Bosnja kërkon që Serbia të denohet për gjenocid | Ballkani | DW | 24.02.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bosnja kërkon që Serbia të denohet për gjenocid

Prishen raportet mes entiteteve në Bosnjë-Hercegovinë dhe kërkohet revidimi i procesit për krime. Raportet me Serbinë janë tendosur shumë.

Ekipi i ekspertëve të Bosnje-Hercegovinës ka kërkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që të rishqyrtohet akuza për krimet e Serbisë në këtë vend. Gjykata tani do të shqyrtojë dëshmitë dhe pas kësaj do të marrë vendim. Me 2007 është vendosur që Serbia mban përgjegjësi për shkeljen e Konventës për Gjenocidin, për shkak se nuk ka bërë asgjë për të evituar krimet dhe gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë, por është liruar nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë.

Të mbijetuarit e kësaj lufte mendojnë se mund ta dëshmojnë para Gjykatës Ndërkombëtare "atë që e dinë të gjithë, se Serbia ka qenë e përzier në gjenocid dhe ka kryer agresion ndaj Bosnjë-Hercegovinës". Duke folur për faktet, bashkëbiseduesit e Deutsche Welle-s thonë se në B-H ka vepruar edhe aviacioni nga Serbia, ndërsa në luftime kanë marrë pjesë njësi nga Novi Sadi, Valeva, Uzhica e më pas edhe njësi nga Mali i Zi, në veçanti në rajonin e Podrinjës.

Pse është revidimi me rëndësi?

"Të gjithë e dinë se ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, në marrëveshje me autoritetet e atëhershme të Beogradit, ish-ministrin e Jashtëm Goran Svilanoviq dhe ish-presidentin Vojislav Koshtunica, ka fshehur, respektivisht ka vënë nën një lloj embargoje, transkriptimet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes, ku dëshmohet përzierja e Serbisë në agresionin dhe gjenocidin e kryer në Bosnjë-Hercegovinë. Ka dhe dokumente që dëshmojë për përfshirjen e oficerëve nga Serbia në ushtrinë e Republikës Serpska, sepse ata kanë qenë në listën e rrogave që janë paguar nga Serbia.

Në këtë listë ka qenë deri në vitin 2001 edhe Ratko Mlladiqi, i fajësuari kryesor së bashku me Radovan Karaxhiqin për gjenocid në Srebrenicë dhe shumë krime të tjera. Pas marrëveshjes së Del Pontes me autoritetet e Serbisë, këto dokumente janë menjanuar dhe ekipi i ekspertëve nga Bosnjë-Hercegovina nuk ka qasje tek ato. Revidimi i procesit është shumë me rëndësi, sepse këto dokumente nuk janë marrë parasysh në procesin e mëparshëm", pohon Sinan Aliq.

Reagime negative

Kërkesa e Bosnjë-Hercegovinës për revidimin e procesit ka shkaktuar reagime të shumta në Serbi. Kryeministri Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se raportet e Serbisë me këtë vend fqinj janë në nivelin më të ultë në 25 vitet e fundit, pra që nga koha e luftës. Reagime shumë negative ka pasur edhe tek serbët në B-H. Por ka dhe ekspertë dhe politikanë që mendojnë se Vuçiqi po e keqpërdor këtë kërkesë për fushatën e tij elektorale në Serbi.

Analistët thonë se Serbia do të përgjigjet me masa diplomatike dhe politike kundër Bosnjës, në qoftë se vie deri te përsëritja e procesit. Por është shumë me rëndësi që të "ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon, sepse prishja e raporteve mes grupeve etnike në Bosnjë, mund të influencojë edhe raportet në Sanxhak dhe pjesë të tjera të Serbisë".

Reklamë