1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vaksinimi i kombinuar rekomandim i EMA-s e ECDC-s

Carla Bleiker
8 Dhjetor 2021

Rezultatet e studimeve të ndryshme dëshmojnë se personat që kanë marrë vaksina të kombinuara me doza nga AstraZeneca, BioNTech ose Moderna janë  më imunë se ata që kanë marrë vetëm të njëjtën vaksinë.

https://p.dw.com/p/43yOZ
Corona Impfstoff Moderna Biontech Pfizer
Fotografi: Marcus Brandt/dpa/picture alliance

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Agjencia Evropiane e Shëndetësisë (ECDC) që nga 7 dhjetori 2021 rekomandojnë vaksinimin e kombinuar me vaksina vektoriale dhe mRNA. Pothuajse në të njëjtën kohë, Matthew Snape, virolog në Universitetin e Oksfordit në Angli dhe udhëheqës i një studimi të madh, të quajtur Com-COV2, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se në studimin e tij vaksinimi i kombinuar ka rezultuar më efektiv.

Si erdhi deri te kryqëzimi i vaksinave?

Pasi EMA (Agjencia Evropiane e Barnave) miratoi vaksinën AstraZeneca në janar 2021, fillimisht vaksina u përdor pa kufizime. Më pas u vu re se, në disa raste të veçanta, te disa gra të reja, vaksina shkaktonte tromboza të  rrezikshme të venave cerebrale. Më 1 prill, Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit në Gjermani rekomandoi që vetëm personat mbi 60 vjeç të vaksinoheshin me  AstraZeneca. Kjo do të thoshte se një numër i madh personash që kishin bërë si vaksinë të parë Astra Zenecan, në dozën e dytë do të vaksinoheshin me një vaksinë tjetër. BioNTech-Pfizer ose Moderna. Ndërkohë të gjithë të rriturit në Gjermani mund të vaksinohen me AstraZeneca, pasi të kenë diskutuar rreziqet me mjekun.Por shumë shpejt studimet do të dëshmonin  se kombinimi i dy vaksinave të ndryshme nuk ka pse të jetë zgjidhje nga halli, përkundrazi.

Studimi në Mbretërinë e Bashkuar

Studiuesit në Universitetin e Oksfordit bënë të njohur për herë të parë në qershor se pacientët që kishin marrë  fillimisht një dozë AstraZeneca dhe katër javë më vonë një dozë BioNTech zhvillonin më shumë antitrupa sesa ata që vaksinoheshin dy herë me AstraZeneca. Edhe radhitja e anasjelltë, pra fillimisht BioNTech dhe më pas AstraZeneca, rezultonte më efektive se dy herë AstraZeneca. Numri më i madh i antitrupave u konstatua te personat që kishin marrë dy doza të vaksinës BioNTech-Pfizer. Ndërkohë, studimet më të fundit dëshmojnë se BioNTech-Pfizer, pasuar nga Moderna jep rezultate edhe më të mira.

Deutschland Corona-Impfung in einem Impfzentrum in Düsseldorf
Fotografi: Ying Tang/NurPhoto/picture alliance

Në studimin Com-COV, morën pjesë 830 vullnetarë mbi moshën 50 vjeç. Ata  morën kombinime të ndryshme vaksinash. Ndërmjet vaksinimit të parë dhe të dytë ishin rreth katër javë kohë. Në një studim vijues në kuadër të  Com-COV2, morën pjesë 1070 vullnetarë.

Matthew Snape, tha se pavarësisht nga kjo, vaksinimi dy herë me AstraZeneca vazhdon të jetë i nevojshëm në luftën kundër COVID-19. "Ne tashmë e dimë se regjimet standarde të vaksinimit pengojnë rëndimin e rasteve dhe hospitalizimin dhe luftojnë edhe variantin Delta".

Studimi gjerman: vaksinimi i kryqëzuar është më efektiv se dy herë e njëjta vaksinë

Studiues nga Universiteti i Landit të Zarës (Saarland) në Gjermani  zbuluan se njerëzit që fillimisht ishin vaksinuar me AstraZeneca dhe më pas me BioNTech-Pfizer rezultonin me imunitet më të fortë se ata që kishin marrë  dy doza të së njëjtës vaksinë. Rezultatet e Universitetit në Saarland u publikuan në revistën Nature në fund të korrikut 2021.

