1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

291109 Referendum Schweiz

30 Nëntor 2009

Edhe pse qeveria zvicerane kishte kërkuar me forcë që ndërtimi i minareve të mos ndalohet, në referendumin e zhvilluar të dielën shumica e votuesve u shprehën pro ndalimit.

https://p.dw.com/p/Kkpa
Minarja e xhamisë së Mahmudit në Cyrih
Minarja e xhamisë së Mahmudit në CyrihFotografi: AP

Gati 58 për qind e zvicerianëve nuk dëshirojnë të kenë minare në vendin e tyre. Rezultati i votimit ishte i papritur për qeverinë zvicerane. Parashikimet e fundit flisnin gati për një refuzim të referendumit. Para së gjithash në pjesën e Zvicrës gjermane votimi doli i qartë. Vetëm në disa kantone të Zvicrës perëndimore dhe në qytetin e Bazel-it shumica e votuesve ishin shprehur që të mos ndalohet ndërtimi i minareve.

Referendumi u organizua nga politikanë populistë të djathtë, të mbështetur nga Partia Popullore Zviceriane (SVP). Iniciatorët u shprehën të kënaqur me rezultatin e referendumit dhe e vlerësojnë po-në për ndalimin e minareve si votë të zviceranëve, që janë kundër një islamizimi të mëtejshëm të vendit.

Politikani I SVP-së Walter Wobmann tha: “Ne duam thjesht të pengojmë ato zhvillime që do të bënin që feja islame, feja politike islame të instalohet edhe në Zvicër, sikurse po ndodh në disa shtete të tjera evropiane. Ne jemi tani akoma në fillim të këtij zhvillimi dhe mundemi ta ndalojmë. Tani që arritëm një po për iniciativën tonë ”Ndal minareve”, kjo natyrisht është një shenjë shumë, shumë e fortë.”

Berna ka frikë se vota kundër minareve do të shoqërohet me reagime negative nga bota myslimane

Qeveria zvicerane i kishte bërë thirrje popullit të votonte kundër kësaj nisme. Berna ka frikë se kjo do të sjellë reagime negative në vendet myslimane.

Walter Wobmann nuk beson se rezultati i referendumit mund ta dëmtojë pozitën e Zvicrës jashtë: “Ne kemi sigurisht të drejtë që shoqërinë tonë, në vendin tonë, ta rregullojmë vetë dhe ta organizojmë vetë sipas asaj që dëshirojmë ne. Dhe këtë natyrisht duhet ta pranojnë edhe jashtë vendit. Dhe unë jam i bindur që edhe na vlerësojnë. Ne nuk i kritikojmë vendimet e popullit të shteteve të tjera”:

SVP ishte e vetmja parti e madhe që shprehu shqetësim për ndalimin e minareve. Sipas vlerësimit të vëzhguesve të referendumit kjo parti ka bërë një mobilizim të pashembullt të popullit.

Në kushtetutë Zvicra garanton lirinë e fesë

Me më shumë se 50 për qind, pjesëmarrja në këtë votim paraqitet këtë radhë më e larta në krahasim me votimet e tjera. Në reagimet e para, politikanët e partive të tjera deklaruan se e kishin nënvleftësuar frikën në popull ndaj islamizimit dhe që politikanët zviceranë duhet ta pranojnë tani këtë pasiguri.

Se si do të vihet konkretisht në jetë rezultati i referendumit është ende e paqartë. Zvicra në kushtetutën e saj garanton lirinë e fesë. Probleme të mëdha priten tani me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Zvicra është nënshkruese e Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe është e sigurtë që gjykatësit në Strasburg nuk do ta konsiderojnë pozitiv diskriminimin e myslimanëve në Zvicër.

Autor: Claudia Witte/ Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktor: Pandeli Pani