Vetëbesimi i ri kulturor i Shqipërisë | Shkenca & Edukimi | DW | 25.01.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shkenca & Edukimi

Vetëbesimi i ri kulturor i Shqipërisë

Pas nënshkrimit të partneritetit kulturor mes Shqipërisë dhe rrjetit të përkthimit "traduki" në Tiranë, hapen shanse të reja. Shqipëria nuk është më vetëm fondmarrëse, por edhe ndikuese në kulturat europiane.

Traduki projekt

"Përkthimi është përballja me kulturën e Tjetrit", tha ministrja e Kulturës në Tiranë, Mirela Kumbaro, të martën më 21 janar, ditën e nënshkrimit të partneritetit të rrjetit europian të përkthimit "traduki" me Shqipërinë. Për të shkuar tek kjo përballje me kulturën e panjohur të Tjetrit nevojiten mekanizma mbështetës për projekte përkthimi si nga gjuha gjermane në shqip, apo anasjelltas, por edhe ndërmjet gjuhëve të vendeve të rajonit. Në një mekanizëm të tillë përkrahës për përkthimin gjithmonë në vështirësi financimi është kthyer prej vitesh "traduki", një rrjet europian me 14 vende anëtare, i mbështetur nga fondacioni gjerman S. Fischer, Ministria e Jashtme gjermane, ajo zvicerane dhe austriake e Kulturës, Kulturkontakt Austria, Fondacioni Kulturor, seksioni kulturor i qeverisë i Liechtenstein-it, dhe fondacioni Pro Helvetia.

Albanien wird Mitgliedsland von traduki

Ministrja e Kulturë Mirela Kumbaro duke nënshkruar marrëveshjen me Antje Contius, drejtoresha ekzekutive e fondacionit S.Fischer(majtas)

Pas Sllovenisë e Kroacisë tanimë Shqipëria renditet e treta në rajon si partnere me të drejta të plota. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cilëson nënshkrimin e partneritetit si kurorëzimin e një bashkëpunimi të filluar më herët. "Tanimë Shqipëria nuk është më thjesht vetëm aplikuese në projekte, por ka mundësi të ketë edhe një zë në vendimmarrje, në politikat e këtij fondacioni, në mënyrë që njerëzit e letrave në Shqipëri të mund të përfitojnë edhe më thellësisht nga programet. Shteti i mbështet aktorët e letrave shqipe edhe me kontributin financiar dhe institucional brenda këtij rrjeti, pra me qëllim një përfitim më të madh programesh."

Shans për daljen nga izolimi kulturor

Kjo fazë e re bashkëpunimi me rrjetin traduki do të duhej të sillte edhe çarjen përfundimtare me epokën e izolimit kulturor që e ka shoqëruar Shqipërinë prej vitesh, mendon shkrimtari Arian Leka, një bashkëpunëtor prej vitesh i tradukit. "Nënkuptimi themelor i këtij bashkëpunimi është hapja e skenës për të gjithë aktorët veprues në fushën e librit dhe kjo do të thotë në radhë të parë shkrimtarët, pas tyre përkthyesit dhe pas tyre botuesit. Ajo që është më e prekshme është mundësia për të gjetur rrugët se si letërsia vetë ta çajë izolimin, në të cilin është ngërthyer, autorët shqiptarë të botohen në gjuhët rajonale dhe në gjermanisht, siç edhe rrjeti e përcakton qartë, dhe të gjithë këtë aksion ta mbajë në veprim përmes shtëpive të shkrimtarëve, bursave për shkëmbime mes shkrimtarëve në rajon."

Tanimë Shqipëria do të jetë një partnere kontribuese financiarisht, dhe jo vetëm një vend pritës për fonde. Vota e saj në bordin drejtues të "traduki"-t dhe komisionin përzgjedhës do të jetë e njëjtë me atë të Gjermanisë, Zvicrës, apo Kroacisë.

Shkrimtari shqiptar, Arian Leka

Shkrimtari shqiptar, Arian Leka

Mundësi ndikimi për Shqipërinë

Antje Contius, drejtoresha ekzekutive e fondacionit S.Fischer e sheh seriozitetin dhe angazhimin e Ministrisë së Kulturës në Tiranë për ta bërë Shqipërinë një vend anëtar me të dreja të plota si një shenjë të njohjes dhe vlerësimit, që i bëhet punës së "traduki"-t në vend. "Jemi të lumtur për këtë, pasi traduki është një marrë-dhënie private dhe publike mes institucioneve të ndryshme. Fakti që Ministria e Kulturës është në bordin e "traduki"-t është edhe sinjal i ri që vjen nga Shqipëria, ajo bëhet pjesë e një grupi prej 11 kontribuesish financiarë e 14 vendesh anëtare. Shqipëria tanimë ka mundësinë të ndikojë në rrjetin "traduki" dhe nuk është më thjesht një vend vetëm pritës."

Po si do të funksionojë konkretisht ky bashkëpunim? Antje Contius: "Shqipëria do të fusë një fond të sajin në arkën e përbashkët financiare, ky projekt mund të ekzistojë vetëm nga mjetet që ofrojnë bashkëpunuesit. Ka një bord të "traduki"-t, ku Shqipëria është e përfaqësuar tani me votë, kemi edhe jurinë ku vendoset për projektet kulturore, ku Shqipëria vendos bashkë me vende si Gjermania, Austria, apo Liechtenstein-i."

Antje Contius, drejtoresha e fondacionit, S.Fischer

Antje Contius, drejtoresha e fondacionit, S.Fischer

Shtëpitë botuese, shkrimtarët, autorët, studiuesit e letrave kanë tani një mbështetje më shumë në punën e tyre, dhe dy dyer të hapura për projektet e tyre të përkthimit. Jo vetëm traduki-n me qendër në Berlin, por edhe Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Ministrja e re Kulturës, Mirela Kumbaro, vetë një përkthyese e njohur nga gjuha franceze, nuk e fsheh se fakti që anëtarësimi në "traduki" u realizua akq shpejt, ka të bëjë edhe me afinitetin e saj të veçantë me botën e letrave. "Fakti që unë vij nga bota e letrave dhe e kam njohur "traduki"-n, si edhe punën, që bën, e kam ndjekur nga afër të gjithë procesin, më bëri të mendoj se sot kam mundësi të kaloj nga opinionet në vendimmarrje, por besoj se u ndërmor një hap i drejtë në emër të qeverisë shqiptare, duke e bërë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota."