1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wagenknecht: Kongresi i parë i partisë në janar

2 Dhjetor 2023

Aleanca rreth Sahra Wagenknecht-it po i afrohet formimit të partisë. Ajo do të zyrtarizohet së shpejti. Shoqata tashmë ka mbledhur një milion euro. Kongresi i parë i partisë është planifikuar në fund të janarit.

https://p.dw.com/p/4Zggi
Sahra Wagenknecht ne podium, ne nje manifestim per paqen, 25.11.2023
Fotografi: Joerg Carstensen/picture alliance

"Aleanca Sahra Wagenknecht" (ASW) planifikon të mbajë kongresin e parë të partisë në Berlin më 27 janar. Lajmi bëhet i ditur nga "Der Spiegel” dhe agjencia e lajmeve dpa. Para kësaj, në fillim të janarit, partia e re do të themelohet zyrtarisht dhe do të pranohen rreth 400 anëtarët e parë. Sipas informacioneve të "Spiegel”-it, aktualisht po hartohen statutet.

Sahra Wagenknecht, anëtare prej shumë vitesh dhe ish-drejtuese e grupit parlamentar të Partisë E Majta në Bundestag, dha dorëheqjen nga partia në tetor së bashku me nëntë deputetë të tjerë. Deri tani, aleanca ka ekzistuar vetëm si shoqatë dhe ende nuk është parti. Aktualisht po bëhen përgatitjet për themelimin e një partie dhe po mblidhen donacione.

Shumë shtatëshifrore në donacione

Arkëtari i shoqatës, Ralph Suikat tha për "Süddeutsche Zeitung": "Ne do të arrijmë një shumë shtatëshifrore në ditët në vijim." Ai shtoi se "në vështrim të parë duket shumë, por partitë e mëdha shpenzojnë dhjetëra miliona për një fushatë elektorale. Në këtë kuptim jemi të kënaqur, por kemi ende shumë për të bërë."

Wagenknecht-i i tha SWR se donacionet variojnë nga shuma njëshifrore në shuma pesëshifrore. "Fatmirësisht kemi marrë shumë donacione, shumë donacione të vogla”. Ajo po ashtu konfirmoi se themelimi i partisë është caktuar për në janar.

Konferenca e shtypit për themelimin e partise, Sahra Wagenknecht
Fotografi: Florian Gaertner/photothek/picture alliance

Partia e re dëshiron të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm dhe, nëse është e mundur, në tre zgjedhjet e landeve federale në Turingen, Saksoni dhe Brandenburg. Degët rajonale të partisë së re do të krijojen fillimisht vetëm në lindje të Gjermanisë.

Kur u pyet nëse partia e saj e re do të jetë gjithashtu e majtë, Wagenknecht-i iu shmang përgjigjes: "Shumicës së njerëzve nuk u hyjnë më në punë këto etiketa. Unë mendoj se ne do të përfaqësojmë qendrën e shoqërisë". Ajo dëshiron të bëjë politikë për njerëzit që "janë të humbur, të cilët nuk kanë vërtet një zë në politikë". Por ajo gjithashtu dëshiron t'u drejtohet njerëzve me të ardhura mesatare ose sipërmarrësve që shqetësohen për standardin e tyre të jetesës.

Ndër katër prioritetet e partisë që do të themelohet, Wagenknecht përmend politikën e arsyeshme ekonomike dhe energjetike, drejtësinë sociale, paqen dhe lirinë e shprehjes.

Ekspertja: Mund të cënohet ligji i partive

Sipas juristes dhe studiueses së partive Sophie Schönberger, qasja e Aleancës Sahra Wagenknecht mund të jetë ligjërisht problematike. Rregullat për financimin e partive janë shumë më të rrepta se ligji për shoqatat, tha ajo për Süddeutsche Zeitung. Lind dyshimi se qëllimi i shoqatës është të anashkalojë ligjin partiak. Partitë nuk kanë të drejtë të marrin donacione nga vendet e tjera të BE, por shoqatat lejohen.

Arkëtari Suikat siguroi se Aleanca nuk pranon donacione të huaja. Edhe para se të themelohej partia, shoqata sillet sikur të ishte subjekt i ligjit partiak. Sipas Wagenknecht-it, donacionet e mbledhura do të transferohen kur partia të themelohet në fillim të janarit.