1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania me projektligj te ri migrimi - piketat kryesore

Anila Shuka, Berlin17 Qershor 2004

Mbas një debati trevjeçar qeveria dhe opozita në Gjermani ranë më në fund dakord për një ligj të ri të migracionit

https://p.dw.com/p/Ar6N
"Negociatat kane perfunduar" - Bekshtajn (CSU), Shili (SPD), Myller (CDU) - mbas takimit te tyre te fundit te enjten ne Berlin
"Negociatat kane perfunduar" - Bekshtajn (CSU), Shili (SPD), Myller (CDU) - mbas takimit te tyre te fundit te enjten ne BerlinFotografi: AP

Cilat janë pikat kryesore të ligjit të migracionit, që do të zëvendësojë ligjin e të huajve?

1. Ndërsa deri tani ka pasur një numër të madh lejesh qendrimi, si Aufenthalsberechtigung, -erlaubnis, -bewilligung, - befugnis, në varësi nga shkaku qendrimit në Gjermani, për shembull, rezidencë disa vjeçare, vizitë, studim ose strehim si refugjat, në perputhje me Konventën e Gjenevës, tani do të ketë vetëm dy: Lejen e kufizuar të qendrimit (begrenzte Aufenthalsterleubnis) dhe Lejen e rezidencës së pakufizuar (unbefristete Niederlassungserlaubnis).

2. Migrimi për punë: Sipas projektligjit të ri, migrimi do të përcaktohet nga nevojat e tregut të punës. E drejta e punës do të jepet së bashku me lejen e qendrimit. Personave me kualifikim të lartë do t'u jepet mundësia të marrin leje të përhershme qendrimi. Kush përfundon studimet e larta në Gjermani do të ketë mundësi të fillojë nga puna. Të drejtë vize të përhershme në Gjermani do të marrin edhe sipërmarrës, në qoftë se këta bëjnë që të përmirësohet situata ekonomike në vend.

Nuk do të ketë migracion me konkurs

Ndërsa në projektligjin e mëparshëm të migracionit ishte përcaktuar një sitem pikësh për të klasifikuar personat e afttë për migrim pune, ky sistem është hequr përfundimisht nga projektligji i ri.

3. Në aspektin humanitar:

"Përndjekja specifike gjinore" dhe "Përndjekja e organizatave jo-shtetërore" do të konsiderohen këtej e tutje si shkak për dhënien e statusit të refugjatit në bazë të Konventës së Gjenevës për Refugjatë.

Persona, që e kanë fituar statusin e refugjatit (Aufenthalsbefugnis) do të marrin në bazë të projektligjit të ri "Lejen e qendrimi të kufizuar" (befristete Aufenthaltserlaubnis).

Duldung - pra tolerimi i qendrimit - që u jepej deri tani azilkërkuesve të rrefuzuar, ose ilegalëve nuk do të jepet për një kohë më të gjatë se 18 muaj. Për raste problematike është parashikuar të ngrihet një "Komision i Rasteve të Jashtëzakonshme".

3. Në aspektin e integrimit:

Shpenzimet për kurset e integrimit do të mbulohen nga federata, pra jo nga landet. Çdo migrant i ri ka të drejtë të kërkojë të marrë pjesë në kurse integrimi. Kush nuk e pranon këtë ofertë, rrezikon të humbasë të drejtën e qendrimit ose t'i zvogëlohet ndihma që merr nga shteti.

4. Të huaj me prejardhje gjermane si dhe antarët e familjes që duan të vijnë së bahku me ta në Gjermani, duhet të dëshmojnë që kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane.

5. Siguria e brendshme:

Në qoftë se parashikohet që një i huaj do te paraqesë rrezik për sigurinë, ai mund të dëbohet nga vendi. Këtë e vendosin ministrat e landeve. Ministri federal ka të drejtë të ndërhyjë.

Gjithashtu mund të dëbohen me detyrim edhe "zjarrvënësit ideorë", si për shembull predikuesit e urrejtjes nëpër xhami.

Dëbohen edhe trafikantët e klandestinëve, në qoftë se janë dënuar me burgim pa kusht.

Përpara se dikujt t'i jepet e drejta e përhershme e qendrimit, do të merret informacion nga Enti për Mbrojtjesn Kushtetuese.