060210 Sicherheitskonferenz Atomstreit
8 Shkurt 2010Ishte një prej pikave kulmore në Konferencën e Sigurisë në Mynih: Natën vonë ministri i jashtëm suedez Carl Bildt u përball drejtpërdrejt me ministrin e jashtëm iranian Manusher Motaki dhe pjesëmarrësit e konferencës mbajtën frymën. Në një paraqitje retorike të shkëlqyer Bildt paraqiti qëndrimin e Bashkimit Evropian: Irani ka të drejtën e shfrytëzimit paqësor të energjisë bërthamore, por duhet të eliminojë dyshimet mbi programin e tij të pasurimit të uraniumit. Bildt donte të dinte nga Motaki, përse pasuron uranium Irani, megjithëse nuk ka program bërthamor civil me reaktorët përkatës.
"Irani ka një reaktor bërthamor, që nuk është plotësisht në gjendje pune dhe që furnizohet me lëndë djegëse nga Rusia. Megjithatë, Irani ka një program tejet të avancuar pasurimi. Kjo natyrisht ngjall dyshime. Për këtë arsye duhet të jetë në interes të Iranit që të ndjekë përcaktimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke pezulluar pasurimin dhe duke e zgjidhur çështjen në kuadër të Marrëveshjes së Mospërhapjes së Armëve Bërthamore."
Vërejtjet e Bildtit nuk e impresionuan Motakinë. Ai ose iu shmang pyetjeve precize të ministrit të jashtëm suedez, ose këmbënguli se Irani po u përmbahej së drejtës ndërkombëtare.
"Aktivitetet tona i nënshtrohen inspektimeve të IAEA-së. Ju flisni për pezullimin e pasurimit të uraniumit. Me e kemi bërë një gjë të tillë për më shumë se dy vjet me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Cili qe rezultati? Në fund ju i dhatë një paketë palës iraniane, me përmbajtjen kryesore: Nuk lejoheni të kini pasurim uraniumi në Iran."
Westerwelle: Armatosja bërthamore e Iranit e papranueshme për ne.
Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle reagoi i zhgënjyer ndaj paraqitjes së iranianit, i cili kishte ardhur papritur në Mynih.
"Dora jonë mbetet e zgjatur, por ajo nuk po shtrëngohet. Nëse ka vërtet një qasje të re për bashkëpunim, atëherë fjalët duhet të ndiqen nga vepra konkrete të Iranit."
Duke qenë se Iranin e kërcënojnë sanksione më të ashpra, për të cilat angazhohet para së gjithash SHBA-ja, qeveria në Teheran po lëviz pak: Ajo planifikon ta pasurojë jashtë vendit uraniumin e prodhuar në një reaktor kërkimor në Teheran. Marrëveshja në parim për këtë është arritur që tetorin e vitit të kaluar, tha Bildt duke kritikuar gjatë bisedës me Motakin, se hollësitë nuk ishte arritur të sqaroheshin, pasi nuk ishte realizuar takim midis negociatorëve iranianë dhe partnerëve në bisedime.
Zgjidhja e kësaj çështjeje nuk është e parëndësishme, tha edhe ministri i jashtëm gjerman Westerwelle, por ajo nuk prek konfliktin bazë:
"Marrëveshja me IAEA-në mbi reaktorin kërkimor në Teheran do të ishte një hap për krijimin e besimit, por nuk do të zëvendësonte negociatat për karakterin civil të programit bërthamor iranian. Armatosja bërthamore e Iranit është e papranueshme për ne. Ajo do të çonte në destabilizimin e krejt rajonit dhe në një dobësim, me gjasa fatal, të regjimit të mospërhapjes."
Këtë pozicion mbrojti edhe James Jones, këshilltari për sigurinë i presidentit amerikan Barack Obama. Ky i kishte ofruar Iranit bisedime pas ardhjes së tij në post.
"Dera mbetet e hapur, por ne e mbështesim politikën tonë në teorinë se një Iran me aftësi për armë bërthamore do të ishte i papranueshëm dhe i rrezikshëm për botën dhe do të shkaktonte një garë armatimi në Lindjen e Mesme."
Autor: Nina Werkhäuser/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica