Vazhdojnë protestat në Tiranë, kërkohet largimi i kryeministrit | Ballkani | DW | 12.12.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Vazhdojnë protestat në Tiranë, kërkohet largimi i kryeministrit

Protestat në Tiranë vazhduan edhe të premten. Ndërkombëtarët mbështesin të drejtën e protestës, por bëjnë thirrje për heqjen dorë nga dhuna.

Përplasje me policinë, akte dhune, përdorim i gazit lotsjellës, ujit me presion karakterizuan edhe ditën e tretë të protestave, të zhvilluara në mbrëmjen e të premtes, ( 11.12) në Tiranë dhe disa qytete të tjera, kundër vrasjes së 25 vjeꞔarit, Klodian Rasha, që ndodhi të hënën, (8.12) , pak pas mesnate, nga një efektiv i forcave speciale të policisë, kur viktima kishte shkelur orën policore të ndalim- qarkullimit Covid-19, dhe kishte ikur me vrap kur policia i kishte kërkuar të ndalonte.

Disa qindra protestues u mblodhën fillimisht para godinës së kryeministrisë dhe e qëlluan atë me gurë dhe sende të forta, ndezën fishekzjarre, hodhën kapsolla duke tentuar të hyjnë. Protestuesit kërkuan largimin e drejtorit të përgjithshëm të policies Ardi Vebiu. Kryeministri Rama, në një reagim në median sociale ndaj kësaj kërkese të protestuesve, deklaroi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk do të largohet nga detyra. Një ditë më pare, (10.12) Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen, duke plotësuar kërkesën kryesore të protestuesve.

Në ditën e tretë të protestës, para se ajo të fillonte në mbrëmje, efektivi forcave speciale që qëlloi të riun, Nevaldo Hajdaraj, doli para trupit gjykues, që mori vendimin e arrestit në burg dhe hetimit për veprën penale,”vrasje më tepër se vetëmbrojtja e nevojshme". Plotësimi  i dy kërkesave kryesore të protestës, - Drejtësi për Klodianin dhe dorëheqje e Ministrit të Brendshëm nuk ka qetësuar situatën.  

Gaz lotsjellës, arrestime dhe plagosje

Forca të shtuara policore, në krahasim me ato të dy protestave të mëparshme dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë përdorën gazlotsjellës dhe ujë me presion për t'i larguar protestuesit nga kryeminisria dhe mos lejuar ata të hynë brenda godinës së saj.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës protestuesit u larguan nga Kryeministria dhe u përqëndruan në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë dhe që andej u shpërndanë në rrugët kryesore të kryeqytetit. Ata kryen akte dhune: rrëzuan sinjalistikën rrugore, shkatërruan stacioneve të autobuzëve, përmbysën dhe dogjën kazanë plehrash.

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit në ditën e tretë të protestave u plagosën 21 policë dhe katër protestues. "Askush nuk duhet të krahasojë policinë me një individ që kreu një akt të dënueshëm me ligj”, bëri me dije policia në një deklaratë të lëshuar të premten.

Autoritetet e policisë bënë të ditur se kanë arrestuar arrestuar 59 protestues dhe po hetohen 116 pjesëmarrës në protestat e tri ditëve të fundit. Të arrestuarit akuzohen për zhvillim të një proteste të paligjshme në kohë pandemie, zjarrvënie dhe shkelje të rendit publik.

Edhe gjatë tri ditëve të protestës grafiku i rasteve të reja dhe vdekjeve nga Covid-19 ka shënuar vetëm rritje. Numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 977 vdekje, ka 21.750 raste aktive dhe 46 862 raste në total nga fillimi i pandemisë.

PD kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama

Ngjarja tragjike ka acaruar më tej klimën politike me akuza të ndërsjellta opozitë-qeveri për ngjarjen tragjike. Opozita jashtë Parlamentit, e drejtuar nga Partia Demokratike, (PD) akuzon qeverinë për vrasjen e 25 vjeꞔarit , Klodian Rasha  dhe kërkoi të premten dorëheqjen e kryeministrit Rama. Kryetari i PD, Lulzim Basha tha të premten në ceremoninë e 30 vjetorit të krijimit të PD se "Koha e ndryshimit ka ardhur, nuk mund të vazhdohet më kështu”.

Nga ana e tij, kryeministri Rama akuzoi përsëri Presidentin Ilir Meta dhe krerët e opozitës jashtë parlamentit për dhunën në protesta. "Opozita dhe presidenti nuk janë vetëm nxitësit por edhe orkestruesit e dhunës që po poshtëron kujtimin Klodianit, gjoja në emër të drejtësisë, por në fakt për qëllimet e tyre politike” deklaroi ai në median sociale. Akuzat e ndërsjellta bëhen kur po afrojnë zgjedhjet parlamentare të radhës që pritet të zhvillohen në Prill 2021.

Faktori ndërkombëtar: Ndal Dhunës!

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, në deklaratën e tij për situatën u bëri thirrje palëve " të heqin dorë nga dhuna” " Dhuna  nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i të drejtës për protesta është thelbësor për cdo demokraci. Vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike”, theksoi ambasadori Zingraf në deklaratën e tij. Edhe ambasadarja në Tiranë e SHBA, Yuri Kim, Yuri Kim u bëri thirrje të gjitha palëve të "ushtrojnë përmbajtje". "Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit. Ata që kanë qenë në pushtet, në të kaluarën, nuk duhet të kompensojnë gabimet e kaluara duke sugjeruar që, dhuna është e pranueshme”, theksoi ajo në deklaratën e rastit.

Kurse BE, përmes një deklarate të kreut të delegacionit  të tij në Tiranë, Ambasadorit, Luigi Soreca, kërkoi që ”dhuna  të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët; ngjarja tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia”. Prania e OSBE-së në Tiranë theksoi në deklaratën e saj që "ligjshmëria dhe rendi publik janë në themel të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë." Burime konfidenciale bëjnë me dije se protesta  do të vazhdojë edhe të shtunën, 12 dhjetor.