i botës nuk mund të jetë i sigurt se nuk do të përfshihet ndonjëherë, në një mënyrë a një tjetër, në shënjestrën e kriminelëve politikë. Prania e Bundeswehrit në rajonet e krizave në botë, ka bërë që Gjermania të vihet më tepër në qendër të vëmendjes së grupeve të terrorit nga këto zona. Por kjo nuk përbën shkak, që të tërhiqemi një herë e përgjithmonë prej krizave të kësaj bote. Mbledhja kruspull nuk është garanci për siguri. Berlini do të bënte mirë që kur dërgon ushtarë në botën e jashtme, të bëjë të qarta edhe kostot e këtij angazhimi dhe përgjegjësie më të madhe gjeopolitike dhe jo të flasë për ndihmësa për zhvillimin të veshur me uniformë. Sa i madh është rreziku prej terrorit? Ky rrezik është i madh, por jo që prej ditës së djeshme.

Edhe gazeta "Main-Echo" që botohet në Aschaffenburg, është e mendimit, se megjithë paralajmërimet e organeve të sigurisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme për shtimin e rrezikut të goditjeve terroriste prej radhëve të ekstremistëve islamikë në Gjermani, shkak për panik nuk ka pse të ketë, sepse:

"Kërcënimet janë të paqarta dhe të vagullta. Deklarata përmes një videoje se do të ndërmerren sulme terroriste, është shumë më e thjeshtë se sa ta planifikosh, ta përgatitësh dhe ta zbatosh atë konkretisht në praktikë. Falë ligjeve për mbrotjen ndaj terrorit organet e sigurisë kanë në dorë të gjitha mjetet e mundshme dhe mundësitë për t'u rënë pas informacioneve, për të survejuar të dyshimtët dhe për t'u prerë rrugën goditjeve. Këto të gjitha dëshmojnë se RFGJ është e ndërgjegjshme për rrezikun, por ajo nuk është as e papërgatitur dhe as pa mbrojtje."