Gjermani: Gjykata Kushtetuese forcon të drejtat e azilantëve
25 Nëntor 2022Azilkërkuesve pa familje nuk mund t'u shkurtohet asistenca sociale me një normë fikse prej dhjetë për qind, vetëm sepse ata jetojnë në strehimore kolektive. Këtë vendim e mori të enjten, 24.11.2022, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë. Gjykatësit thanë se ndarja e dhomës me azilkërkues të tjerë, nuk çon domosdoshmërisht në kursimin e shpenzimeve. "Niveli i nevojave të veçanta" i prezantuar në 2019 është i papajtueshëm me "të drejtën themelore për të garantuar jetese dinjitoze".
Të prekur nga ky vendim i gjykatës janë të gjithë azilkërkuesit që jetojnë vetëm, pra, pa familje, nëpër strehimore refugjatësh, dhe që jetojnë në Gjermani prej së paku 18 muajsh. Këtej e tutje atyre do t'u rritet asistenca sociale me 10 për qind. Nëse më parë ata kanë bërë ankesë me shkrim, atëherë mund të llogarisin edhe me një rritje të asistencës sociale për muajt e mëparshëm, duke filluar nga shtatori i vitit 2019.
Çështjen e çoi në Gjykatën Kushtetuese Shoqata për të Drejtat e Lirisë (GFF). Për të kontrolluar rregulloren në Karlsruhe, ajo kishte hartuar një model që e përdori një gjyqtar në Gjykatën Sociale të Dyseldorfit. Atje, një burrë nga Sri Lanka kishte bërë kërkesë për rritje të asistencës sociale për disa muaj në vitet 2019 dhe 2020. Paditësi argumentoi se ai nuk kishte raport miqësor me azilkërkuesit e tjerë të dhomës dhe as nuk gatuante e as nuk kishte ekonomi të përbashkët me ta. Si rrjedhojë, bashkëbanimi nuk kishte asnjë efekt kursimi, thuhet në deklaratë e Gjykatës.
Pritet rritje e asistencës
Në vitin 2019, qeveria federale e përbërë nga CDU/CSU dhe SPD ishte e mendimit se azilkërkuesit që i ndajnë dhomat me të tjerët, mund të kursejnë, duke gatuar së bashku për shembull, ose duke përdorur së bashku kuzhinat e përbashkëta. Prandaj edhe qeveria vendosi t'ua shkurtonte atyre asistencën sociale me dhjetë përqind pro person, duke u dhënë atyre po aq ndihmë sociale, sa ç'u jepte personave që jetojnë në çift. Tani qeveria gjermane duhet të reagojë ndaj vendimit të Gjykatës dhe ta përshtasë asistencën sociale për këta persona, nga 330 euro në muaj, në 367 në muaj
Shoqata gjermane që angazhohet për të drejtat e refugjatëve e përshëndeti vendimin e Gjykatës kushtetuese:
"Ky rregull i Ligjit të Asistencës Sociale për Azilkërkuesit që u rrëzua sot nuk është i vetmi rregull në kundërvajtje me Kushtetutën. Ne jemi të mendimit se e gjithë kjo rregullore e posaçme diskriminuese duhet të rrëzohet!”, deklaroi organizata në një mesazh në Twitter.