Abazoviç: Nuk i ndryshojmë kufijtë, i bëjmë ato të padukshme | Ballkani | DW | 17.07.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Abazoviç: Nuk i ndryshojmë kufijtë, i bëjmë ato të padukshme

Forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve u theksua në kuadër takimeve gjatë vizitës së parë zyrtare në Tiranë tëzv/kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me politikanët drejtues të Shqipërisë.

Vizion i përbashkët drejt së ardhmes europiane, projekte konkrete për rritje të bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në këto dy tema u përqëndruan bisedimet mes autoriteteve të Shqipërisë me zv/kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili të premten (16.07) zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë.

Forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve

"Patëm dakortësi në çdo pikë” shkruajti kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në median sociale në përfundim të takimit me zv/kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç pa dhënë detaje. Lidhur me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve detajet i dha vet Abazoviç në deklaratat e tij pas takimit me kryeministrin Rama: "Kemi biseduar për rikonstruksion të hekurudhës që lidh dy vendet, një pikë dalëse të autostradës së gjelbër dhe ndërtimin e një ure për të lidhur Velipojën me Ulqinin, heqjen e kartonit jeshil me vlerë 15 euro për qytetarët shqiptarë që shkojnë në Malin e Zi,” ka bërë me dije Dritan Abazoviç.

Lidhur me rrugëtimin drejt hyrjes në BE, këndvështrimi i politikanit të ri  shqiptar në qeverinë e Malit të Zi përkon me nismën e krijimit të një Shengeni Ballkanit, të rimarrë në fillim të këtij muaji, më 6 korrik, në Samitin on-line të Berlinit, në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai ka theksuar edhe domosdoshmërinë e mosndryshimit të kufijve egzistues në Ballkanin Perëndimor, të artikuluar me këmbëngulje dhe konseguencë nga Gjermania.

Drejt BE me kufijtë egzistues

Krijimi i Shengenit Ballkanik, një nismë e kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe presidentit të Serbisë, Aeksandër Vuçiç. Kjo nismë konsiderohet nga këto vende si "strategji që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik e shoqëror të Ballknait Perëndimor,(BP) dhe shkurtojë kohën e anëtarësimit të vendeve të rajonit duke garantuar katër liri themelore: lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve”

Kësaj nisme deri tani i janë bashkuar vetëm tre vende të BP: Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria që së fundi kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi gjatë pandemisë COVID-19  si edhe një marrëveshje që u mundëson shqiptarëve dhe serbëve të udhëtojnë vetëm me karta identiteti.

Në Samitin on-line të BP, në Berlin, në kuadër të procesit të Berlinit, në fillim të korrikut kryeministri Rama theksoi, se "tre vendet kanë vendosur të ecin sa më shpejt që të jetë e mundur drejt hyrjes në BE dhe mirëpresin edhe vendet e tjera të rajonit.”

Deklaratat e zv/kryeministrit të Malit të Zi Abazoviç në Tiranë duke folur për "kufij të padukshëm" kanë lënë të kuptohet mbështetjen e tij pë rnismën e konkretizimit të Shengenit Ballkanik, pra realizimit të katër lirive të sipërmendura mes gjashtë vendeve të rajonit.

"Çdo vend i Ballkanit Perëndimor duhet të shkojë drejt Bashkimit Europian me kufijtë ekzitues. Nuk i ndryshojmë kufijtë, i bëjmë ato të padukshme”, që në praktikë realizohet duke garantuar katër liritë themelore: lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Hapja e një pike të re kufitare mes dy vendeve

Hapja së shpejti e një pike të re kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë është bërë publike nga takimi i zv/kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviç, me ministrin e Brendshëm Çuçi.

"Rritja e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kontrollin e kufirit Shqipëri - Mali i Zi, aksionet e përbashkëta policore kundër trafikut dhe krimit të organizuar, si dhe monitorimi i situatës përgjatë sezonit turistik  ka qënë në fokus të takimit tonë, ” theksoi ministri Çuçi në përfundim të takimit.Ai vuri në dukje që së shpejti "do të bëhet funksionale një pikë e re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të lehtësuar më tej qarkullimin e njerëzve dhe kapitalit. Dy vendet kanë ende një hapësirë bashkëpunimi të pashfrytëzuar. Vizita për herë të parë e një përfaqësuesi të lartë të qeverisë së Malit të Zi nga radhët e shqiptarëve, është një premisë e mirë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve, adresuar për zgjidhje problemesh të ndryshme të trashëguara nga e kaluara apo të krijuara rishtaz”, tha ministri i Brendshëm Çuçi.

Gjatë qëndrimit nëTiranë, zv/kryeministri i Mali të Zi Abazoviç zhvilloi takime me presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. "Është koha për  një frymë të re europiane në të gjithë trevat tona. Detyra jonë si politikanë, është të bëjmë maksimumin që të fusim më shumë etikë në jetën politike, të bëjmë gjëra konkrete. Të gjithë bashkë që t'i përshtatemi vlerave europiane”, citohet zv/kryeministri i Malit të Zi pas takimit me Bashën.