Bisedimet bërthamore për amerikanët nuk kanë dështuar | Bota | DW | 07.10.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Bisedimet bërthamore për amerikanët nuk kanë dështuar

Pas një heshtjeje të gjatë, SHBA dhe Koreja e Veriut vazhduan bisedimet e tyre bërthamore në Stokholm. Por Koreja e Veriut është e zhgënjyer nga përparimi i negociatave e flet për dështim. SHBA e shohin këtë ndryshe.

Shtetet e Bashkuara nuk ofruan asgjë, tha pala e Koresë së Veriut pas përfundimit të bisedimeve bërthamore në Stokholm. Tani u takon SHBA-ve të ndryshojnë kursin, për të mbajtur gjallë bisedimet bërthamore. Përndryshe, dera e dialogut do të mbyllet përgjithmonë.

Me këto fjalë e citoi kryenegociatorin e Koresë së Veriut Kim Myong-il agjensia koreane e lajmeve YONHAP. Në një konferencë shtypi në Stokholm, ai i akuzoi SHBA se kishin zgjuar shpresa, por nuk kishin ofruar më pas asgjë të re.

"Ka lidhje vetëm me SHBA, që bisedimet u ndërprenë pa asnjë përparim. SHBA nuk e kanë ndryshuar as pozicionin dhe as qëndrimin e tyre të vjetër", deklaroi Kim.

Ai shtoi se SHBA kishte ngjallur shpresa, "duke folur për zhdërvjelltësi, metoda dhe zgjidhje të reja". Por "ata na zhgënjyen thellësisht dhe e kanë ulur entuziazmin tonë për vazhdimin e bisedimeve."

Ministria e Jashtme e SHBA e kundërshtoi këtë vlerësim. Paraqitjet e delegacionit të Koresë së Veriut nuk e pasqyrojnë përmbajtjen ose frymën e bisedimeve, tha në Uashington zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Morgan Ortagus. Në vazhdën e bisedimeve tetëorëshe, delegacioni amerikan kishte prezantuar një sërë nismash të reja. Por trashëgimia e 70 viteve të luftës dhe armiqësisë në gadishullin korean nuk mund të kapërcehet brenda një dite të vetme, u tha.

SHBA duan të arrijnë që Koreja e Veriut të heqë dorë nga armët bërthamore

Udhëheqja e Phenianit ngul këmbë që të hiqen sanksionet ekonomike. Ekspertët besojnë se ndërprerja e shpejtë e bisedimeve në Stokholm kishte të bënte me faktin se Koreja e Veriut kishte pritur më kot një lehtësim të sanksioneve amerikane.

Ishte hera e parë që delegacionet e të dyja vendeve u takuan për bisedime, që kur në shkurt dështoi në Vietnam për shkak të çështjes së çarmatimit bërthamor një takim midis presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.  Në fund të qershorit, Trumpi dhe Kimi patën rënë dakord për negociata të reja në nivel ekspertësh, në një takim në kufirin midis dy Koreve.

Presidenti amerikan Trump e ka takuar tashmë tre herë Kim Yong-Un. Kritikët e kësaj strategjie të negociatave argumentojnë se kjo do t'i jepte Koresë së Veriut kohë të mjaftueshme për ta përsosur arsenalin bërthamor të vendit. Këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton, i pushuar së fundi nga Trumpi, e përshkruante Korenë e Veriut si kërcënim të rëndë dhe në rritje dhe kishte theksuar që regjimi i Phenianit nuk do të hiqte kurrë dorë vullnetarisht nga programi i tij për armët bërthamore, pavarësisht nga samitet dhe bisedimet.

Vetëm disa ditë më parë, pak pas dhënies së lajmit për bisedimet në Suedi, Koreja e Veriut i provokoi SHBA me një provë të re raketore. Sipas të dhënave të Koresë së Veriut, u lëshua nga një nëndetëse një lloj i ri i raketës balistike Pukguksong-3. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara për programin e armëve të Koresë së Veriut. Ushtria amerikane ndërkohë shprehu dyshime që raketa u lëshua me të vërtetë nga një nëndetëse.