Afganistan: Perëndimi mbylli sytë para realitetit deri në fund | Bota | DW | 20.08.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Afganistan: Perëndimi mbylli sytë para realitetit deri në fund

Kishte kohë që ishte bërë i qartë dështimi i ndërkombëtarëve në Afganistan, por perëndimi nuk donte të pranonte faktet, shkruan Emran Feroz në esenë e tij.

"Me gjasë ka për të qenë si herën e fundit. Ata do ta marrin Kabulin brenda natës", më tha Ahmad Javedi, 30 vjeçari nga Kabuli të shtunën e kaluar. (14.08.) Kur talibanët hynë në kryeqytetin Kabul para 25 vitesh, Javedi ishte fëmijë, por atë ditë e kujton mirë. Papritur luftëtarët talibanë erdhën, në një kohë që përfaqësuesit e qeverisë së muxhahedinëve, që ishin luftuar me njëri-tjetrin me vite, morën arratinë. 20 vite pas fillimit të pushtimit të NATO-s në vend, ky skenar mund të përsëritet. "Ditët e fundit kanë treguar, se ata shpejt do jenë këtu."

Pak më vonë parashikimi i tij u bë realitet. Pasi talibanët pushtuan në ditët e mëparshme kryeqytetet kryesore të provincave, të dielën ata marshuan në Kabul. Në shumë raste ushtria dhe policia i kishin braktisur postet, që para ardhjes së kryengritësve në qytet. Në të njëjtën kohë presidenti afgan, Ashraf Ghani mori arratinë bashkë me ekipin e tij. Ai u soll kështu si një guvernator neokolonialist, e si të tillë e shikonin jo vetëm talibanët, por edhe shumë afganë që nuk përfitoninn nga aparati i tij shtetëror i korruptuar.

Sipas disa raportimeve, njerëzit e Ghanit i mbushën xhepat me para para se të largoheshin. Ishte Ghani, i cili ishte shprehur, se nuk kishte simpati për ata afganë që merrnin arratinë, se në fund të fundit ata mund të punonin vetëm si pjatalarës në perëndim. Pas arratisë së Ghanit, talibanët morën pallatin presidencial dhe pozuan madje edhe para tavolinës së tij të punës. Një nga komandantët prezentë vetëm pak më vonë në një konferencë shtypi të improvizuar për televizionin Al-Xhazira, tha, se ai kishte qenë për 8 vjet në Guantanamo dhe ishte torturuar nga amerikanët. Rastësi? Ndoshta jo. Në vend të kësaj u bë e qartë, se "lufta kundër terrorit" e amerikanëve radikalizoi shumë vetë në Afganistan, dhe shumë prej tyre nuk e kanë harruar atë deri më sot.

Vetëm amerikanë të bardhë në bord?

Ngjarjet pasuan njëra-tjetrën. Turma njerëzish vërshuan në Aeroportin e Kabulit, ku trupat amerikane po evakuonin qytetarët e tyre. Kaosi vazhdoi. Disa vetë që u ngjitën tek një avion amerikan humbën jetën në përpjekjen e tyre për t'u arratisur. Në këtë kohë ushtarët amerikanë qëlluan edhe në mesin e turmës së afganëve të dëshpëruar. "Një i afërm i imi u vra. Ai ishte mjek", rrëfeu Sangar Paykhar, një gazetar afgano-holandez dhe podcaster. Autorja dhe aktivistja amerikane, Nadia Hashemi madje akuzoi, se afganëve amerikanë pjesërisht nuk iu lejua të hynin në avionë. Arsyeja: Ata nuk ishin amerikanë të bardhë.

Shiko videon 01:33

Gratë afgane i tremben kthimit të talibanëve

Skenat e fundit nga Kabuli kanë bërë më se të qartë, se misioni perëndimor në Afganistan dështoi. Gjatë fjalimit të tij, presidenti amerikan, Joe Biden nuk i përmendi me asnjë fjalë afganët që u vranë në dy dekadat e fundit në luftën amerikane kundër terrorit. Në vend të kësaj fjalët e tij përmbanin mohimin e realitetit dhe injorancën. Fituesit e vërtetë të luftës nuk janë në Shtëpinë e Bardhë, por në Kabul.

Makineri lufte të SHBA për talibanët

Kaq të fuqishëm si tani talibanët nuk kanë qenë kurrë. Vetëm në ditët e fundit ata morën për vete aparatura lufte të teknologjisë së lartë nga prodhimi amerikan. Përveç provincës Panjsher, në veri të Kabulit, e njohur për rezistencën kundër talibanëve, ekstremistët kontrollojnë gati të gjithë Afganistanin. Kësaj i shtohet fuqizimi politik në skenën ndërkombëtare, për të cilën ata punuan vitet e fundit.

