1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita Botërore kundër Homofobisë: Ka ende diskriminim

17 Maj 2023

17 Maji është Dita Botërore kundër Homofobisë. Një organizatë që mbështet të drejtat e komunitetit LGBTQ ka shpallur listën, se ku diskriminohen anëtarët e LGBTQ e ku ka zhvillime pozitive. Malta kryeson, Polonia në fund

https://p.dw.com/p/4RT6X
BdTD Malta Pride Parade
Fotografi: Darrin Zammit Lupi/REUTERS

"Ky është vërtet një vend miqësor për të drejtat e njerëzve LGBTQ", thotë Catherine Camilleri për vendin e saj, ishullin e Maltës me 520.000 banorë. LGBTQ është shkurtimi për komunitetin e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve dhe njerëzve "queer". "Jemi të lumtur që kemi një qeveri që na mbështet. Natyrisht ka ende herë pas here diskriminim, kështu është kur je një person LGBTQ, por në Maltë ka më shumë avantazhe se disavantazhe." Malta është në Europë vendi i parë në mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti. Që nga viti 2009 dega europiane e Shoqatës Ndërkombëtare të Lezbikeve dhe Homoseksualëbe, ILGA publikon hartën e ylbertë të Europës, që në bazë të 74 kritereve vlerëson pranueshmërinë në shoqëri dhe situatën ligjore të njerëzve LGBTQ.

Malta ndaloi riedukimin - Europa Lindore diskriminuese

Malta i përmbush me 89 % këto kritere- "Komuniteti LGBTQ është gjallëruar në  5 apo 6 vitet e fundit. Ligjvënësi në Maltë është aktiv. Ky vend ka qenë i pari në Europë që ndali riedukimin seksual", thotë Catherine Camilleri nga Gozo në Maltë.

Qyteti Mgarr në Gozo
Qyteti Mgarr në Gozo Fotografi: Bruno Coelho/Zoonar/picture alliance

Një vështrim në hartën e ylbertë të Europës tregon, se ka një dallim të madh mes Lindjes e Perëndimit, kur bëhet fjalë për të drejta si martesa për të gjithë, e drejta e adoptimit për çiftet homoseksuale, identiteti seksual dhe njohja e përkatësisë gjinore si edhe masa kundër krimeve të urrejtjes. Në vend të fundit të listës së LGA qëndron Polonia e qeverisur nga nacionalkonservatorët. Këtu janë përmbushur vetëm 15% e kritereve.

Julia Kata, psikologe e angazhuar në Organizatën Trans-Fuzja për transgjinoret në Varshavë, thotë se nuk ka gati aspak mbrojtje ligjore për personat LGBTQ në Poloni. "Nuk kemi ligje kundër gjuhës së urrejtjes. Kemi dënime kundër krimeve të urrejtjes në kodin penal, por ato nuk përfshijnë sulmet për shkak të orientimit seksual, gjinisë apo identitetit seksual. Kjo shikohet si një vepër penale e zakonshme." Psikologja thotë, se në dallim nga Malta, diskriminimi në Poloni buron nga partia nacionalkonservatore, PiS dhe mediat e saj. "Urrejtja është kudo. Kur dëgjon për shembull, se 'fëmijët e tu transgjinorë apo homoseksualë janë rrezik për fëmijë të tjerë' dhe mediat publikojnë përditë përmbajtje me urrejtje, atëherë nuk ndjehesh më i sigurtë në këtë vend."

Pride Parade në Varshavë
Pride Parade në VarshavëFotografi: Grzegorz Banaszak7Zuma/picture alliance

Më shumë të drejta për transgjinorët në Europë

Në përgjithësi Shoqata e LGBTQ, ILGA shikon tendenca pozitive në Europë. "Ne shohim sulme të qëllimshme kundër komunitetit trans, por shohim edhe vende, ku qeveritë kanë filluar të reformojnë ligjet për transseksualët, si në Gjermani. Politikanet dhe politikanët kanë më shumë mmirëkuptim dhe janë të vendosur për kursin e procesit të reformimit", thotë funksionarja e ILGA-s. KAtron Hugendubel për DW.

Një shembull: Spanja ka bërë përmirësime të dukshme, sipas vlerësimit të ILGA-s, me një ligj të zgjeruar për identitetin gjinor që bazohet në të dhënat e vetë personave të prekur. Janë ndaluar operacionet mjekësore për gjymtimin e fëmijëve interseksualë, si dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Edhe Moldavia e Kroacia kanë shënuar përmirësime në drejtim të të drejtave të komunitetit LGBTQ. 

Nga BE nuk mund të pritet shumë, sepse ajo nuk ka kompetenca në drejtim të kuadrit ligjor për familjen, kjo çështje është kompetencë e vendeve anëtare. Vendet anëtare bllokojnë zgjerimin e mundshëm të rregullores së BE për diskriminimin, që vlen aktualisht vetëm në vendin e punës. BE mund të bënte më shumë, nëse vendet anëtare kanë vullnetin politik, beson Katrin Hugendübe.

Protestë e komunitetit LGBTQ në Budapest
Protestë e komunitetit LGBTQ në BudapestFotografi: Attila Kisbenedek/AFP

Gjermania me 55% të 100% të pikëve ndodhet në mes të renditjes së ILGA-s. Kjo mund të ndryshojë pasi qeveria e koalicionit të SPD-së, Të Gjelbrit dhe Liberalët e FDP-së të kalojnë në Bundestag ligjin për identitetin seksual, që do të thjeshtonte shumë më tepër përshtatjen e emrit në bazë të identitetit gjinor të personave të prekur.

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE