1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia dhe PKK

Degel Akar23 Dhjetor 2015

Konflikti mes forcave turke të sigurisë dhe të rinjve radikalë kurdë të lidhur me PKK-në është acaruar. Aktualisht nuk ka gjasa për qetësim, thotë shefi i zyrës së Fondacionit Heinrich Bëll në Stamboll, Kristian Brakel.

https://p.dw.com/p/1HSBz
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Në Turqinë juglindore, qytetet Dijarbakir dhe Cizre, janë bërë fushëbeteja. Më shumë se 100 njerëz duhet të jenë vrarë gjatë tri ditëve të fundit. 10.000 forca turke të sigurisë janë në veprim. Kë luftojnë ata: A është PKK-ja në lojë apo është kjo vetëm një protestë e të rinjve kurd?

Kristian Brakel: Grupimi kryesor janë të rinj, megjithëse ka edhe shumë, që janë në fund të 20-tave dhe në fillim të 30-tave. YDG-H është një organizatë rinore, që konsiderohet e PKK-së, por PKK pretendon se nuk e kontrollon atë direkt. Por është fakt se ajo e ka armatosur dhe trajnuar, edhe lidhjet ideologjike ekzistojnë. Që nga viti i kaluar YDG-H është shfaqur gjithnjë e më shumë. Organizata kohët e fundit ka nisur të ngrejë barrikada në qytetet kryesisht kurde në juglindje. Atje ka patur pastaj edhe beteja me forcat e sigurisë. Ata kanë qenë pjesërisht konflikte të armatosura, të rinjtë kanë patur armë të vogla dhe lëndë shpërthyese.

Forcat turke janë përpjekur të heqin bllokadat e rrugëve, ata kanë përdorur dhunë kundër të armatosurve. Kjo që shohim tani është një dimension i ri. Nga rruga në rrugë, nga shtëpia në shtëpi luftohet. Nga ana ushtarake mund të arrihet një farë suksesi, por politikisht natyrisht që kjo nuk është zgjidhje

Çfarë synon të arrijë YDG-H?

Eshtë shumë e vështirë të thuhet se sa të pavarura janë këto grupime në veprimet e tyre, dhe çfarë urdhërash marrin nga PKK. Fakt është që kemi të bëjmë me një brez, që është rritur me pritshmëritë, me premtimet, se gjërat do të përmirësohen në juglindje të vendit. Por lidhur me kërkesat politike për më shumë të drejta, më shumë respekt, dhe për një vetëadministrim demokratik, nuk është bërë asgjë,. Dhe po të flasim për luftimin e kryengritjeve në Turqi nuk ka ndryshuar asgjë që na vitet 90-të. Shumë pak merren parasysh të drejtat e njeriut. Civilët dëmtohen, disa nga luftëtarët e PKK apo të YDG-H, që arrestohen, keqtrajtohen. Kjo ua bën të rinjve kurdë të qartë se shteti turk nuk është i tyri. Kjo është gjithsesi një ndjenjë me të cilën janë rritur. Dhe këtu është edhe ndjesia se ky konflikt nuk mund të zgjidhet politikisht, sepse shteti nuk është i interesuar për këtë. Kësaj i shtohet edhe nacionalizmi i fortë kurd dhe synimet strategjike të PKK, e cila që nga viti i kaluar është përqëndruar që të fitojë territore në pjesën kurde të Sirisë dhe që zhvillon një luftë prokurë me rusët, me turqit dhe me grupe të ndryshme rebelësh. Kjo, që po ndodh në juglindje, është një vazhdim i luftës në Siri.

Kristian Brakel, shef i zyrës së Fondacionit Heinrich Bëll në Stamboll
Kristian Brakel, shef i zyrës së Fondacionit Heinrich Bëll në StambollFotografi: Privat

Prej muajsh në Turqinë juglindore është një gjendje e ngjashme me luftën civile. Jeta publike dhe mësimi janë ndërprerë. Mësuesit me rekomandimin e autoriteteve të arsimit janë larguar nga zonat e luftimit. Shumë banorë janë larguar. Kryeministri Ahmet Davutoglu tha se ndalimqarkullimi është i nevojshëm për mbrojtjen e popullsisë civile. Por shumë ekspertë, juristë thonë se është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit ligjor.

PKK patjetër që nuk është pa faj. Por përgjegjësinë kryesore e mban padyshim shteti turk, që ka detyrim të mbrojë qytetarët e tij, edhe nëse ata janë simpatizantë të PKK-së. Edhe nëse bëhet fjalë për të rinj të armatosur apo për luftëtarë të tjerë të armatosur, ka rregulla të caktuara, se si zhvillohen luftime të tilla, sidomos kur është fjala për minorenë. Turqia është nënshkruese e konventës për të drejtat e fëmijëve, ku janë përcaktuar relativisht qartë disa gjëra. Ndalimqarkullimi nuk është tërësisht i paligjshëm, por ka një pikë, ku ai sipas të drejtës ndërkombëtare përfaqëson një të ashtuquajtur dënim kolektiv për të gjithë popullsinë. Dhe kjo është e palejueshme sipas të drejtës ndërkombëtare.

"Procesi i paqes është në frigorifer" tha presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Ai deklaroi, se do ta vazhdojë luftën aq gjatë, derisa "terroristi" i fundit të jetë dëbuar apo vrarë. Çfarë synimi ndjek Erdogan me këtë strategji?

Kjo është padyshim një retorikë lapidare, që nuk do të zbatohet në këtë formë. Ne tani e dimë se një pjesë e madhe e PKK aktualisht nuk ndodhet në Turqi, por në Siri dhe një pjesë edhe në Irak. Kjo luftë kundër PKK nuk mund të fitohet ushtarakisht. PKK është forcuar përmes asaj, që ka ndodhur në Siri dhe Irak dhe tani është bërë shumë më e njohur në skenën ndërkombëtare. Dhe shteti turk nuk dëshiron të negociojë me një PKK të forcuar. PKK thotë tani "ne nuk jemi vetëm një organizatë çlirimtare, por tani kemi pothuajse një shtet tonin dhe ju duhet të silleni ndryshe me ne."

Pala turke do të kishte qenë ndoshta dakord me të drejta autonomie për kurdët. Por ekziston frika, se shumë shpejt do të kërkojnë më shumë. Fare pranë është Rojova (territoret de facto autonome kurde në Siri), ku kurdët kanë shumë më tepër të drejta, si të thuash një qeveri të vetën, që është pranë në shteti të pavarur. Mundësia, që ata të bashkohen në ndonjë mënyrë, ekziston. Kjo është frika.

Që armiku të shkatërrohet plotësisht. kjo nuk do të ndodhë. Ky konflikt do të zgjasë sa dhe lufta në Siri dhe lufta për atë, nëse rajoni Rojova do të mbetet shtet i pavarur kurd apo një protoshtet dhe të bëhet edhe më shumë faktor. Përderisa të vazhdojë kjo, do të vazhdojë edhe konflikti në Turqi.

A e shihni të mundur përhapjen e luftës edhe në rajone apo qytete të tjera si Stambolli apo Ankaraja? A është Turqia në prag të luftës civile?

Në parim ekziston tashmë një përhapje. Gjasat që të ngrejë dallgë edhe më të mëdha, ekzistojn,. Që të vendosen bomba në Antalia apo në zonat turistike, mendoj se në këtë moment kjo nuk është në interes të PKK, por aksionet e qëllimshe kundër institucioneve qeveritare, mund edhe të shtohen.

Kristian Brakel është ekspert për Turqinë dhe shef i zyrës së Fondacionit Heinrich Bëll në Stamboll