Bildergalerie | Weltweite Anteilnahme für Afghanistan nach Machtübernahme durch die Taliban

Demonstrues në Londër protestojnë kundër marrjes së pushtetit nga talibanët

Një sërë analizash e prognozash të bëra për marrjen e pushtetit nga talibanët duhet të korrigjoheshin këto ditë. Shërbimi sekret amerikan, CIA të shtunën e kaluar madje ishte i mendimit, se do duhen 30 deri në 90 ditë që Kabuli të pushtohet. Në fund gjithçka ndodhi brenda 24 orësh. Madje analistë të njohur në Uashington mbetën pa fjalë. Bill Roggio, nga Instituti konservator i djathtë, "Foundation for the Defense of Democracies" e cilësoi marshimin e suksesshëm të talibanëve si një nga "dështimet më të mëdha të shërbimeve sekrete të dekadave të fundit". Strategjia e luftës së talibanëve, sipas Roggios, është "për dreq brilante". Ekstremistët u fokusuan në veri të vendit para se të merrnin qytete të tjera.

Si ndodhi dështimi?

Ka disa arsye për këtë. Shumë shkaqe për dështimin e perëndimit u mënjanuan dhe injoruan me vite, jo vetëm sepse perëndimi donte të ruante fytyrën, por edhe sepse pas kaq vitesh nuk e njihte mirë Afganistanin. Praktikisht të gjitha distriktet e atyre kryeqyteteve të provincave që ranë para Kabulit kishte vite që kontrolloheshin nga talibanët. Talibanët ishin vendosur aty, vepronin e qeverisnin në hije. Në rajonet malore ekstremistët kishin kohë që kishin zënë vend, edhe për shkak të korrupsionit masiv në kryeqytet, si edhe të operacioneve të shumta ushtarake të NATO-s e aleatëve afganë.

Afghanistan I Flughafen in Kabul

Në përpjekje për të hyrë në aeroportin e Kabulit

Viktimat e perëndimit

Sulmet me drone dhe bastisjet brutale netëve shkaktuan rregullisht viktima civile në fshatrat afganë. Shumë familjarë të viktimave u bashkuan me talibanët në një mënyrë apo tjetër. Ky ishte de facto edhe rasti para portave të Kabulit. Shumë kohë para zhvillimeve të fundit, mjaftonte një udhëtim 20-30 me automjet që të hyje në zona talibanësh.

Por me realitete të tilla nuk donin të merreshin përgjegjësit e qeveritë e perëndimit. Në vend të kësaj ata iu dhanë vetëadhurimit. Flitej për "vlera bindëse tonat" dhe fokusimi ishte tek ato që ishin arritur në Afganistan këto 20 vite. Flitej për demokraci, megjithëse në 20 vitet e fundit nuk u bë asnjë transferim demokratik pushteti në Afganistan.

Elita të korruptuara

Kjo nuk lidhej me ata afganë që rrezikuan jetën kur shkonin të votonin, por me elitat e korruptuara, që u sollën në Kabul nga SHBA. Njerëz si Hamid Karzai apo Ashraf Ghani e shfrytëzuan sistemin e ri për qëllimet e tyre dhe manipuluan rregullisht zgjedhjet për të qëndruar në pushtet. Po kështu vepruan edhe aktorë të brendshëm afganë, mes tyre një numër lordësh të luftës dhe baronë të drogës, që u bënë aleatët më të ngushtë të perëndimit në Hindukush. Ata u pasuruan personalisht falë fondeve të huaja, e çuan jashtë miliarda dollarë. Ata u bënë përfituesit e mëdhenj të luftës, me krijimin e sipërmarrjeve private të sigurisë, për të penguar gjoja sulmet që do të kryheshin ndaj NATO-s. Në emër të rrezikut terrorist u nënshkruan marrëveshje fitimprurëse.

Më së voni që nga viti 2019 është e njohur, që Uashingtoni e të tjerë kishin dijeni për këto devijime. Atë vit u botuan "Afghanistan Papers" nga "Washington Post", ku më shumë se 400 zyrtarë të lartë amerikanë pranonin pak a shumë dështimin në Afganistan. Detajet përkatëse për këtë u mbajtën sekret.

Emran Feroz

Emran Feroz

Por edhe për këtë nuk do të flasë askush sot. Në vend të kësaj theksohet, se talibanët i zunë në befasi Afganistanin dhe perëndimin. Me gjasë u përpoqëm për të mirën në bazë të asaj që dinim, por kjo nuk ndihmoi. Pas një ndërhyrjeje të dështuar 20 vjeçare, që u kushtoi jetën qindra mijëra afganëve dhe miliona të tjerë i ktheu në refugjatë, perëndimi nuk ka humbur vetëm interesimin për Afganistanin: Ai as nuk ndjehet bashkëpërgjegjës për mjerimin e atjeshëm. "Ata janë kështu. Ky nuk është faji ynë", dëgjohet tenori relativizues kulturor. Këto ditë ai jehon fort.

Emran Feroz është austriak me rrënjë afgane dhe shkruan prej vitesh për situatën në Hindukush në mediat gjermane si "Die Zeit", "taz", "tageszeitung", "WOZ", por edhe për media amerikane si "New York Times" dhe CNN. Analiza e tij "Lufta më e gjatë -20 vite luftë kundër terrorit" do të publikohet në gusht.