Abaz takohet me Bushin | FOKUS | DW | 20.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Abaz takohet me Bushin

Palestinezët presin shumë nga presidenti i tyre Mahmud Abaz.

Mahmud Abaz në Uashington

Mahmud Abaz në Uashington

Presidenti amerikan Xhorxh Bush pret sot në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë brenda gjashtë muajsh presidentin e palestinezëve Mahmud Abaz. Presidenti Abaz ndodhet nën presion të madh politik dhe ajo çka i duhet urgjentisht janë sukseset edhe në politikën e brendshme. Këtë e dëshmon edhe reportazhi në vazhdim i Torsten Techmann i cili ka vizituar tre qytete në Rripin e Gazës.

Stacioni i parë ndodhet në afërsi të qytetit Kan Junis: një fushë plot rërë në bregdetin e Rripit të Gazës. Gjithçka duket e shkretë dhe e harruar, krijohet përshtypja se këtu nuk mund të rritet asgjë. Pas tërheqjes së trupave izraelite, para disa kohësh, Kalil El-Abadlës i është kthyer sërish prona e tij. Ai ka filluar menjëherë punën me të - një pamje e rrallë në Rripin e Gazës.

"E tëra varet tani si do të rrjedhin gjërat në kalimet kufitare. A do të kemi qasje në tregje. Unë garantoj se nëse do të na jepet e drejta të plasojmë mallërat tona në Izrael si një herë e një kohë, atëherë do të punoja sa të më dilte shpirti", sqaron El-Abadla.

Por kufijtë qëndrojnë aktualisht të mbyllur, jo vetëm për mallrat palestineze nga Rripi i Gazës por edhe për njerëzit. Përkundër tërheqjes Izraeli nuk dëshiron të lëshoj nga duart tërë kontrollin mbi rajonin. Qeveria izraelite kërkon informata për hyrje-daljet në vend. Këto statistika për shembull, për momentin nuk mund të bëhen në kalimin kufitar Rafah në jug-perëndim të kufirit me Egjiptin.

Kamil El-Shani është drejtues i fshatit të fëmijëve SOS në Rafah. Ai përkujdeset për fëmijët jetim. Shkolla e cila ndodhet në hapesirat e fshatit është plot vrima plumbash njësoj si shtëpitë e tjera të rrethinës. Por El-Shani sqaron me krenari, se përkundër të gjitha luftimeve në Rafah nuk është plagosur asnjë prej fëmijëve të tij.

"Ne kemi shpresuar gjthmonë. Unë them se pas luftës kthehet paqja, kjo është e qartë. Mendoj se ne jemi në rrugë të mirë që të ketë paqe në rajon", sqaron El-Shani.

Qetësia e javëve të kaluara ka ndihmuar që fëmijët të përqëndrohen më mirë, sqaron El-Shani. Tërheqja e trupave ushtarake e ka bërë jetën më të lehtë. Ai tani me kënaqësi do të udhëtonte diku me fëmijët që tu tregoj atyre diçka tjetër dhe ti largoj nga gërmadhat e Rafahut.

"Ne kemi një ëndërr, që të dilet njëherë nga Rripi i Gazës, të paktën gjatë kohës së verës", thotë El-Shani.

Përderisa nuk ka lëvizje të lirë në Rripin e Gazës nuk mund të përparoj asgjë, thonë shumë palestinezë. Nëse edhe kësaj radhe negociatat dështojnë, atëherë hidhërimi nuk do të drejtohet vetëm kundër Izraelit, por edhe kundër autoriteteve autonome të presidentit palestinez Mahmud Abaz. Abaz ka nevojë për suksese, pa marrë parasysh se si sillet Izraeli. Nga ai pritet shumë edhe në qytetin e Gazës - stacionin e tretë të vizitës sonë në Lindjen e Mesme.

Në rrugët e qytetit të Gazës nuk ka shenja të ndonjë ndryshimi të madh, përveç pankarteve të Fatahut apo Hamasit me të cilat festojnë tërheqjen izraelite. Në rajonin ku dikur ndodhej ngulimi hebrej Gush Kartif ka filluar ndërtimi i banesave i cili financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Tre stacione në një rajon dhe një konkludim: në Rripin e Gazës udhëheqja izraelite dhe palestineze kanë ende obligime në pjesët e njëjta, nëse tërheqja arbitrare duhet të shpiej përfundimisht drejt një gjendje stabile në Lindjen e Mesme.


  • Data 20.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiE
  • Data 20.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiE