BE ofron një fillim të ri në marrëdhëniet me SHBA | Evropa | DW | 20.01.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

BE ofron një fillim të ri në marrëdhëniet me SHBA

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Joe Biden bën sot betimin. Ne ceremoni nuk merr pjesë Presidenti në largim Trump. Yje të muzikës e Hollivudit "festojnë Amerikën".

BE i ka ofruar Presidentit të ardhshëm të SHBA Biden një fillim të ri në marrëdhënie. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel foli në Parlamentin Evropian për një pakt të ri themeltar për bashkëpunimin. Ai duhet ta bëjë Evropën dhe SHBA-në më të fortë dhe botën më të mirë.

Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen tha se pas katër vitesh të gjata, Evropa ka një mik në Shtëpinë e Bardhë. Fakti që Uashingtoni dëshiron të kthehet në Marrëveshjen e Klimës në Paris është një pikë e fortë fillestare për partneritetin transatlantik. Por ajo pret që mbështetësit e Presidentit në largim, Donald Trump të vazhdojnë të kenë ndikim.

Ish-ministri i Jashtëm Joschka Fischer nuk pret që SHBA të kthehen në raportet e mëparshme

Joschka Fischer tha në Deutschlandfunk se ai e sheh plot shpresa ceremoninë e marrjes së detyrës nga Joe Biden sot dhe se shumë gjëra do të jenë ndryshe dhe më mirë. Por ai nuk ka iluzione se gjithçka do të jetë siç ishte dikur në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Mbetet të shihet nëse dhe çfarë ndryshimesh mund të sjellë presidenca e re. Nuk duhet harruar se pothuajse gjysma e elektoratit amerikan votuan për Trumpin, theksoi Fischer.

Samiti i NATO-s, Watford 2019

Samiti i NATO-s, Watford 2019

Kjo nuk e bën më të lehtë punën për Bidenin dhe zëvendëspresidenten e zgjedhur Harris. Fischer tha se tani e ka radhën qeveria gjermane, që të angazhohet më shumë ushtarakisht dhe për sigurinë e saj - për shembull në Mesdheun lindor. Pa Gjermaninë nuk do të ketë sovranitet evropian. Po të mos arrihet kjo, e gjitha do të ecë drejt një Trumpi të dytë, tha ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Trumpi fal ish-kryestrategun e tij Bannon

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Joe Biden fillon sot detyrën. Presidenti në largim Trump uroi gjithë të mirat, por pa e përmendur Bidenin. Në ditën e fundit të mandatit të tij, Trump fali ish-kryestrategun e tij, Steve Bannon.

Kjo u njoftua nga Shtëpia e Bardhë në Uashington. Ish-kryestrategun e kishin akuzuar për mashtrim, sepse mendohej se ai kishte devijuar para në lidhje me një fushatë për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e murit kufitar me Meksikën, që synoi Trumpi. Bannon i mohon akuzat. Ai dikur ishte një nga personat më të afërt të besuar të Trumpit dhe konsiderohet forca shtytëse e vendimeve të diskutueshme të tilla si ndalimi i hyrjes për qytetarë nga disa vende myslimane. Trumpi e shkarkoi Bannon-in në gusht 2017.

Lady Gaga, Jenifer Lopez dhe Tom Hanks në ceremoni

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden do të betohet sot në Kapitol në Uashington, ashtu si edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris. Ceremonia nis në orën 17.15 të pasdites me orën e Gjermanisë (11.15 me mëngjes lokale), dhe betimi i Bidenit pritet të jetë rreth orës 18.00 pasdite. Për shkak të sulmeve të dhunshme ndaj Kapitolit dy javë më parë, ceremonia zhvillohet nën masa të forrta të sigurisë. Presidenti në largim, Trump nuk do të marrë pjesë në të. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, në ceremoni nuk do të ketë pjesëmarrje masive. Ish-Presidentët e SHBA, Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton do të marrin pjesë në ceremoni.

Jennifer Lopez, 2015

Jennifer Lopez, 2015

Përveç ikonës së muzikës pop, Lady Gaga, në ceremoninë për Bidenin do të debutojë edhe këngëtarja dhe aktorja Jennifer Lopez. Për ceremoninë e presidentit të zgjedhur të SHBA dhe zëvendëspresidentes së tij Kamala Harris, kanë njoftuar pjesëmarrjen shumë yje të tjerë. Aktori Tom Hanks do të moderojë gjithashtu një speciale televizive "Celebrating America" (Ne festojmë Amerikën). Katër vjet pas deklaratës së Donald Trumpit për "Bëheni sërish të ndritshme Amerikën", i takon Presidentit Biden ta realizojë këtë premtim në mënyrën e tij.

aud (dlf, S.Dege, md)