1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Erdhi ora" - Filloi fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme në Greqi

12 Shtator 2009

Përkundër traditës së klimës së acaruar politike fushata aktuale elektorale ka në epiqendër të saj ekonominë dhe shpaloset pa eksese. Por në çmasë mund të evitohet polarizimi i skajshëm mes të djathtës dhe socialistëve?

https://p.dw.com/p/JdZn
Në foto përkrahës të Karamanlisit
Në foto përkrahës të KaramanlisitFotografi: AP

Sa pa u ngritur sipari i fushatës elektorale të zgjedhjeve të parakohshme të katër tetorit për dy krerët e dy partive kryesore greke, Karamanlisin e Demokracisë së Re dhe Papandreun e PASOK-ut, togfjalëshi “erdhi ora” është bërë mjaft i preferuar. Për arsye krejt të ndryshme veçse, siç nxitojnë të sqarojnë: “Erdhi ora të shohim të vërtetën në sy” tha Karamanlis fundjavën e kaluar në Selanik dhe të martën në Athinë paraqiti dilemën: “Do të përballojmë krizën me masa konkrete apo me papërgjegjësi dhe fjalë të përgjithshme ledhatuese?”. Kështu deklaroi shprehimisht Karamanlis, i cili akuzoi kundërshtarin e tij Papandreu se nuk “disponon plan ekonomik” për daljen e vendit nga kriza. “Erdhi ora të lemë pas dekadencën, të përfshijmë vendin në një rrugë ringjalljeje kombëtare” ishin fjalët e Papandreut në stilin e fjalimeve të babait të tij Andreas Papandreu që me përmendjen edhe të emrit të tij e bëri manifestimin e parë të tij në Ksanthin e largët, në kufi me Turqinë, të kulmojë.

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis
Kryeministri grek, Kostas KaramanlisFotografi: dpa

Kryeministri flet për gjendje patogjene të ekonomisë dhe paralajmëron një dyvjeçar të vështirë

Përderisa me krizën u motivua shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, gjendja kritike e ekonomisë së dalë nga binarët financiarë dhe në prag të falimentimit me një defiçit 7.5% të Produktit Kombëtar Bruto, borxh 105.1 % të tij dhe papunësi 8.5% gjatë muajit maj po vihet në epiqendër të fushatës elektorale pavarësisht se nuk përbën avantazh për Karamanlisin. Kryeministrit grek nuk i mbetej rrugë tjetër veçse të thotë të “vërtetën lakuriqe” dhe të adoptojë një “strategji risku”, siç thuhet, kur foli për “gjendje patogjene të ekonomisë”, paralajmëroi një “dyvjeçar të vështirë” duke kërkuar terapinë e sektorit publik, goditjen e evazionit fiskal dhe vazhdimin më me furi të reformave strukturore. “Kryeministri ka folur qartë, ka thënë se ç'duhet bërë për të shndërruar rreziqet e krizës në shanse” tha ministri i tij Euripidis Stilianidis, i cili e konsideroi “ditë të madhe” shpalljen e paketës ekonomike në Selanik nga ana e Karamanlisit. Por jo edhe sindikalistët socialistë të Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë që thanë se kryeministri kërkon “nga punonjësit që të kalojnë vetë lakun në fyt” kur kërkon konsensusin e tyre për ngrirjen edhe dy vjet të tjera të pagave në sektorin publik apo “zgjerimin e bazës fiskale”.

“Masat e Karamanlisit nuk janë në drejtimin e duhur. Janë sipërfaqësore dhe të padrejta ” deklaroi sekretari i PASOK-ut Janis Ragusis i cili flet për filozofi diametralisht të kundërt të programit të socialistëve që do të shpallet nga Papandreu këtë fundjave në Selanik dhe sjell si shembull objektivin e tij për sigurimin e të ardhurave jo nga shkurtimet e orëve suplementare të punonjësve por nga rritja e tatimit të fitimeve të bankave që edhe sivjet, në periudhë krize, kanë arritur në 3 miliardë euro. Në qoftë se Karamanlis e ka të vështirë të bindë elektoratin -me gjithë autokritikën e tij - pse këto masa nuk i mori më parë, Papandreu nuk do ta ketë të lehtë të bindë se disponon “planin e daljes nga kriza”, se politika e tij fiskale është e drejtë dhe reformat do të nxjerrin ekonominë nga recesioni dhe do të bëjnë të mundur ngritjen e “rrjetit të mbrojtjes sociale”.

Kryeministri Karamanlis dhe lideri i opozitës, Papandreu
Kryeministri Karamanlis dhe lideri i opozitës, PapandreuFotografi: DW

Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë e polarizimit gjatë fushatës elektorale

Por në ç'masë politikat e ekonomisë, që pak ndryshojnë në fakt midis tyre, mund të monopolizojnë fushatën kur kanë mbetur pak më shumë se tri javë dhe në ç'masë do të eklipsohet tradita e polarizimit të skajshëm me skandalologjinë dhe goditjet poshtë brezit në nivel krerësh politikë? “Nuk jam i sigurt se nuk do të ketë polarizim. Kjo për faktin se Demokracia e Re në anketimet mbetet pas 5-6 % dhe lojtari që vjen i dyti në garë ka çdo arsye të përshkallëzojë përplasjen: Por kjo do të varet dhe nga mënyra se si do të reagojë PASOK-u që nuk i intereson acarimi” thotë për Deutsche Wellen analisti i njohur grek Tasos Papas për të shtuar se një gjë e tillë do të ndodhë dhe për faktin se “modeli grek, me figurë qendrore kryeministrin, kërkon edhe krahasimin e kandidatëve për postin e tij”. Shtabet zgjedhore të partive dhe masmedia konsumojnë orë të tëra, për shembull, se si do të zhvillohet ballafaqimi televiziv Karamanlis-Papandreu dhe ai i krerëve të 5 partive parlamentare në vazhdim.

Një shije ndërkohë të trajtës që mund të marrin gjërat janë shigjetat e helmuara të polarizimit që aktualisht lëshohen prej të mëdhenjve në drejtim të partive më të vogla. Konkretisht vetë Karamanlis e cilësoi Alarmin Ortodoks Popullor një parti me “papërgjegjësi ekstreme” duke ngjallur reagimin e revoltuar të kreut të saj Karaxhaferis, kurse një nga kuadrot kryesorë të PASOK-kut, Pangallos, e cilësoi Partinë Komuniste “armik të demokracisë”. “Që të dy kanë rezervuarë, rezervuarë miqësorë nga presin të sigurojnë vota” thotë analisti grek. Në këtë çështje socialistët janë në avantazh, se koalicioni i majtë i ndodhur në krizë të thellë lidërshipi dhe objektivash rrezikohet të mbetet jashtë parlamentit. Por jo edhe Karamanlis që aktualisht jo vetëm nuk fiton terren në të djathtën nacionaliste por po humbet dhe një pjesë të kuadrove të tij që largohen për të gjetur “strehë” te Alarmi Ortodoks Popullor.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Esat Ahmeti