Mbretëri e Bashkuar: Laburistët drejt një fitoreje të thellë
5 Korrik 2024Pas 14 vjetësh qeverisjeje konservatore në Downing Street Nr 10 duket se do të ketë ndryshim politik.
Sipas përllogaritjeve paraprake pas mbylljes së qendrave të votimit në 650 zonat elektorale në Britaninë e Madhe Partia Laburiste ka fituar shumicën dërrmuese në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
Partia Laburiste e Keir Starmer ka fituar 410 vende dhe një shumicë parlamentare prej 170 deputetësh.
Konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak kanë fituar sipas përllogaritjeve paraprake vetëm 131 vende. Liberalët fituan 61 vende, Partia Reformatore e Nigel Farage 13 dhe partia skoceze SNP 10 vende.
Për Partinë Konservatore dhe kryeministrin aktual Rishi Sunak, këto zgjedhje shënojnë performancën më të keqe të kësaj partie.
Fitore personale për Keir Starmer
Fitorja dërrmuese e Partisë Laburiste përfaqëson një fitore personale për drejtuesin e partisë Sir Keir Starmer, i cili megjithë kritikat për një fushatë elektorale defensive, do të bëhet kryeministri i parë laburist i Mbretërisë së Bashkuar që nga Gordon Brown në vitin 2010.
Alastair Campbell, ish-këshilltari i Brown dhe paraardhësi dhe aleati i tij Tony Blair, i cili fitoi një shumicë të ngjashme të madhe në 1997, tha për radion Channel 4: "Askush nuk duhet ta nënvlerësojë kurrë Keir Starmer".
Harriet Harman, anëtare e parlamentit laburist nga viti 1982 deri 2024, tha: "Është një moment për shpresë dhe ndryshim".