Dhjetë herë më shumë antitrupa

Mbi 200 vetë morën pjesë në studimin e Spitalit Universitar Saarland në Homburg. Një grup u vaksinua me nga dy doza AstraZeneca, një grup tjetër me nga dy doza BioNTech/Pfizer. Në një grup të tretë, pjesëmarrësit morën fillimisht një dozë AstraZeneca, e më pas BioNTech.

Dy javë pas dozës së dytë, studiuesit krahasuan përgjigjet imune të pjesëmarrësve. "Tek të vaksinuarit ne studiuam jo vetëm se sa i lartë është numri i antitrupave kundër koronës, por ne matëm edhe efektshmërinë e antitrupave neutralizues", shpjegon Martina Sester, profesore për imunologji transplantimesh dhe infektimesh në Universitetin e Saarlandit. "Kjo na informon se sa arrijnë antitrupat të parandalojnë hyrjen e virusit në qeliza.”

Impfstoffentwickler von Biontech mit Zukunftspreis 2021 ausgezeichnet
Ugur Sahin dhe Özlem Türeci, themeluesit e firmës Biontech, që zbuloi vaksinën e parë kundër Covid. Fotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Analiza e antitrupave tregoi se si vaksinimi i dyfishtë me BioNTech ashtu edhe kombinimi me AstraZeneca ishte shumë më efektiv se vaksinimi me dy doza AstraZeneca. Pjesëmarrësit që morën dy doza nga dy vaksinat e para prodhuan afro 10 herë më shumë antitrupa se ata që morën dy doza me AstraZeneca.

Rritje "e dukshme" e prodhimit të antitrupave

Edhe studimi spanjoll, CombivacS, i kryer me 663 pjesëmarrës në Institutin Shëndetësor Carlos III në Madrid, erdhi në një përfundim të ngjashëm. Rezultatet paraprake u publikuan në revistën Nature. Dy të tretat e pjesëmarrësve morën si dozë të dytë vaksinën BioNTech Pfizer, pasi si dozë të parë kishin pasur AstraZeneca-n. Ndërsa pjesa tjetër e pjesëmarrësve (një e treta)  nuk e kishte marrë ende vaksinën e dytë.

Magdalena Campins, një nga studiueset nga Spitali Universitar Vall d'Hebron në Barcelona, ​​raporton se pjesëmarrësit që kanë marrë një vaksinë të kombinuar kanë rezultuar me shumë më tepër antitrupa pas vaksinimit të tyre të dytë dhe se këto antitrupa ishin në gjendje të njihnin virusin SARS-CoV-2 në testet laboratorike dhe ta çaktivizonin atë. "Duket sikur vaksina [BioNTech] Pfizer është në gjendje ta rrisë dukshëm prodhimin e antitrupave pas një doze fillestare me AstraZeneca",  citon Nature imunologun Zhou Xing nga Universiteti McMaster në Hamilton, Kanada, i cili nuk u përfshi në studimin CombivacS.

Pavarësisht se rezultatet nga Madridi nuk janë ende përfundimtare dhe nuk janë kontrolluar ende nga shkencëtarë të tjerë, studimi ka edhe një problem tjetër. Ai u zhvillua pa një grup kontrolli, kur pjesëmarrësit të merrnin të njëjtën vaksinë. Prandaj nuk mund të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë. Në Spanjë është vaksinuar deri tani pothuajse një e katërta e popullsisë.

A njihet vaksinimi i kombinuar?

Në Gjermani, vaksinimi i kombinuar njihet po aq sa vaksinimi me dy doza të së njëjtës vaksinë. Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë bazohet në udhëzimet e Institutit Paul Ehrlich (PEI). Nëse vaksinimi i kombinuar konsiderohet si vaksinim i plotë edhe jashtë Gjermanisë, kjo varet nga vendi përkatës. Kanadaja për shembull e ka lejuar vaksinimin e kombinuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ende duke e shqyrtuar këtë mundësi.