Bisedimet BE Iran përfundojnë pa sukses | Politika | DW | 03.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Bisedimet BE Iran përfundojnë pa sukses

Bisedimet në Vjenë mes BE-së dhe Iranit lidhur me programin bërthamor iranian përfunduan të premten (03.03) pa sukses. Si rjedhojë vëmendja do të përqëndrohet tani tek Këshilli i Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike që gjatë javës së ardhëshme do të shqyrtojë këtë çështje.

Salla plenare e Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në Vjenë

Salla plenare e Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në Vjenë

Gati dy orë zgjati mbledhja në rezidencën e ambasadës gjermane në Vjenë - e më pas u bë e qartë që shpresat për ndonjë lëkundje të palës iraniane ishin të kota. Pjesëmarrësit në bisedime pozuan përpara fotoreporterëve, por ishin vetëm përfaqësuesit perëndimorë ata që pranuan të japin deklarata. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shteinmajer tha, se bisedimet e kërkuara nga Irani për programin bërthamor janë zhvilluar në një fazë kritike: "Ose arrijmë në një marrëveshje që do të na kthejë në procesin e bisedimeve, ose çështja do t´i kalojë Këshillit të Sigurimit. Kjo tregon, se ne kemi shumë pak kohë. Nëse duam të arrijmë diçka atëherë kjo duhet bërë tani."

Bisedimet me përfaqësuesin në negociata të palës iraniane Ali Laridshani kanë qenë konstruktive, megjithatë në fund nuk u arrit një marrëveshje, tha më tej ministri Shteinmajer: "Ne vetëm mund të shpresojmë, që qeveria iraniane së fundi të jetë e gatshme për procesin e krijimit të besimit që është tani i nevojshëm, për të ndërmarrë hapat e duhura për procesin e dialogut, që duam ta mundësojmë ne të gjithë së bashku."

Ky hap do të thotë, që Irani të ndërpresë programin e pasurimit të uranit në vend. Sfondi i këtij prograami sipas qeverisë së Iranit ka të bëjë me përdorimin civil të energjisë atomike për të garantuar furnizimin me energji. Perëndimi dyshon, se Irani ndjek qëllime të tjera dhe synon të konstruktojë bombën atomike. Ndalimi i këtij programi do të krijonte besim, theksoi ministri i jashtëm i Francës Filipe Duste-Blazi: "Ky është një kusht i thjeshtë dhe legjitim që nuk dëmton zhvillimin ekonomik të Iranit. Por për fat të keq, delegacioni iranian nuk ka pranuar të negociojë në këtë pikë."

Në mënyrë të ngjashme u zhvilluan bisedimet gjatë javës edhe në Moskë. Palët u konsultuan lidhur me propozimin për kompromis që parashikon zhvendosjen e programit për pasurimin e uranit në territorin e Rusisë dhe më pas i urani pasuruar të furnizohet në Iran. Me këtë synohet të sigurohet që ky vend e përdor për qëllime paqësore teknologjinë dhe të shmangen dyshimet se Irani po prodhon armë atomike. Kjo është e papranueshme për Iranin. Nga Teherani erdhi propozimi për të biseduar sërish me ndërmjetësuesit e BE-së. BE-ja i pat pezulluar bisedimet me argumentimin, se për thelbin e çështjes, që është pasurimi i uranit palët nuk kanë mudnur të gjejnë një emërues të përbashkët. Që ky argument është i drejtë këtë e tregoi edhe takimi i së premtes. Këtej e tutje vëmendja do të përqëndrohet javën e ardhëshme tek mbledhja të hënën (06.03) e Agjencisë Ndërkombëtare Atomike. Tema e Iranit do të jetë në rend të ditës të martën (07.03) e paskëtaj vendoset nëse do të aktivizohet Këshilli i Sigurimit.

  • Data 03.03.2006
  • Autor Birgit Shmeitzner
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqk
  • Data 03.03.2006
  • Autor Birgit Shmeitzner
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqk