1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu me fenë islame

Marilena Thanassoula10 Gusht 2005

Studiuesi i fesë islame, Shëler, mbi paragjykimet perëndimore ndaj islamizmit dhe historisë së tij

https://p.dw.com/p/ArOS
Perëndimi gjithnjë e më mosbesues ndaj fesë islame
Perëndimi gjithnjë e më mosbesues ndaj fesë islameFotografi: AP

Veçanërisht pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 në shumë vende perëndimore mbizotëron pasiguri e lartë dhe madje një qëndrim dyshues ndaj islamizmit. Perceptimi mbarëbotëror i besimit të dytë më të rëndësishëm në botë vazhdon të ndikohet nga aktet e dhunshme të kryera nga ekstremistë politikë në emër gjoja të fesë islame. Mediet në vendet perëndimore në shumicën e rasteve diferencojnë këto akte nga feja islame. Megjithatë shpesh të ashtuquajtur specialistë, mbrojnë tezën se islamizmi ka një tendencë më të fortë ndaj dhunës se besimet e tjera fetare dhe se që në fillimet e tij ka qenë agresiv. Profesori dhe studiuesi i fesë islame Marko Shëler nga Boni i relativizon këto teza.

A është feja islame një besim i ndërtuar mbi dhunën? Shumë njerëz në botën perëndimore janë të këtij mendimi dhe këtë e tregojnë sondazhe të shumta. Ky perceptim duket se forcohet me çdo akt të ri terrorist që kryhet nga ekstremistët në emër të islamizmit. Mediet perëndimore në komentimin e ngjarjeve shpesh ftojnë të ashtuquajtur specialistë të cilët përpiqen të dëshmojnë me citate nga Kurani karakterin tërësisht të dhunshëm të fesë islame dhe rikujtojnë betejat e lashta mes Lindjes dhe Perëndimit. Profesori Marko Shëler, studiues i fesë islame pranë Universitetit të Bonit i cilëson tepër të dyshmta këto interpretime të historisë: "Shpesh flitet për faktit që feja islame u përhap me shpatë dhe zjarr. Kjo nuk u përgjigjet plotësisht fakteve historike. Natyrisht ka patur beteja gjatë 100 apo 150 viteve të para të përparimit të myslimanëve deri në Francën jugore nga njëra anë dhe nga ana tjetër deri në Azinë Qëndrore dhe në kufijtë e Indisë. Por në përgjithësi nuk ka qenë një fushatë veçanërisht luftarake. Këtu duhet të mbajmë parasysh edhe se myslimanët që morën pjesë në beteja ishin të pakët në numër. Nuk e dimë me saktësi se sa por mendohet se kanë qenë vetëm disa dhjetëra mijëra. Unë besoj se nëse bëjmë krahasimin me mënyrën e përhapjes së krishtërimit - p.sh. misionin e sllavëve në Gjermani - atëherë bëhet e qartë se për shekuj me rradhë u ndërmorën luftëra, luftëra të vërteta, betejë pas beteje. Përhapja e hershme e islamizmit as që mund të krahasohet me to!"
Profesor Shëleri është i mendimit se përparimi i shpejtë i pushtimeve të arabëve nuk ishte aspak rezultat i betejave veçanërisht të dhunshme. Shumë qytete u morëm me anë të bisedimeve të cilat mbylleshim me arritjen e marrëveshjeve, pra në shumicën e rasteve fare pa dhunë. "Suksesi i ekspansionit të hershëm arab shpejgohet me faktin se nuk ka patur thuajse fare qëndresë. Territoret në të cilat arabët depërtuan, Perëndoria sasanide në Iran dhe Irak dhe Perandoria bizantine në Afrikën e Veriut e pjesërisht në Anadoll nuk kishin thuasje fare mundësi të bënin qëndresë. Fakt është që Perandoria sasanide u shpërbë brenda pak dekadash dhe Perandoria bizantine u zhduk nga Afrika e Veriut. Pra mund të themi se pushtimet nuk u kryen me fushata aq luftarake sa pëlqehet të tregohet sot. Por është shumë e vështirë të largosh këtë imazh të krijuar nga mendjet e njerëzve pasi është një i mazh shumë i fortë."
Një imazh po aq i fortë lidhet sot në perëndim me fjalën "Xhihad" të cilën mediet perëndimore shpesh e barazojnë me konceptin "luftë e shenjtë". Në të vërtetë "Xhihad" do të thotë vetëm "përpjekje". Kjo nënkupton nga njëra anë përpjekjet ndaj vetes për të bërë një jetë në përputhje me udhëzimet e Perëndisë. Nga ana tjetër nënkuptohen edhe përpjekjet për të përhapur më tej besimin islam, gjë e cila nuk duhet kryer patjetër në rrugë të dhunshme. Për shumë njerëz në perëndim ky interpretim është i panjohur. Por duhet thënë se edhe në gjuhën arabe nuk bëhet gjithmonë një diferencim i qartë. Koncepti "Xhihad" lidhet me përdorimin e dhunës jo vetëm në ditët e sotme nga ekstremistët fetarë. Sipas studiuesit Shëler edhe historia njeh raste të shumta kur Xhihadi ka patur këtë kuptim, p.sh. në luftën e Ajubidëve arabë kundër kryqtarëve apo në luftën e myslimanëve kundër spanjollëve të krishterë. "Shumë teologë në fenë islame kanë thënë gjithnjë: Xhihadi nënkupton përpjekjet personale. Por duhet patur parasysh edhe se njerëzit të cilët e interpretojnë Xhihadin si betejë apo luftë e shohin veten në pozita mbrojtëse. Terroristët islamistë nga këndvështrimi i tyre mbrojnë atdheun. Ata nuk i shohin aktet e tyre si sulme pa asnjë shkas por ndihen natyrisht të kërcënuar, nga Amerika, Perëndimi apo diçka tjetër. Në këtë kontekst duhet patur parasysh se edhe në anën tjetër ka paralele: Fakti që njerëz si presidenti amerikan Xhorxh Bush flasin për një "kryqëzatë" kundër terrorizmit çon natyrisht ujë në mullirin e atyre islamistëve të cilët fjalën "Xhihad" e përdorin sot si koncept ushtarak. Krahasimi këtu bëhet p.sh. me luftën e dikurshme kundër kryqtarëve"-thotë profesor Shëler.