ETA heq dorë nga dhuna & Afganistani feja dhe drejtësia | Studimi në Gjermani | DW | 23.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

ETA heq dorë nga dhuna & Afganistani feja dhe drejtësia

Deklarata e organizatës separatiste baske, ETA, në Spanjë për t´i dhënë fund dhunës pas disa dekadave, gjen jehonë në shtypin e sotëm. Një temë tjetër e komentuar është një gjyq në Afganistan kundër një afgani të konvertuar në të krishterë, i cili rrezikohet nga dënimi me vdekje.

ETA deklaron armëpushimin

ETA deklaron armëpushimin

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Ndërsa zëdhënësja e të maskuarve i deklaroi "mesazhin e tyre popullit bask", nuk bëhej fjalë as për pendesë, as për pranim faji, dhe as nuk u tha ndonjë fjalë në nderim të disa qindra viktimave të dhunës. Fillimisht u bë fjalë për një "nismë për procesin demokratik", sikur në shtetin spanjoll nuk ekzistoka demokracia solide. (...) Por sidoqoftë pushimi i premtuar prej terrorit u jep shkas të gjithë spanjollëve për t´u lehtësuar. Ky është deri tani edhe suksesi më i madh i kryeministrit Zapatero, i cili e vendosi këtë si kusht për bisedimet. Ndonëse këto bisedime do të jenë plot kleçka dhe pas një statusi të ri autonomie për Katalonjën, mund të vihet në provë uniteti kombëtar i Spanjës", komenton "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

"Süddeutsche Zeitung" thekson:

"Asnjëherë nuk ka qenë kaq i afërt fundi i tragjedisë baske edhe pse qetësia e përhershme, ngjashëm si në Irlandën e Veriut, kërkon një impenjim të vazhdueshëm. Zapatero do ta shfrytëzojë këtë shans historik. Bisedimet me ETA-n bartin tension politik, por këto nuk janë aq të rrezikshme sa veturat bombë", vëren "Süddeutsche Zeitung".

Komentatori i "Westfalen Post" tërheq vëmendjen për të mos u entuziazmuar prej deklaratës së ETA-s:

"Ajo që deklaroi dje me aq pompozitet organiazata ilegale ETA, nuk është ndonjë gjë e re. Në historinë e saj terroristët mëse dhjetë herë kanë shpallur armëpushimin. Por ai s´ka pasur vlerë as sa copa e letrës, mbi të cilën shkruhej mesazhi shumëpremtues. Historia na mëson, që armët e ETA-s heshtin vetëm për pak kohë. Në fund të viteve 90-të ajo deklaroi dorëheqjën "e përhershme" nga dhuna. Kjo ndonëse çoi në bisedimet me qeverinë spanjolle, ato dështuan dhe terroristët sërish iu drejtuan dhunës. Pra s´ka arësye për t´u gëzuar. Ndaj të tilla ofertave të organizatës ilegale baske kërkohet sa më shumë maturi", shkruan "Westfalen Post".

Komentatorët i kushtojnë vëmendje një gjyqi që po zhvillohet në Afganistan kundër Abdul Rahamnit. Ky i fundit ka jetuar gjatë në Gjermani dhe është konvertuar në të krishterë. Ja se çfarë shkruan për këtë "Ostsee Zeitung":

"Le të imagjonojmë sikur rreth 100.000 gjermanët e konvertuar këtu në myslimanë t´i kërcënonte dënimi me vdekje. Kjo as që mund të çohet nëpër mend. Sepse ligji dhe ritet, shteti dhe feja në Gjermani janë të ndara në mënyrë strikte. Kjo është rjedhojë e iluminizmit dhe diskutimit të traditave të mbijetuara fetare. Por Afganistani është ndryshe. Atje islami i ka rrënjët thellë në popull dhe ai është ankoruar edhe në kushtetutën e re. Shahria, që myslimanët e konsiderojnë si drejtësia e Zotit, është burimi kryesor i së drejtës afgane. Kjo kërkon vdekjen në rast se i kthen shpinën islamit. Afganistani i bëri ballë barbarisë së talibanëve, që izolonte gratë dhe shpërthente në erë statujat e njohura të Budës në Bamian. Tani ky vend ndodhet në rrugën drejt modernizimit. Ndaj ai nuk duhet të kthehet tek e drejta arkaike", shkruan "Ostsee Zeitung".

Në gazetën "Die Tagespost" lexojmë:

"Mendimi, se Rahmani për shkak të konvertimit në të krishterë (...) duhet të llogarisë tani edhe me dënimin me vdekje, na jep shkas për t´u shqetësuar. Shtrohet pyetja, se çfarë vlere ka nënshkrimi i antarëve të qeverisë afgane në Konventën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, nëpërmjet së cilës ata kanë pranuar zyrtarisht të drejtën për lirinë e besimit. Qeveria gjermane s´ka rrugë tjetër veçse të kërkojë me insistim lirimin pakusht të Rahmanit, në rast se nuk dëshiron që Konventa e të Drejtave të njeriut të zhvleftësohet në një folklor politik. Ndërsa përfaqësuesve të kishës u del si detyrë të thonë hapur fjalën e tyre në adresë të shoqatave myslimane, siç është Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani. Ai që do të vlerësohet në të ardhmen një parner serioz dialogu me të krishterët, duhet të tregohet tolerant dhe të thyejë heshtjen ndaj barbarisë së procesit kundër Abdul Rahmanit. Jeta e tij ka më shumë vlerë se sa testimet për dhënien e nënshtetësisë, apo debatet për shaminë e kokës së vajzave mylsimane në Gjermani", vëren "Die Tageszeitung".

Dhe së fundi një citat nga komenti i "Handelsblatt":

"Nisur nga fakti që Shahria nuk është një përmbledhje ligjesh, por ajo varet nga intepretimi që i bëjnë asaj gjyqtarët dhe pleqësia, në këtë rast mund të vendoset pavarësisht nëse ne na pëlqen ose jo. Rasti i Rahmanit tregon, se sa problematik dhe se sa kohë kërkon eksportimi i demokracisë. Arritjet e demokracisë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të diktohen nga lart. Shoqëria afgane duhet t´i kuptojë dhe t´i dojë këto rregulla", shkruan "Handelsblatt".

  • Data 23.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqm
  • Data 23.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqm