Gjeorgjia - Një vend që lufton për të ardhmen e vet | Evropa | DW | 06.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjeorgjia - Një vend që lufton për të ardhmen e vet

Gjeorgjia me kulturë të vjetër, me një vetëdije të theksuar europiane e me një të ardhme të pasigurtë. Në Panairin e Librit në Frankfurt ky vend është sivjet i ftuari i nderit. Krsto Lazarevic e ka vizituar Gjeorgjinë.

Deutschland Frankfurt Buchmesse (picture-alliance/dpa/W. Minich)

Gjeorgjia - vendi i ftuar për vitin 2018 në Panairin e Frankfurtit

Gjeorgjia ndodhet mes Kaukazit të madh dhe të vogël, por ajo nuk dallon shumë prej Ballkanit. Një vend i vogël në periferi të Europës, që për shkak të maleve dhe rrugëve të këqia duket shumë i madh. Edhe këtu njerëzit janë mikpritës dhe të detyrojnë të hash derisa të jesh fryrë dhe ta mbushin gotën me raki të bërë vet pa të pyetur fare. Dallimet me Ballkanin janë fare të vogla. Malet në Gjeorgji janë disi më të lartë, vera është më e mirë dhe hiperbolizimi pak më i madh.

Gjeorgjanët habiten, nëse i pyet se a e shohin veten si pjesë të Europës. Ata rrudhin fytyrën, sikur t'i kishe pyetur nëse i lani duart kur dilni nga WC-ja - "Po, natyrisht. E ç'mund të ishim tjetër, veçse europianë", është përgjigja.

Për të shmangur çdo dyshim në çdo godinë shtetërore valëvitet një flamur europian. Por për fat të keq, BE-ja nuk e do Gjeorgjinë, sepse pjesë të këtij vendi janë të pushtuara nga Rusia. Gjeorgjianë mund të valëvisin edhe shumë flamuj të tjerë ne sfondin blu e yjet me pesë cepa - e kjo mund të mjaftojë vetëm për Eurovision Song Contest, por jo për BE-në.

Restaurante për vegjetarinë dhe mish i prishur

Nuk është mjaft origjinale ta përshkruash një vend si kontradiktor, por nuk ka fjalë më të mirë se kjo për kryeqytetin Tbilisi. Sapo largohesh nga një restaurant për vegjetarianë në qendër të qytetit vetëm pak sekonda më tutje gjendesh para një tregtari, i cili ofron për shitje kokë derri dhe derrkuca. Derrkucat ndodhen në pik të diellit. Shishet me akull që janë vendosur në barkun e tyre, nuk ndihmojnë për t'i shpëtuar ato prej prishjes dhe kutërbimit të erës.

Tre stacione metroje më larg, ndodhet një fabrikë e vjetër tekstilesh, që është kthyer në një parajsë të ekstravancës. Këtu ndodhen turistët me çanta shpine, artistët dhe sipërmarrësit e rinj, që të patrazuar shijojnë hapur hashashin. Ka disa muaj që në Gjeorgji është hequr dënimi për përdorimin e hashashit, por për një pilulë Ecstasy vazhdon të ketë dënime deri në tetë muaj heqje lirie.

As një minutë larg mureve të spërkatura me grafiti në fabrikën e vjetër qendrojnë ekstremistët e djathtë në stacionin e metrosë dhe mbledhin nënshkrime.

"Përse i mblidhni nënshkrimet?"

"Myslimanët janë një rrezik dhe ne nuk duam t'i kemi ata në vendin tonë."

"Por në Gjeorgji ka shumë myslimanë?"

"Po, prandaj ata duhet të largohen."

"Ata jetojnë prej shekujsh këtu, ku doni t'i çoni ata?"

"As që duam t'ia dimë, e rëndësishme është që të largohen."

Pavarësisht këtij argumentimi të cekët burrat në hyrje të stacionit të metrosë kanë mbledhur shumë nënshkrime.

Pushteti i kishës

Unë nuk kam takuar shumë myslimanë në Gjeorgji, por kam takuar edhe shumë priftërinj ortodoksë. Ata gëzojnë reputacion dhe shumë privilegje. Ata nuk paguajnë taksa, vlerësohen si idhull dhe me sa duket lejohen që të jenë të parët në çdo radhë nëpër supermarkete. Në Gjeorgji religjoni duket se ka plotësuar një vakuum, pasi ideja e komunizmit është hedhur në koshin e plehërave. Kritika ndaj Patriarkut Ilia i II konsiderohet si blasfemi.

Revolta - Tekno

Ka edhe një Gjeorgji, që i trazon etërit shpirtërorë. Në sheshin e vallëzimit të klubit Bassiani puthen Drag-Queens. Njëri prej tyre më thotë: "Kjo është liria për një natë, atje jashtë është vendi i armikut." Sepse jashtë është e zakonshme, që njerëzit, të cilët jetojnë hapur si homoseksualë i rrahin. Ata rrihen madje edhe prej priftërinjve dhe policëve, të cilët nuk ndëshkohen për këtë.

Nga Bassiani në maj nisi një revolucion i vogël. Zëri i revoltës është tekno. Repartet e fabrikave të vjetra dhe arkitektura e rrënuar sovjetike janë mjedisi perfekt për muzikën e fortë elektronike. Pasi qindra policë me helmeta e automatikë në mes të natës mësynë në klubin Bassiani dhe në Cafe Gallery, të nesërmen u mblodhën mijëra vetë para parlamentit për një rave (kërcim me muzikë elektronike), për të demonstruar kundër kontrollit të policisë.

Ndodhi ajo që askush nuk e priste. Kryeministri dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen dhe u zëvendësuan me koka të tjera nga e njëjta parti. Këtë e vendosi oligarku i plotfuqishëm Bidsina Ivanishvili. Revolta tekno pati sukses, sepse demonstruesit kërkuan diçka me të cilën do të ishte dakord çdo oligark  - lirinë e Perëndimit dhe një vend, që të afrohet më shumë me Europën.

Çfarë do të thotë "Europa"?

Nuk bëhej fjalë vetëm për një kontroll ndaj dy klubeve, por kjo ishte një luftë kulturash mes progresives dhe reaksionares - dhe kësaj radhë fituan progresivët. Gjeorgjianët duan në Europë, por çfarë do të thotë kjo? Për shumicën e europiano-perëndimorëve Europa ka të bëjë me vlerat liberale. Për pjesëmarrësit e revoltës tekno kjo nuk është gjë tjetër.

Për shumicën e gjeorgjianëve dhe shumë europiano-lindorë "Europa" do të thotë oksidenti kristian, mbrojtja prej Rusisë dhe paratë nga Brukseli. Por ata nuk e duan modernen liberale, në të cilën respektohen minoritetet, ata që mendojnë ndryshe dhe ata ku pranohen si të barabartë ata që dashurojnë ndryshe. Të paktën shumica e gjerogjianëve nuk e do këtë.

Por nuk ka asnjë arsye për të rënë në letargji. Gjeorgjia po ndryshon dhe lufta për një të ardhme më të mrië sapo ka nisur.

 

 

Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnjë -Hercegovinë dhe si fëmijë ka ardhur refugjat në Gjermani bashkë me familjen. Sot ai jeton në Berlin, punon si gazetar dhe publicist dhe shkruan për media të ndryshme në gjuhën gjermane.