1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende i kërkuar: Shërbimi i Kryqit të Kuq për të humburit

Charlotte Müller
30 Gusht 2020

Pas Luftës së Dytë Botërore, shërbimi për të humburit i Kryqit të Kuq gjerman zbardhi fatin e milionave vetëve. Sot ai punon në shkallë ndërkombëtare, me kontakte deri në Guantanamo.

https://p.dw.com/p/3hlNB
DRK Suchdienst
Arkivi i shërbimit të kërkimit të Kryqit të KuqFotografi: picture-alliance/dpa/M. Müller

Ali Reza dhe familja e tij ishin arratisur bashkë me qindra të tjera në Turqi, kur një natë ia behu policia. „Ata qëlluan në ajër. Njerëzit kishin frikë për shkak të pistoletave, të gjithë thërrisnin dhe qanin. Aty humba nënën dhe motrën." 21 vjeçari nga Afganistani nuk e dinte për një kohë të gjatë, se çfarë ndodhi me familjen e tij atë natë, nëse nëna dhe motra jetonin. Ndërkohë Reza jeton me një familje që e ka marrë në kujdestari në Gjermani. Në vitin 2018 me ndihmën e Kryqit të Kuq Gjerman, DRK ai arriti të gjejë nënën dhe motrën. Tre vite pas ndarjes.

Deutsches Rotes Kreuz Suchdienst München
Edhe foto të vjetra të familjes ndihmojnë në procesin e kërkimit të të humburveFotografi: picture-alliance/dpa/M. Müller

„Për njerëzit është tejet e rëndësishme që të kenë qartësi për fatin e të dashurve të humbur, ndryshe ata nuk i kthehen dot normalitetit. Njeriu ka nevojë për siguri", thotë për Deutsche Wellen, Dorota Dziwoki, drejtuese e Shërbimit të Kërkimit të DRK në Berlin. Ende edhe sot, 150 vite pas krijimit të tij shërbimi i Kryqit të Kuq nuk ka humbur rëndësinë e tij.

Fillesat në Luftën e Parë Botërore

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, IKRK, u themelua në vitin 1863, por rolin e tij për gjetjen e të humburve e luajti sidomos në Luftën e Parë Botërore. Aty IKRK hapi një qendër për të burgosurit e luftës dhe rivendosi kështu kontaktin me ushtarët e burgosur dhe familjet e tyre. Por pak vite pas luftës, dega gjermane e Kryqit të Kuq e mbylli shërbimin e saj. „Si institucion i stabilizuar, shërbimi i kërkimit ekziston që nga ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore", thotë Dorota Dziwoki. "Kur shumë njerëz humbën kontaktin me të afërmit pas bombardimit të qyteteve gjermane, apo për shkak të dëbimit nga ish-territoret gjermane, të burgosurve të luftës apo të burgosurve civilë. Që nga kjo kohë shërbimi i DRK është një organizatë e madhe.

Miliona fate

Se sa e madhe ishte nevoja vërtet u duk në vitet pas përfundimit të luftës. Deri në vitin 1950 u sqarua fati i 8,8 milionë vetëve. Edhe për shkak të dëbimit të gjermanëve dhe themelimit të dy shteteve gjermane shumë familje u ndanë dhe humbën kontaktin në vitet më pas. Në Muzeun Federal të Historisë në Bonn, (Haus der Geschichte) vetëm një pjesë e vogël e ekspozitës e kujton këtë kohë. 300.000 kartela me emrat e regjistruara në DRK tregohen aty, por kaq vetë të humbur ishin vetëm ata, që u fillonte mbiemri me L apo M. Fëmijët nuk regjistroheshin me kartela kur nuk e dinin mbiemrin e tyre.

Sipas Dorota Dziwokit, vetëm vitin e kaluar kanë ardhur 10.091 kërkesa që prekin kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kërkesat vijnë nga Skandinavia, Austria, Polonia e shtetet pasuese të Bashkimit Sovjetik.

