Europa ende pa zgjidhje për kthimin e milicëve të IS-it | Evropa | DW | 08.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Europa ende pa zgjidhje për kthimin e milicëve të IS-it

Turqia kërkon të kthejë në vendet e origjinës përkrahësit e IS-it. Ky njoftim e gjen të papërgatitur mirë Europën që i mbylli sytë këto muaj para problemit. Si të veprohet me luftëtarët e IS-it dhe familjet e tyre?

Janë njerëz që nuk i do kush në Europë: Anëtarët e milicisë terroriste, "Shteti Islamik" mbahen të burgosur në burgjet apo kampet kurde në veriun e Sirisë, gjithnjë e më shumë edhe në burgjet turke. Zëdhënësi i presidentit turk, Erdogan, Fahrettin Altun u shpreh për "Stuttgarter Zeitung" së fundmi, se Turqia do të dëbojë 20 anëtarë të IS-it me pasaportë gjermane.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu shtoi, se në burgjet turke qëndrojnë 1.200 milicë të IS-it, shumë të tjerë mbahen në qendra dëbimi. Edhe ai theksoi, se Turqia do të kthejë në vendet e origjinës milicët e IS-it. Problemi nuk është i ri. Por qeveritë europiane deri më tani nuk kanë vepruar. Që nga fitorja ushtarake kundër IS-it në mars, burgjet e kampet kurde janë mbushur me ish-luftëtarë të IS-it, me gra dhe fëmijë. Sipas një studimi të Institutit Egmont në Bruksel, afër 500 burra e gra dhe 750 fëmijë vijnë nga vendet europiane.

Kërkesa drejtuar vendeve europiane për të pranuar qytetarët e tyre ka pasur gjithmonë nga kurdët, që vetëadministrojnë Sirinë veriore e që ndjehen të lënë vetëm me këtë problem. Edhe presidenti Trump i bëri thirrje vendeve europiane në shkurt që të marrin qytetarët e tyre.

Arratia nga burgjet kurde

Por deri më tani është bërë shumë pak. Problemi u bë më akut me ofensivën turke në Sirinë veriore. 750 të burgosur të IS-it, thuhet se e kanë përdorur atë për të dalë nga burgjet, mes tyre edhe katër gra gjermane. Vërtet ato u ndaluan sërish nga forcat turke të sigurisë, por tani është shumë më konkret rreziku pak a shumë abstrakt i një kthimi të pakontrolluar e të pa vënë re të përkrahësve të IS-it. Kjo vlen edhe për rrezikun e një atentati terrorist.

Anhörung der Geheimdienste (picture-alliance/dpa/M. Kappeler)

Bruno Kahl, president i BND-së flet për rrezikun terrorist

Presidenti i Shërbimit Informativ Gjerman, BND, Bruno Kahl u shpreh javën e kaluar në Bundestag, për një rritje të rrezikut terrorist në Gjermani, "nëse shifrat e daljes apo lirimit nga burgu do të rriten". Për shkak të luftimeve, Kahl arrin në përfundimin se "intensiteti dhe rigoroziteti", me të cilin kontrollohen burrat në burgje dhe gratë në kampe ka rënë.

Detyrimi për ripranim është në fuqi

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas reagoi fillimisht me kritikë pas deklaratave nga Turqia. Nuk ka pasur informacione konkrete për përkrahësit e IS-it në Ankara. "Duhet fillimisht të përcaktohet qartë ligjërisht që këtu bëhet fjalë për qytetarë gjermanë", tha Maas. Ai pranoi, se ekziston detyrimi për t'i pranuar qytetarët gjermanë. "Por ne duam të sigurojmë, që veçanërisht kur bëhet fjalë për luftëtarët e IS-it të kemi informacione të mjaftueshme, që t'i nxjerrim para drejtësisë që të përgjigjen për veprat e tyre", tha Maas.

Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, deklaroi kundrejt DW-së, se dëbimet nga Turqia në Gjermani duhet të kryhen në "një procedurë të rregulluar dhe ligjore". Këtu bën pjesë krahas verifikimit të të dhënave biometrike, edhe "interesi për marrje në pyetje në konsullatë për përcaktimin e penalizimit dhe rrezikshmërinë e mundshme të këtyre personave."

