1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentatori i El Pasos kërkonte të vriste meksikanë

10 Gusht 2019

Raporti i policisë amerikane pas arrestimit të personit që vrau 22 vetë në Teksas nxjerr detaje tronditëse. Në Nevada ndërkohë u pengua një atentat në një sinagogë.

https://p.dw.com/p/3NhEU
USA Gedenken in El Paso
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Ralston

Që pas atentatit në El Paso, ku humbën jetën 22 vetë të shtunën e kaluar, hetuesit kishin dyshuar për një sfond racist të vrasjes në masë. Tani u bë i ditur një raport i policisë që e konfirmon këtë dyshim. Aty thuhet, se 21 vjeçari i arrestuar ka thënë, se kishte vënë në shënjestër meksikanët në qendrën tregtare në El Paso. Ai vrau tetë meksikanë, shumë prej viktimave të tjera ishin me origjinë amerikanolatine. Gjatë arrestimit të tij, autori i vrasjeve hoqi dorë nga e drejta për të heshtur dhe u ka përshkruar hetuesve rrjedhën e atentatit.

Lidhje me skenën ekstremiste të djathtë

Kështu ai ka thënë, se ka lëvizur 9 orë me makinë në zonën ku banonte, Allen, për të identifikuar, ku kishte më shumë latinë. Me automatikun e tij dhe municionin me vete ai hyri pastaj në qendrën tregtare dhe filloi të qëllojë. Në një manifest ekstremist të djathtë të publikuar më parë në internet, ai kishte paralajmëruar për „invazionin hispanik" nga Amerika Latine. Mes viktimave në El Paso ishte edhe një gjerman, që kishte jetuar 40 vjet në Meksiksë, sipas bashkëshortes.

Ndërkohë policia ka arritur të pengojë një atentat të ri në shtetin federal të Nevadës, duke arrestuar një person nga skena ekstremiste e djathtë. 23 vjeçari nga Las Vegasi kishte planifikuar një atentat në një sinagogë. Prokuroria bëri të ditur, se ai akuzohet për konstruktimin e një bombe. Autori i vrasjeve ishte në kontakt edhe me një „organizatë ekstremiste" që kërkon të arrijë sundimin e racës së bardhë në SHBA. Hetuesit gjetën edhe një bllok shënimesh me plane për një atentat në Las Vegas.

 

la/mak/stu (afp, dpa)