1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen: “Një epokë e re e sigurisë evropiane”

7 Korrik 2026

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në kuadrin e samitit të Aleancës në Ankara u shpreh për një revolucion transatlantik të industrisë së mbrojtjes.

https://p.dw.com/p/5GjNU
Fotografi në grup e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s të mbledhur në Ankara për samitin dyditor të aleancës.
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në Ankara për samitin dyditor të aleancës.Fotografi: Yves Herman/REUTERS

Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti Turqinë "një partner dhe aleat të rëndësishëm” gjatë takimit me homologun e tij turk, Recep Tayip Erdogan.

Në një postim në llogarinë e tij në X, Merz falënderoi gjithashtu Erdoganin për "mikpritjen” në Ankara. Të dy liderët u takuan në kuadër të vizitës së Merzit në Turqi për samitin dyditor të NATO-s,që zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.

Kancelari gjerman Friedrich Merz i shoqëruar nga një punonjëse truke e protokollit pas mbërritjes në aerportin e Ankarasë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz në aeroportin e AnkarasëFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Fillimisht liderët e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në kompleksin presidencial në Ankara për darkën me Erdoganin.

Krahas udhëheqësve të vendeve anëtare mernin pjesë në darkë edhe të ftuar të tjerë nderi në kompleksin madhështor presidencial të Recep Tayip Erdoganit, përpara ditës kryesore politike të samitit që zhvillohet të mërkurën (08.07.2026).

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan me bashkëshorten e tij duke pritur në aerportin e Ankarasë presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump u prit në Ankara nga presidenti turk Recep Tayip Erdogan dhe bashkëshortja e tijFotografi: Jonathan Ernst/REUTERS

Ndërsa presidenti i SHBA-së Donald J. Trump ndodhej më herët në ndërtesë për bisedime dypalëshe me Erdoganin, liderë të tjerë mbërritën në vendin e takimit, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, kryeministrin kanadez Mark Carney, kryeministrin bullgar Rumen Radev dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.

Erdogani dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdogan, i pritën mysafirët në hyrje të ndërtesës luksoze duke ecur mbi tapetin e kuq pranë gardës ceremoniale të veshur me uniforma historike ushtarake.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen duke folur me mikrofon në dorë në një konferencë në Ankara.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der LeyenFotografi: Yves Herman/REUTERS

Von der Leyen bën fjalë për "një epokë e re e sigurisë evropiane”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është ndër liderët që marrin pjesë në samitin e NATO-s në Ankara.

"Kemi hyrë në një epokë të re të sigurisë evropiane. Shtetet anëtare të BE-së po riarmatosen për të mbrojtur Evropën dhe, njëkohësisht, për të forcuar aleancën,” shkroi von der Leyen në rrjetet sociale.

"Ato po rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen. Evropa po ringjall bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe po krijon vende të mira pune në Evropë,” tha ajo në X. Në Ankara, von der Leyen theksoi nevojën për "një rritje masive të investimeve në mbrojtje”.

"Dhe këtu Bashkimi Evropian po merr masa të mëdha,” tha ajo, duke përmendur programin ‘Rearm Europe', i cili synon të investojë 800 miliardë euro në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2030.

Rutte thirrje për një "revolucion transatlantik të industrisë së mbrojtjes”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po kërkon një ndryshim të madh në industrinë ushtarake dhe po promovon një "revolucion transatlantik të industrisë së mbrojtjes”.

"Zhurma e makinerive duhet të kthehet në një gjëmim,” tha Rutte në një forum të industrisë së mbrojtjes të NATO-s në Ankara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte duke folur në pultin e referuesit në një konferencë në kuadrin e samitit të aleancës në Ankara.
Kreu i NATO-s, Mark Rutte, bën fjalë për një revolucion në industrinë e mbrojtjes.Fotografi: Ismail Aslandag/Anadolu Agency/IMAGO

"Industria në të gjitha vendet e përfaqësuara këtu duhet të jetë e gatshme të marrë më shumë rreziqe. Kërkesa ekziston dhe ju e dini këtë,” shtoi ai.

"Duhet të sigurohemi që fuqinë tonë ekonomike po e shndërrojmë në kapacitete ushtarake, duke i kthyer fondet në veprim – nga planet e mbrojtjes te dronët, nga paratë te raketat dhe sistemet e interceptimit,” tha Rutte.

Të martën, NATO prezantoi një seri projektesh ushtarake me vlerë miliarda dollarë. Rutte deklaroi: "Janë para të shpenzuara mirë.”

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar aleancën si një "tigër prej letre”, duke thënë se ajo nuk do të funksiononte pa armët dhe udhëheqjen amerikane.

 

Felix Tamsut | Mark Hallam | Kieran Burke with dpa, AFP, Reuters, AP