Gjermani: Shtim rekord i rasteve të pastrimit të parave | Gjermania | DW | 19.08.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjermani: Shtim rekord i rasteve të pastrimit të parave

Pse në Gjermani u shënua një rritje rekord prej gati 50% i rasteve të pastrimit të parave dhe i transaksioneve të dyshimta.

Zyra Federale kundër Pastrimit të Parave në Gjermani (FIU) ka marrë gjatë vitit të kaluar 114.914 njoftime për dyshime për pastrim parash dhe për financimin e organizatave terroriste. Kjo përbën një rekord dhe një rritje prej gati 50% krahasuar me një vit më parë. Sipas njoftimeve të gazetës "Tagesspiegel" në Berlin pjesa më e madhe e njoftimeve vjen nga bankat gjermane dhe institucionet e tjera financiare, si dhe nga noterë, agjentë pasurish të patundshme dhe pronarë sallonesh lojërash dhe bastesh.

Drejtori i Zyrës Federale kundër Pastrimit të Parave, Christof Schulte, tha për "Tagesspiegel" se njoftimet lidheshin me 355,000 transaksione të dyshimta. "Problem për ne është se ndjekja penale e pastrimit të parave në Gjermani nuk ka traditë," tha drejtori i FIU-t për "Tagesspiegel".

Tejet i prekur tregu i pasurive të patundshme

Në raportin e vjetor të FIU-t thuhet se me 77,000 raste sektori më i prekur prej pastrimit të parave dhe i marrëveshjeve të dyshimta të biznesit është në Gjermani tregu i pasurive të patundshme.

Sipas njoftimeve të FIU-t, 15-30% e të gjithë të ardhurave nga aktivitetet kriminale investohen në pasuri të paluajtshme përmes ndërtimit dhe rinovimit të banesave, blerjes, shitjes dhe dhënies me qira.

"2020 edhe më shumë"

Drejtori i Zyrës Federale kundër Pastrimit të Parave, Christof Schulte, tha po ashtu se gjatë vitit 2020 ka dhe do të ketë dukshëm më shumë njoftime për transaksione të dyshimta sesa vitin e kaluar. FIU po përpiqet të shtojë numrin e punonjësve për t'ju përgjigjur rregullave të reja të aprovuara vitin e kaluar nga Bundestag kundër pastrimit të parave.

Parlamenti gjerman ndërmori në nëntor të vitit të kaluar një seri masash kundër pastrimit të parave në përpjekje për ta zgjidhur problemin dhe për t'u përshtatur me direktivat e BE-së. Ndër ndryshimet e bëra në ligj ishte vendosja e rregullave më të rrepta që i detyrojnë agjentët e pasurive të patundshme, noterët, tregtarët e metaleve të çmuar dhe qendrat  e ankandeve të denoncojnë, nëse kanë dyshime për transaksione jo të pastra.