1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Rritja ekonomike parashikohet vetëm 2,7 përqind.

13 Prill 2022

Lufta në Ukrainë po ndikon rritjen e ekonomisë gjermane. Po të ndërpresë Gjermania furnizimin me gaz nga Rusia pritet madje një tkurrje ekonomike.

https://p.dw.com/p/49sdp
Porti i Hamburgut
Fotografi: Rupert Oberhäuser/picture alliance

Sipas instituteve kryesore ekonomike të Gjermanisë, këtë vit pritet që Produkti i Brendshëm Bruto i Gjermanisë të rritet me vetëm 2.7 për qind. Kjo bëhet e ditur në parashikimin e pranverës të hartuar për qeverinë federale. Raporti i vjeshtës parashikonte një rritje prej 4.8 për qind.

"Rimëkëmbja nga kriza e koronas është frenuar për shkak të luftës në Ukrainë, por ende mbizotëron," tha Stefan Kooths, Zëvendëspresident dhe Shef i Konjukturës Ekonomike në Institutin e Kielit për Ekonominë Botërore (IfW). Nga ana tjetër, parashikimet për vitin 2023 u korrigjuan në drejtim të rritjes, nga 1.9 në 3.1%.

Ndalimi i furnizimeve me gaz mund të përkeqësojë situatën

Megjithatë, në rast të një ndalimi të menjëhershëm të furnizimit me gaz rus, tabloja ekonomike është shumë më e zymtë. Në një rast të tillë, ekonomia pritet të rritet me vetëm 1.9 për qind këtë vit dhe madje të tkurret me 2.2 për qind në vitin 2023. "Nëse furnizimet me gaz ndalojnë, ekonomia gjermane rrezikon të përjetojë një recesion të thellë”, paralajmëron Kooths. "Për sa i përket politikës ekonomike, ajo do të kishte të bënte me mbështetjen e strukturave të prodhimit të tregtueshëm pa ndalur ndryshimet strukturore," tha Kooths.

Qender tregtare ne Berlin
Fotografi: Stefan Zeitz/Xinhua/picture alliance

Ndihma për ekonomitë private për të zbutur çmimet e larta të energjisë duhet të jepet në një mënyrë shumë të përqendruar. "Nëse një ndihmë e tillë jepet në front të gjerë, do të thellohet inflacioni dhe do të minohet efekti i rregullimit të çmimeve të energjisë”, paralajmëroi ekonomisti. Kjo, nga ana tjetër, do të përkeqësonte problemet e familjeve me të ardhura të ulëta.

Raporti i pranverës i instituteve shërben si bazë për qeverinë federale për parashikimet e veta. Në fund të marsit, të ashtuquajturit "Të mençurit e ekonomisëw" e ulën në mënyrë drastike parashikimin e rritjes për vitin 2022, nga 4.6 për qind në vetëm 1.8 për qind, për shkak të luftës në Ukrainë.

aud (dpa, tg)