75 vite pas përfundimit të luftës drejtuesja e shërbimit të të humburve bën bilancin. „Ne kemi qenë, dhe jemi edhe sot, do thoja unë, shërbimi më i madh i kërkimit në Europë dhe botë." Fillimisht ishte menduar që shërbimi i kërkimit për personat e humbur të Luftës së Dytë Botërore të mbyllej në vitin 2023. Por për shkak të kërkesave të shumta, mbyllja është shtyrë me dy vite.

DRK - Suchdienst München: Mitarbeiterinnen mit Karteien und Bildlisten
Shërbimi i kërkimit të Kryqit të Kuq në Mynih - Punonjëse gjatë verifikimit të listave në vitet 50-tëFotografi: DRK

Në nivel ndërkombëtar shërbimi i kërkimit do të vazhdojë të ekzistojë. Konfliktet e armatosura, dhuna, lëvizjet e migracionit, ndryshimi i klimës bëjnë që shumë njerëz të largohen nga vendlindja dhe familjet të ndahen, e të mos dinë asgjë më për fatin e të afërmve. Situata më e vështirë është sidomos në Afrikë. Këtu IKRK regjistron 44.000 raste të humburish. Më shumë se 80% e tyre vijnë nga vende si Nigeria, Etiopia, Sudani Jugor, Somalia, Libia dhe Kameruni. Gati gjysma e të humburve ka qenë minorene në kohën e humbjes së kontaktit.

Kontakte deri në Guantanamo

Shërbimi gjerman i Kryqit të Kuq punon sot me rrjetet e kërkimit të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Neutraliteti dhe pavarësia luajnë një rol të veçantë. „Ne mund të punojmë së bashku edhe kur shtetet janë në armiqësi. Kjo është e veçanta e rrjeteve tona ndërkombëtare të kërkimit. Kjo është vërtet unike në botë", thotë Dorota Dziwoki. IKRK ka qasje në kampet e internimit apo burgjet e luftës në të gjitha rajonet e konfliktit në botë. Kështu familjeve i është mundësuar edhe vendosja e kontaktit me kampin e shumëpërfolur amerikan të Guantanamos.

Ali Reza und sein Pflegevater Lateef Ahadi
Ali Reza dhe babai kujdestar, Lateef AhadiFotografi: Privat

Kërkesa për të humburit me fund të lumtur

Ali Reza nuk ia tha dy vite me radhë familjes që e mori në kujdestari, se nuk ka kontakt më me nënën e motrën e tij. Lateef Ahadi, të cilin Reza e thërret me dashuri baba, e di pse. "Kjo është një çështje mentaliteti. Ai ka pasur turp. Nga njëra anë, sepse ishte i trishtuar dhe nuk e dinte ku e kishte nënën dhe motrën.” Nga ana tjetër ndodh që femrat gjatë arratisë detyrohen për prostitucion. Kjo, sipas prejardhjes, shihet si një turpërim i madh për familjen. "Si djalë ti duhet të tregosh gjithmonë kujdes për gratë e familjes”, thotë Ahadi. Dhe Reza nuk arriti të kujdesej për familjen për shkak të ndarjes.

Ali Reza nuk e dinte se kishte një shërbim kërkimi për të humburit, si shumë refugjatë të tjerë. Prej babait kujdestar ai u informua për këtë. Dy vite e gjysmë pas shtrimit të kërkesës, erdhi një lajm nga nëna. Ali Reza kujton telefonatën e parë të kontaktit me nënën. "Nëna qau me orë. Ne të dy nuk mund të flisnim dot. » Megjithatë Reza nuk e sheh dot familjen. Nëna dhe motra jetojnë me statusin e refugjatit në Britaninë e Madhe dhe atij i mungojë dokumentet për të udhëtuar. « Nuk kam dokument gjerman, por vetëm Duldung (leja e përkohshme që autorizon qëndrimin për një arsye të caktuar shën. Red.). Për këtë e vras mendjen. Do ishte gjë e bukur, sikur të vizitoja familjen.”