Außenminister Maas besucht Budapest (picture-alliance/dpa/MTI/Z. Mathe)

Heiko Maas

Autoritetet gjermane luajnë me kohën

Sipas autoriteteve gjermane, para ofensivës turke mbaheshin në burg rreth 80 milicë të IS-it me pasaportë gjermane, këtij numri i shtohen 100 fëmijë, për 28 burra ka ndërkohë një urdhërarrest. Por autoritetet nuk duke se e kanë pasur me nxitim kthimin e tyre. Ministria e Jashtme iu referua formaliteteve, duke thënë se nuk ka marrëdhënie diplomatike me administratën autonome kurde, prandaj nuk është i mundur trajtimi konsullor. Në verë katër fëmijë jetimë dhe një vajzë e sëmurë u pranuan në Gjermani, sepse një gjykatë vendosi të detyrojë qeverinë për këtë. Tani pritet me interes vendimi i Gjykatës së landit Berlin-Brandernburg, nëse qeveria është e detyruar të kthejë në mënyrë aktive qytetarët gjermanë nga ky rajon.

Kthimi një temë e nxehtë politike

Me temën e kthimit të përkrahësve të IS-it, politikanët nuk mund të fitojnë, ata vetëm se humbasin përkrahje. Prandaj aksione të tilla të kthimit janë shumë jopopullore. Dhë nëse një i kthyer i vetëm kryen një akt terrorist, reagimi do të ishte shumë i fortë. Prandaj edhe vende të tjera europiane janë shumë të rezervuara me ripranimin e qytetarëve të tyre. Italia ka pranuar si vendi i vetëm në BE pas fitores ndaj "Shtetit Islamik" një përkrahës të IS-it. Nga asnjë vend tjetër në Europë nuk kanë shkuar aq shumë vetë drejt IS-it sa nga Franca. Ky vend tregon më shumë kujdes për fëmijët. Më shumë se 100 prej tyre janë pranuar.

Në Holandë, ministri i Drejtësisë, Ferdinand Grapperhaus ka deklaruar në shtator, se Holanda e ka refuzuar ofertën e SHBA për të pranuar 10 gra me fëmijë, sepse kthimi i tyre do të rrezikonte drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Holandës dhe vendeve të tjera europiane, sipas Grapperhaus.

IS-Anhängerin Shamima Begum aus Großbritannien (Getty Images/L. Lean)

Shamima Begumit, Britania e Madhe i hoqi nënshtetësinë

Zgjidhja e fundit - Britania e Madhe

Ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Ben Wallace refuzoi në fillim të tetorit marrjen nga kampet kurde të qytetarëve britanikë. Xhihadistët që i kanë qëndruar deri në fund besnik IS-it janë veçanërisht të rrezikshëm, ka thënë ai. Britania e Madhe përdor rregullisht heqjen e nënshtetësisë, rasti më i njohur është ai i Shamima Begumit. Nëna e tre fëmijëve, njëri prej të cilëve ndërkohë ka ndërruar jetë në kushtet katastrofike në Sirinë veriore, ka të drejtë të mbajë nënshtetësinë e Bangladeshit. Vetëm kaq iu mjaftoi autoriteteve për t'ia hequr asaj nënshtetësinë britanike.

Edhe Gjermania do të ndahet nga qytetarët e padëshiruar. Nëse dikush ka marrë pjesë në veprime luftarake për organizata terroriste, atij mund t'i hiqet nënshtetësia gjermane, nëse zotëron një të dytë. Por ligji i miratuar në prill 2019 nuk ka efekt prapaveprues. Ndërkohë Kosova ka treguar se mund të veprohet ndryshe. Ky vend vendosi të kthejë 110 qytetarët që shkuan nga Kosova në Siri, shumica gra e fëmijë. Fatos Makolli, drejtor i njësisë së antiterrorit në Policinë e Kosovës deklaron për DW, se Kosova i ka hyrë një rreziku por "që është i kontrollueshëm. Ne i njohim këta njerëz. Kush ka kryer krime, atë do ta nxjerrim para drejtësisë. Dhe ne bëjmë më të mirën e mundshme për t'i riintegruar ata."

Fokus Kosovo IS-Rückkehrer (DW)

Një grua e kthyer nga Siria në Kosovë flet për DW