1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel kritikon qartë politikën ruse

Ingo Mannteufel15 Gusht 2008

Rusia do të bënte mirë sikur t'i dëgjonte fjalët e qarta dhe tonet e sinjalet e ndërmjetme të kancelares gjermane.

https://p.dw.com/p/EyAI
Kancelarja Angela Merkel (majtas), dhe presidenti rus Dimitri Medvedev gjatë konferencës për shtyp pas takimit në Soçi
Kancelarja Angela Merkel (majtas), dhe presidenti rus Dimitri Medvedev gjatë konferencës për shtyp pas takimit në SoçiFotografi: AP

Gjatë përgatitjes para disa javësh të takimit mes kancelares Merkel dhe presidentit rus Medvedev në Soçi askush nuk kishte menduar se ai do të ishte një takim kaq i rëndësishëm. Rëndësinë këtij takimi ia dha presidenti gjeorgjian

Sakashvili, i cili donte të ripushtonte me forcën e armëve republikën rebele të Osetisë Jugore. Kështu Rusia jo vetëm iu përgjigj me dhunë sulmit gjeorgjian, por e shfrytëzoi këtë rast edhe për të vepruar ushtarakisht kundër vendit fqinjë duke hyrë thellë me tanke dhe artileri në territorin gjeorgjian.

Pikërisht këtë reagim ushtarak të Moskës Angela Merkel e kritikoi gjatë takimit me Medvedevin duke e quajtur si jo në përputhje me rrethanat. Në të njëjtin ton, pra të qartë por diplomatik kancelarja Merkel i bëri thirrje Rusisë që të vërë në jetë pa vonesë planin gjashtëpikësh dhe t'i tërheqë trupat ruse prej territorit të Gjeorgjisë. Vërtet që Medvedevi i justifikoi në një mënyrë tashmë të njohur veprimet e Rusisë, por do të ishte mirë që ai t'u vërë veshin toneve të ndërmjetme të fjalëve të Merkelit.

Sigurisht që vizita e zonjës Merkel dhe jo anulimi i saj - sikurse kërkuan politikanët e opozitës - është shenjë e bashkëpunimit të mirë që synon të ketë qeveria gjermane me Rusinë. Me këtë vizitë kancelarja theksoi se për të është e rëndësishme që me Rusinë të vazhdojnë kontaktet edhe në kohë të vështira. Dhe kjo nuk është e vetkuptushme në rast se shihen reagimet e vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe të NATO-s.

Megjithatë presidenti Medvedev dhe udhëheqja shtetërore ruse nuk duhet të jenë të sigurta se politika e jashtme gjermane do të reagojë gjithmonë në mënyrë konstruktive dhe e gatshme për kompromis me Rusinë, vetëm se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Marrëdhëniet gjermano-ruse janë edhe të brishta dhe të ndryshueshme.

Për këtë donte të tërhiqte vëmendjen kancelarja gjermane, kur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas takimit me Medvedvin bëri me një ton të qetë dhe thuajse të tërhequr paralajmërime indirekte në drejtim të Rusisë.

Me një ton deri tani të pazakontë për të ajo theksoi shumë qartë se Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen anëtare të NATO-s dhe se i hapur mbetet vetëm momenti se kur. Kjo deklaratë e saj nuk e përjashton kategorikisht zgjerimin e NATO-s deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Përveç kësaj zonja Merkel mbështeti pa ekuivoke këndvështrimin e SHBA-ve, që sistemi i mbrojtjes kundër raketave në Poloni dhe Çeki nuk drejtohet kundër Rusisë.

Të dyja këto deklarata të Merkelit nuk ishin të rastësishme, por më tepër të qëllimshme.

Kancelarja bëri të qartë përmes vizitës së saj se sa e interesuar është për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira me Rusinë. Në këtë pikë ajo duket se ndryshon prej SHBA-ve apo shteteve lindore të BE-së, të cilat kërkojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë.

Nga ana tjetër kancelarja theksoi edhe se ku Rusia e kishte kaluar kufirin, sepse pushtimi i pjeshëm i Gjeorgjisë prej trupave ruse dhe mosrespektimi i integritetit territorial të një shteti sovran nuk përputhen me strategjinë e Berlinit për bashkëpunimin me Rusinë. Këtë mesazh të Merkelit Kremlini duhet ta ketë kuptuar.