Esch: Nevojiten mesazhe të qarta dhe të sinqerta për Ballkanin Perëndimor | Evropa | DW | 05.10.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani dhe BE

Esch: Nevojiten mesazhe të qarta dhe të sinqerta për Ballkanin Perëndimor

Intervistë me Valeska Esch, zëvendësdrejtore Institutit Apen në Berlin

Deutsche Welle: Në Brdo zhvillohet samiti Ballkan-BE dhe Thuhet se në deklaratën përfundimtare nuk flitet për anëtarësim në BE. Sa seriozisht duhet marrë perspektiva e anëtarësimit?

Valeska Esch: Nuk mund të them se çfarë do të përmbajë deklarata përfundimtare, por duket se, ashtu si në samitet e fundit BE-Ballkani Perëndimor, përmendet mbështetja për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nuk është risi që zgjerimi, në disa shtete anëtare të BE-së, është i diskutueshëm. Në të tjerat, mbështetja është akoma e madhe. Por shumë shtete dyshojnë se a ka vërtet vullnet për reforma dhe transformim në rajon. Sidomos te dy shtetet pararojë, Serbi dhe Mali i Zi, vihet re se ato kanë bërë hapa prapa sa u përket çështjeve të rëndësishme si demokracia dhe sundimi i ligjit. Kjo i ka shtuar dyshimet në disa shtete anëtare.

Kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në Podgoricë, 29.09.2021

Kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në Podgoricë, 29.09.2021

Disa studiues propozojnë alternativa, si për shembull bashkimin e tregut të Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE -së si një hap i parë drejt anëtarësimit të plotë. A është kjo një alternativë serioze?

Unë nuk e shoh idenë e bashkimit me tregun e BE-së si një alternativë kundrejt anëtarësimit të plotë në BE, por si një hap të ndërmjetëm në procesin e anëtarësimit. Ai synon t'i ofrojë Ballkanit Perëndimor një qëllim më të prekshëm që do t’i sillte përfitime ekonomike dhe do të krijonte më shumë besim nga ana e BE-së para anëtarësimit të plotë. Nuk e di nëse mund të funksionojë. Hyrja në tregun e përbashkët është një rrugë e gjatë, dhe kërkon standarde, sidomos fushën e sundimit të ligjit.

Çfarë do të sugjeronit ju?

Unë besoj se ne kemi nevojë për një proces integrimi edhe më të diferencuar, më gradual, së bashku me mesazhe të qarta dhe transparente se përse çfarë përparimi mund të bëhet dhe pse në disa raste jo. Sigurisht, aty nuk duhet të ketë vend as për konfliktet dypalëshe e as për politikat e brendshme të një vendi të caktuar.  

Dialogu Kosovë-Serbi gjithashtu nuk po shkon ashtu siç shpresohej, edhe pse SHBA-të sërish po bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me BE-në. Si e shpjegoni ju këtë?

Problemi i parë i BE-së është se, duke pasur brenda vetes pesë shtete mosnjohëse, ajo përpiqet të jetë neutrale ndaj statusit dhe se nuk mund të përkufizojë një synim të qartë për dialogun, përveç "normalizimit" të marrëdhënieve. Veç kësaj, dialogut i mungon një dinamikë e vërtetë dhe një perspektivë e prekshme dhe e besueshme për anëtarësimin në BE. Një tjetër arsye është se në të dy vendet mungon gatishmëria për kompromis. Nëse njohja është e panegociueshme për Prishtinën, atëherë duhet të ketë kompromise në fusha të tjera, siç është Asociacioni i Komunave Serbe apo trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe. Edhe Beogradi duhet të angazhohet në radhë të parë për një jetesë më të mire të serbëve në Kosovë dhe kjo sigurisht nuk është status-quo-ja.

Kohët e fundit, situata është përshkallëzuar për shkak të mosmarrëveshjes për targat. A e konsideroni realist rrezikun e një konflikti të ri midis Kosovës dhe Serbisë?

