1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austria - vend model

Eberhard Nembach29 Dhjetor 2005

Më 1 janar fqinji i Gjermanisë dhe partneri më i rëndësishëm ekonomik, Austria, merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Cilat janë shpresat e 25 vendeve të tjera anëtare të BE-së?

https://p.dw.com/p/Aqrf
Vjena
Vjena

Gjashtë vjet më parë, Austria u ndëshkua nga BE me sanksione, sepse Partia Konservatore Popullore e Austrisë (ÖVP)e kancelarit Volfgang Shysel bëri anëtare të qeverisë partinë populiste të djathtë, FPÖ. Tani, Republika e Alpeve do ta drejtojë vetë për një vit Këshillin e anëtarëve të BE: më 1 janar, Vjena merr presidencën e radhës së BE. Shpresat që udhëheqja e 25 shteteve anëtare nën drejtimin austriak të ketë më shumë sukses se sa nën udhëheqjen britanike janë të mëdha. Austria në shumë pika ndërkohë konsiderohet model, prej të cilit vende të tjera mund të mësojnë.

Në Austri papunësia arrin vetëm gjysmën e kuotës së Gjermanisë dhe austriakët bëjnë pjesë në qytetarët më të pasur të BE. Me ulje të reja taksash për sipërmarrjet, ministri i financave, Karl-Heinz Grasser tërheq ndërkohë me sukses edhe sipërmarrje nga Gjermania: "Austria është shumë më përpara se Gjermania, ne kemi bërë një hop sasior në çështjet ekonomike dhe të vendeve të punës dhe shpresojmë që shumë sipërmarrje të vijnë tek ne."

Në Austri Harc IV ka kohë që është realitet-shumica e të papunëve e marrin mbështetjen e plotë financiare vetëm për një gjysmë viti. Pastaj presioni rritet, të papunët marrin më pak para dhe u duhet të pranojnë edhe punë më të thjeshta dhe të paguara më keq. Shërbimi i tregut të punës së Austrisë AMS paraqet kuota ndërmjetësimi të punës, për të cilat agjencitë gjermane të punës vetëm mund të ëndërrojnë. Zyrat e ndryshme të AMS punojnë në mënyrë shumë të pavarur nga njera-tjetra dhe pjesërisht edhe së bashku me ndërmjetës privatë të vendeve të punës. Mbrojtje juridike prej pushimit nga puna si në Gjermani, në Austri nuk ekziston, tregu i punës është fleksibël. Këtë e mbështesin edhe sindikatat, deklaron Gernot Mitter, ekspert social në Zyrën Austriake të Punëtorëve: "Situata e tregut të punës e Austrisë është më e përshtatshme se sa e shteteve të tjera me rendiment të ngjashëm ekonomik, sepse prej dekadash ne ndjekim një politikë të ndarjes së barabartë të rrezikut të papunësisë. Ana pozitive, si të thuash është: numri relativisht i vogël i të papunëve dhe periudha relativisht e shkurtër e të qenit të papunë."

Eshtë më mirë, kur çdo njeri herë pas here është pak i papunë, se sa kur pak njerëz kanë një vend pune të sigurtë dhe të tjerë nuk janë në gjendje të gjejnë kurrë një vend pune. Këtë filozofi qeveria e re e ka mbështetur edhe me një sistem më fleksibël të dëmshpërblimeve. Suksesi më i madh reformues i kancelarit konservator austriak, Volfgang Shysel është me siguri reformimi i përkujdesjes për moshat e pensionit. Nëpunësit e lartë, sipërmarrësit privatë dhe nëpunësit e zakonshëm tani i marrin të gjitha pensionet prej një sigurimi të unisuar, për të cilin duhet të paguajnë të gjithë.

Taksat dhe shpenzimet për punonjësit në Austri janë po aq të larta sa në Gjermani, edhe sepse sistemi shëndetësor është ngjashëm i shtrenjtë. Në këtë drejtim edhe në Austri kanë ngecur në vend të gjitha reformat. Në Austri u duhet të paguajnë edhe studentëve: rreth 400 Euro taksa studimi për çdo semestër. Kancelari Shysel i sheh sukseset e tij reformuese si sukses edhe për vende të tjera në Evropë. Në takimin e nivelit të lartë të pranverës ai do të flasë si president i radhës i BE edhe me të tjerët për këtë temë. Edhe më përfaqësues të Koalicionit të Madh në Berlin: "Në mënyrë që partneri ynë më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, Gjermania, të bëhet sërish lokomotivë e rritjes në Evropë. Po u arrit kjo, kjo do të ishte e mirë për Austrinë, për Gjermaninë dhe ndoshta edhe për gjithë Evropën."

Lidhjet me Gjermaninë vitin e kaluar u bënë edhe më të forta. Dhjetëra mijëra njerëz që kërkojnë punë para së gjithash nga Gjermania lindore kanë shkuar në Austri, thjesht sepse në Austri akoma është e mundur të gjesh punë.