Unë besoj se përshkallëzimet si ato që kemi parë ditët e fundit mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhen nënvleftësuar.Tani është gjetur një kompromis i përkohshëm. Sidoqoftë, situata aktuale po shkakton dëme të mëdha, edhe sepse ato i thellojnë ndarjet etnike në Kosovë. Këtu duhet ndërhyrja aktive dhe intensive e BE-së, së bashku me SHBA-të,  të cilat të kërkojnë së bashku me palët në konflikt zgjidhje të qëndrueshme dhe, në të njëjtën kohë, të ngulin këmbë më me forcë se në të kaluarën për implementimin e marrëveshjeve.

Kancelarja gjermane në largim tha në Tiranë se "i rreh zemra për Ballkanin Perëndimor".  A do të jetë Procesi i Berlinit trashëgimia e Angela Merkelit në Ballkanin Perëndimor?

Përpjekjet e kancelares Merkel në Ballkanin Perëndimor filluan shumë kohë para Procesit të Berlinit. Për fat të keq rajoni nuk ka bërë ndonjë përparim të rëndësishëm politik. Për shembull, gjatë vizitës së saj në Beograd në 2011, Kancelarja Merkel e lidhi zgjidhjen e konfliktit të Kosovës me procesin e pranimit të Serbisë në BE. Megjithatë, që atëherë nuk ka pasur shumë përparim as në dialog, as në procesin e pranimit të Serbisë në BE. Si shumë nisma për Ballkanin Perëndimor, edhe Procesi i Berlinit vuan nga mungesa e vullnetit për implementimin e deklaratave që nënshkruhen.

Angela Merkel në Beograd me presidentin e Serbisë, Alexander Vuciq

Angela Merkel në Beograd me presidentin e Serbisë, Alexander Vuciq, shtator 2021

Njëra nga nismat e dala nga ky proces është  Plani i Veprimit për një Treg të Përbashkët Rajonal që u miratua në Sofje 2020. Ajo nuk po bën asnjë përparim as për shkak të mosmarrëveshjeve midis Serbisë dhe Kosovës. A nuk do të ishte nisma për Ballkanin e Hapur një zgjidhje fillestare?

Nuk besoj. Për dallim nga Ballkani i Hapur, Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord si pjesë e Procesit të Berlinit, përfshin të gjashtë vendet e rajonit dhe synon ta zhvillojë tregun bazuar në standardet evropiane, në mënyrë që ky të integrohet më pas në tregun e BE-së. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që në Samitin e Sllovenisë të nënshkruhen dhe zbatohen me shpejtësi marrëveshjet për lirinë e udhëtimit me karta identiteti, krijimin e hapësirës së përbashkët të vizave dhe njohjen e kualifikimeve, në mënyrë që të mund të ndërmerren hapat e mëtejshme drejt krijimit të një tregu të përbashkët.

Disa vëzhgues e kritikojnë Kancelaren Merkel se me politikën e saj ka mbështetur autokratët në Ballkan. A e ndani këtë kritikë?

Krerët e qeverive të BE-së dhe institucionet e tyre do të punojnë gjithmonë me krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, si përfaqësues të tyre zyrtarë. Por kjo nuk përjashton një adresim më të qartë të problemeve. Unë do të doja të shihja një vetëdije më të madhe në qeverinë e ardhshme gjermane për rëndësinë e mesazheve më të qarta dhe më të sinqerta. Do të kisha dashur që edhe Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, të kishte bërë të njëjtën gjë gjatë udhëtimit të saj në Ballkanin Perëndimor. Formulimet diplomatike që nuk adresojnë realitetet politike ashtu siç janë nuk krijojnë besim tek qytetarët e rajonit dhe tekefundit minojnë procesin e zgjerimit.

Valeska Esch është drejtore e Evropës dhe zëvendësdrejtore Institutit Apen në Berlin